>
BIOSHQIP

Machiato Band: “Ne Nuk Dimë Të Këndojmë Playback”

10-01-2014
Po e vlerësojnë për mashalla angazhimin e tyre artistik, përgjatë gjithë vitit 2013. E ndërsa kanë nisur një vit të ri, djemtë e grupit “Machiato Band” kanë treguar se janë duke punuar në dy projekte të reja, njëra prej të cilave do të vijë në duet me Labinot Rexhen-Nokin...

E vlerësojnë si vitin e tyre, bashkë me të gjitha angazhimet dhe sukseset artistike, përgjatë gjithë vitit që kaloi. Por, duke mos u kënaqur me sukseset e arritura, që me nismën e këtij viti të ri, grupi “Machiato Band” kanë treguar se kanë nisur punën rreth krijimeve të reja artistike. “’Machiato Band’ për fillim të vitit i ka përgatitur dy këngë të reja.

Njëra prej tyre do të jetë këngë në bashkëpunim me këngëtarin Labinot Rexha, i njohur me nofkën Noki. Ndërsa kënga tjetër do të jetë e interpretuar vetëm nga ne, këngë kjo që do të vijë në stilin tonë siç edhe na njeh publiku”, kështu ka theksuar për Tribuna, anëtari i bendit Bekim Hallaqi.

Me oferta për bashkëpunime

Muzikanti ka njoftuar edhe detaje rreth njërës këngë, ndërsa për sa i përket duetit me Nokin, ka theksuar se gjithçka mund të shihet gjatë publikimit të këngës. “Mund të publikoj vetëm njërën këtë që do të publikohet vetëm nga ne. Kënga do të titullohet “Mamë kur do të bëhesh”. Kjo këngë ka qenë në albumin tonë, mirëpo tani do të vijë krejtësisht ndryshe, me një version akustik”, ka treguar më tej Bekimi, duke shtuar se të dyja këto këngë do të jenë të plotësuara me videoklipe.

E ndërsa puna e tyre vazhdon si bend, ata janë të kërkuar edhe për bashkëpunime të ndryshme me shumë këngëtarë. “Kemi disa oferta për bashkëpunime me yje të estradës. Por nuk do të doja t’i bëja publikë emrat. Meqë ende nuk ka gjë konkrete”.

E duke qenë se tani për tani nuk i shohin si zgjidhje të mirë në muzikë, albumet, “Machiato Band” kanë vendosur që të sjellin këngë ‘single’ e videoklipe kohë pas kohe. “Albumet pak kanë rënë nga trendi, nuk janë më në modë edhe aq. Kështu që do të vazhdojmë me ‘singla’. Por ‘Machiato Band’ do ta sjellë këtë vit, konkretisht para sezonit të verës një album me këngë ‘live’, por jo me këngë të reja”.

Nuk dimë të këndojmë ‘playback’

Karshi këngëve të reja, ata shumë shpesh prezantojnë ‘live’ muzikën e tyre, nëpër mbrëmje të ndryshme muzikore. Madje kjo është e vetmja mënyrë që djemtë e “Machiatos” thonë se këndojnë. “Ne kënaqësinë në skenë e ndjejmë në preformanca ‘live’. Ne nuk dimë të këndojmë ‘playback’. Për këtë edhe jemi shkolluar dhe kemi përvojë. Dhe në publik do të vazhdojmë të qëndrojmë vetëm me performanca ‘live’ dhe një stil që publiku na ka pranuar”, ka sqaruar për fund Bekimi.

Ai gjithashtu ka ngritur lart sukseset e jetuara përgjatë vitit paraprak, sukses të cilin duan ta arrijnë edhe në vitin që sapo nisëm. “Ka qenë një vit shumë i suksesshëm për ‘Machiato Band’. Në vitin që lamë pas kemi pasur një këngë e cila është dëgjuar shumë dhe vazhdon me të njëjtin ritëm në të gjitha klubet. Është kjo kënga ‘Xhejlan’, përpunim i një këngë të vjetër por që publiku e mirëpriti dhe neve na ofroj sukses të madh. Gjithashtu me mbrëmje muzikore kemi qenë vazhdimisht të angazhuar. Mund të them për marshallah”, ka shtuar për fund Hallaqi.
(Nita Brisku)

Machiato Band: “Ne Nuk Dimë Të Këndojmë Playback”