>
LETERSISHQIP

Një Grusht Dhe

E mori me vete
Ai që u nis nëpër botë
Në shami ta bartë
Aromën e nënës Tokë.
Dhe kur furtunat
E rrahin mbi shpinë
Në atë grusht dheu
Ta ndërtojë shtëpinë.
Kur themelet e gëzimit
Vërshimi ia prish
Me atë grusht dheu
T’i ndërtojë serish.
Dhe kur diell i huaj
Nuk shkëlqen në qiell
Nga ai grusht dheu
Të gatuajë tjetër diell.
Kur për ajrin e thithur
I kërkojnë tatim
Nga ai grusht dheu
Të krijojë dhe frymë.
Dhe kur një pikë ujë
S’e gjen as për ilaç
Në atë grusht dheu
Kroin ta hapë sa kaq.
Dhe kur ia rrënojnë
Urën deri në breg
Nëpër atë grusht dheu
Të gjejë tjetër shteg.
Dhe kur shteg tjetër
Atje nuk i lënë
Kur ngado që vete
Pusi i zënë
Të niset si dielli
Në për atë grusht dhe
Rrugës se bardhë
Për në mëmëdhe…