>
BIOSHQIP

Luar: Kënga Më Dha Famë, Shkolla Më Jep Dritë

27-08-2012
Luar Arani po kthehet në tregun muzikor.. .Po kur?! Luar, vazhdon studimet e larta në Gjermani, por asnjëherë se ka lënë pas këngën. Kënga për të është shtysa e madhe në çdo drejtim të jetës. Ajo herë pas here vjen para publikut me këngë të reja, duke surprizuar rininë. Ditët e fundit atë e sheh në plazhet jugore të Shqipërisë ku jo vetëm pushon po përgatitet dhe për klipe të reja surprizë. Ajo në këtë rrugëtim të bukur nuk harron këngën e saj të parë, një duet me kantautorin Flor Mumajesi, këngë e cila i dha famë të menjëhershme. Por kur flet se kush e zbuloi si talent ajo përmend pa u menduar, nënën e saj.

-Luar, duke qenë se keni kohë që jeni larguar nga vëmendja e publikut, aktualisht me çfarë po merreni?

Aktualisht jam në Tiranë për pushime dhe po merrem me projektet e reja muzikore. Kam disa ditë që jam kthyer nga Gjermania, ku vazhdoj studimet e larta. Nga një vend i ftohtë, tani ndodhem në atdheun tim, ku dielli dominon në 24 orë.

-Si e filluat rrugën e këngës dhe cila është kënga e parë që keni kënduar?

Fillimisht kam filluar me korin e liceut artistik në klasën e parë dhe kam filluar me këngë për fëmijë.

-Kush ju zbuloi si talent?

Nëna ime ishte ajo që e vuri re se unë mund të këndoja dhe zërin e kam të trashëguar prej saj. Më pas u futa nëpër festivale fëmijësh, kompeticione të ndryshme dhe në moshën 16 -vjeçare bëra këngën time të parë.

-Cili është klipi juaj i parë dhe ku e realizuat?

Klipi i parë i përket këngës "Gjithmonë", një bashkëpunim me kompozitorin Florian Mumajesi. Klipi u realizua nga regjisori Aleksandër në Maqedoni.

-Sa albume keni bërë dhe cili është albumi i parë?

Jam duke përfunduar albumin e parë pasi kam lançuar vetëm këngë single dhe nuk i kam përmbledhur në një album.

-Sa e vështirë është sot të jesh këngëtare?

Çdo fushë ka vështirësinë e saj dhe prapaskenat janë të pafundme, por muzika është diçka shumë e veçantë në jetën time dhe kompenson dhe vështirësitë që mund të hasen gjatë rrugës.

-A jeni e kufizuar nga jeta private me këtë profesion?

Në disa momente po jam paksa e kufizuar.

Shprehja e preferuar për ju, cila është?

Nuk kam asnjë shprehje të preferuar, e vetmja gjë, është i gjithë fjalimi i bërë nga Charlie Chaplin në filmin "Diktatori".

-Kur e keni ndjerë veten me keq në profesionin tuaj?

Kur mora pjesë tek finalja e "Gjeniut të vogël" puntatën e parë, ku duhet të performoja komplet e ngjirur. Megjithatë kur flisja s'kisha zë kur këndoja më dilte zëri. Ishte situatë e sikletshme, por ja dola mbanë.

-A ka moshë ky profesion?

Për disa këngëtarë duket sikur nuk ka, por unë mendoj se sado vjeç të jem gjithmonë do ulem në piano e do këndoj diçka pasi është pjesë e imja.

-Cilat këngëtare me famë botërore janë idhull për ju?

Këngëtare që unë preferoj janë Adele, Christina Aguliera, liderja e grupit "Florence and the Machine".

-Një përkufizim për dashurinë?

Gjëja më e madhe që mund të të ndodhë në jetë është të dashurosh dhe të ta kthejnë dashurinë po me aq pathos.

-Jeni supersticioze?

Jo nuk jam.

-Marrëdhëniet me kuzhinën dhe kuzhina juaj e preferuar?

Më pëlqen të gatuaj dhe kuzhina ime e preferuar është ajo japoneze, sushi është ushqimi im i preferuar.

-Mendimi juaj për bashkëjetesën?

Jam pro bashkëjetesës, por jo për një kohë shumë të gjatë. Të ruhet sensi i masës.

-Motua nga e cila udhëhiqeni në jetë?

Nuk kam një specifike.

-Një ditë e zakonshme, si është për ju?

Zgjohem në mëngjes herët, një kafe rrugës për në universitet ose tek zyrat ose në studio, kudo që të jem. Pastaj futem në ritmin e jetës.

-Ku preferoni t'i bëni pushimet?

Në jug të Shqipërisë, në resorte në Turqi ose në Spanjë. Megjithatë gjithnjë dua të shkoj në vende të ndryshme.

-Veshja jua e preferuar?

Nuk kam një, janë disa kombinime të ndryshme që më pëlqejnë.

-Marrëdhëniet me cigaren dhe pijet alkoolike?

Cigare nuk pi, s'e kam preferuar kurrë dhe madje më shkakton dhe alergji, ndërsa alkooli në doza normale në mbrëmje me miqësinë time më duket e drejtë.

-Çfarë bën kur nxehesh?

Mundohem të mos flas shumë pasi si i thuhet: "fjala vret më shumë se plumbi".

-Çfarë vlerësoni tek një njeri dhe çfarë kritikoni?

Vlerësoj karakterin dhe humorin dhe kritikoj mendjemadhësinë.

-Keni ndonjë peng në jetë?

Deri tani jo.

-Kur ndiheni më mirë, kur ju thonë jeni simpatike apo jeni inteligjente?

Kur mi thonë te dyja, por inteligjenca luan rol me kryesor mendoj unë.

-Cilat janë planet tuaja në marrëdhënie me idetë profesionale?

Në fakt tani është periudha ku sirtari është hapur dhe ëndrrat janë në rrugë e sipër për realizim. Para një muaji nxora këngën time me producentin e huaj Alandi dhe në muajin shtator do vijnë projekte të reja nga unë. Për momentin më tepër nuk mund të them.
(Albert Zholi Gazeta Telegraf )

Luar: Kënga Më Dha Famë, Shkolla Më Jep Dritë