>
LETERSISHQIP

Vargje Plot Dritë

1-
Mendoja se veç unë e kisha,
Çelësin që hapte zëmrën tënde,
ndaj veten time bekoja:
“O fat i artë-ku m’u gjende!..”
Po çelësi..ah..çelësi që mbaja,
Nuk ishte i vetmi jo-jo,
Se ti kishe bërë dhjetëra kopje,
Dhe portën ta hapte kushdo!.

2-
O mall i parë, plot me diell,
O mall që, ma ndrite rininë,
Dikur më ngrije në qiell,
Tani mè fundos në greminë!

3-
O kohë, që më nise rrëmete,
Drejt meje, po nuk më trembe,
Po bëre si bëre, më gjete,
Dhe jetën time e shembe.
O kohë një jetë pa pushuar,
Tek unë tërmete ke sjellë,
Po dhe kështu-i rrèzuar,
Unë jam gjithsesi, një kështjellë.

4-
Gjithë gjuhët e zogjve i di,
Ato, që fëmijës i mësova,
Por nuk cicërova si zog,
Po, si zgalemi gjëmova!.

5-
I bardhë si bora të jesh,
I ndritur i larë me flori,
Prap do të të shajnë diku,
Pa sharë nuk mbetet njeri!