>
LETERSISHQIP

Lumë I Tokës Sime

– Buron n'Tokën time
Dhe derdhesh në det?…
– Popullit ia bart ëndrrën
Këtu e mijëra vjet…
– Pse gjarpërove shtegun
Kur e bëre shtratin?
– E gjatë ishte udha
Kështu e patëm fatin!
– Pse s’ndalesh një çik
Nën Shelgun e Vjetër?
– Ndale një çast lapsin!
Hë, ka gjurmë në letër?…
– Rrjedh mes dy kodrash
Tepër i ngushtë fyti!…
– S’ka gjë, pak më poshtë
Bëhem vetë i dyti…
– Pse e shton nxitimin
Në secilën ujëvarë?
– Çdo valë do që detin
Ta puthë sa më parë.
– A e ndërron ca rrjdhën
Për lulet në kodër?…
– Punëtori loz me mua
Si fëmija me lodër…
– Sa shumë i vlen Tokës
Ngado hiqesh zvarë…
– Hiç më shumë se ty
Gjaku ndër damarë…
– Ku e merr përditë
Nxitimin e valës?
– Aty ku gjen ti
Madhështinë e fjalës.
– Vallë, kush ta dhuron
Tërë këtë gurgullimë?
– Ai që ta falë ty
Këngën, melodinë…
– O lumë, do të doja
Të jem lumi vetë!
– E unë t’jem dëshmor
I popullit tënd…
– Merrmë o lumë me vete
Sa shumë që dua!
– Eja t’vijosh rrugën
Po zura në thua!…