>
LETERSISHQIP

Mund Të Mos Jetë Dhjetor

Dola herët sot

gjithë dhjetorët më çajnë kockat,
pos kësaj,
edhe më vjedhin
sy më sy…
Varganë të bërë,
m’i kishin marrë dashuritë e viteve…
(s’di ku dreqin i mbanin kur as ua jepnin njerëzve në nevojë)
Kohë dhjetorësh
të prerë shpatë,
të varur lak,
të flakur tej,
të mbetur zbjerrë…
Sot,
dola herët
dhe gjithë paradites
mezi mblodha pak dashuri
pak,
një centimë,
sa për të gënjyer veten,
si fëmija…
Ish nga ato të hedhurat
kushedi nga ç’përbuzje…
Dashuritë kanë ngjyrën e tyre,
por ato, kur flaken, s’shihen,
veç varfërojnë gjer në gjak
dhe nga larg përshëndesin
thikë.
Pastaj,
me pak hënë të vonë,
dikujt tjetër i varen në qafë…
Gjëra të vogla që shkruhen në ballë e zemër.
Mund të jetë dhjetor
që bie thikë
e unë mund të dal sërish herët një mëngjes…