>
BIOSHQIP

Malësori: “Ta Duam Malësinë Se Ia Kemi Borxh”

21-08-2014
Të rinjtë tonë, nga këto hapësira, s’kanë pas mundësi të ndjekin shkollimin në ndonjë akademi muzikore, por talentin e tyre e kanë dëshmuar me sukseset e arritura në këtë lëmi. Njëri ndër ta është edhe Malësor Prenkoçaj, i cili me këngët e veta tashmë ka përfituar zemrat e dashamirëve të shumtë të muzikës së bukur shqiptare.

D.D. Si lindi dashuria kaq e flakët për muzikën tonë të bukur, për këngën e bukur shqiptare? Kush Ju inkurajoi më së shumti në këtë drejtim, pasi që fillimet tuaja datojnë nga mosha juaj, pothuajse fëmijërore?

Malësori: Dashuria për këngën shqipe ka lindur tek unë që nga mosha e fëmijërisë time. Jam rritur në një rreth ku muzika ka qenë shumë e pranishme, si nga ana e babait tim po ashtu edhe nga ana e dajave të mijë. Gjyshi im i ka rënë çiftelisë dhe i ka kënduar. Dajat i kam pas shumë të talentuar për muzikë dhe shumë jam frymëzuar nga ata, posaçërisht nga daja Dode Gjonaj. Po edhe prindërit e mijë e kanë adhuruar shumë muzikën dhe tek ne në familje vazhdimisht është luajtur dhe dëgjuar muzika shqipe. Kështu duke i absorbuar të gjitha këto, si fëmijë më lindi dëshira e flakët për muzikën shqiptare. Po ne si familje kemi pas lidhje të madhe edhe me artistin e madh Nikollë Nikprelaj dhe hapat e mija të para si këngëtarë janë të lidhura ngushtë me të. Dëshiroj ta falënderoj nga zemra për këtë.

D.D: Ju edhe pse jeni i ri në moshë, tashmë keni një karrierë mjaft të pasur muzikore. Gjithë këtë, në radhë të parë falë talentit dhe pasionit tuaj për këngën e bukur. Cila është formula e suksesit tuaj në lëmin e muzikës ?

Malësori: E përmenda që pasioni im për muzikën shqiptare ka filluar nga mosha e fëmijërisë dhe gjatë asaj moshe unë bëja ushtrime dhe përgatitje të ndryshme për t’u krijuar, më së pari si instrumentist e mandej edhe si këngëtarë. Në moshën 19 vjeçare e kam inçizuar këngën time të parë në studio dhe që nga ajo kohë nuk jam ndal asnjëherë. Për të pasur sukses, duhet ti përkushtohemi këngës me shumë seriozitet dhe shumë mund. Atëherë suksesi është i pashmangshëm edhe i arritshëm.

D.D: Njëri ndër parakushtet e suksesit tuaj është edhe bashkëpunimi me emra të njohur të muzikës shqiptare. Besoj se edhe Ju pajtoheni me këtë?

Malësori: Patjetër qe po. E përmenda më lartë që fillimet e mija janë të lidhura ngushtë me Nikollën. Mbas ardhjes sime në Prishtinë, kam zhvilluar bashkëpunime me shumë krijues të njohur të muzikës tonë si: Ilir Berani, Xhevdet Gashi, Naim Krasniqi, Florent Boshnjaku, Ilir A.Tolaj, Shefqet Hoxha-Sheki, Ardian Kastrati, Riza Dolaku, Avni Qahili etj.

D.D: Cili ka qenë albumi juaj i parë dhe sa albume keni realizuar deri tani?

Malësori: Albumi im i parë ka dalë ne treg në vitin 1997 dhe ka pas titullin “Vetëm për ty”. Deri më tani kam hedhur në treg tetë albume, si dhe shumë singela. Albumi im i fundit doli në shitje në muajin korrik të këtij viti dhe mban titullin e singelit tim të fundit “Zambaku i bardhe”.

D.D: Ju, vite me radhë jetoni dhe krijoni në Kosovë. Aty kini gjetur dyert e hapura dhe dashamirësinë vëllazërore të bashkëkombësve në realizimin e dëshirave dhe planeve tuaja në lëmin e muzikës. Sa jeni i kënaqur në këtë drejtim?

Malësori: Po bëhen 13 vite që jetoj në Prishtinë. Këtu kam gjetur mikpritjen jashtëzakonisht të madhe nga Shqiptarët e Kosovës. Këtu çmohet shumë Malësia, po edhe trojet tjera shqiptare që kanë mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë dhe Kosovës. E kam përmend shumë herë që Kosova na ka mirëpritur gjithmonë ne, Shqiptarët e Malësisë, dhe të gjitha dyert i kemi këtu të hapura. E dua shumë Kosovën dhe nuk kam fjalë për të shprehur falënderimet e mija ndaj këtij vendit të vjetër shqiptarë, sikurse e dua edhe Malësinë edhe trojet tjera shqiptare.

D.D: Kolegët këngëtarë flasin me mjaft respekt për të arriturat tuaja në lëmin e muzikës. Aq më parë pasi që ju jeni mjaft i pranishëm në koncerte, festivale dhe evenimente të ngjashme muzikore. Cilat kishit veçuar Ju nga këto?

Malësori: I çmoj kolegët e mijë, në veçanti ata të cilët kanë kujdes se çka krijojnë dhe që e ruajnë melosin tonë, qoftë te muzika popullore apo ajo argëtuese.

Kam marrë pjesë në shumë evenimente nëpër trojet tona. Kam emocione të veçanta kurdo këndoj në Drenicë, në Prekaz në “Natën e zjarrëve”, ku përkujtohet rezistenca e familjes Jashari, në krye me komandantët legjendar, Adem e Hamëz Jashari. Nuk ka koncert as festival, qoftë edhe multi profesional që më japin emocione sikur pjesëmarrja ime në këtë eveniment!

D.D: Mendoj se kënga “Kthehuni”, ke qenë njëra ndër të arriturat e para por mjaft vendimtare për karrierën tuaj muzikore. Cili është mendimi Juaj?

Malësori: Po, është e vërtetë. Para asaj kënge kam pas të realizuara dy albume, por kënga “Kthehuni” ishte ajo që më dha një guxim të madh për të vazhduar më tutje me krijimtarinë time. Ishte një këngë me tematikë të rrallë dhe të vërtetë dhe për këtë edhe e arriti atë sukses. Edhe sot qëndroj te i njëjti mesazh për Shqiptarët e Malësisë. Mos ta harrojmë Malësinë, se ia kemi borxh. Ju bëj apel, në veçanti mërgimtarëve tonë që janë në SHBA. Ata janë shpresa jonë dhe gjithmonë kanë qenë. Ju lutem, mos ta lemë Malësinë mbas dorës, se ia kemi borxh!

D.D: Stili që ju kultivoni është mjaft i veçantë, sidomos për nga mënyra e interpretimit. I mbeteni besnik gjithnjë këtij stili edhe në të ardhmen?

Malësori: Stili i një këngëtarit është arma më e fuqishme e tij dhe sigurisht që do ti mbes besnik. Shpesh bëj eksperimente, por gjithnjë brenda stilit tim dhe mendoj që kjo reflektohet për të mirë në krijimtarinë time.

D.D: Dashamirët e muzikës tuaj i kini mësuar me risi mjaft të shpeshta. Kur mund të presim diçka të re në një të ardhme të afërt?

Malësori: Besoj që ka fundi i vjeshtës do të paraqitem përsëri me një singel te ri dhe me video klip te ri.

D.D: Cili është opinioni juaj për muzikën shqiptare sot?

Malësori: Muzika shqiptare edhe mund të jetë në krizë në ditët e sotme. Kjo në radhë të parë është pasojë e mungesës së institucioneve të cilat do të ishin përkujdesur për vlerat e paraqitura në tregun muzikorë dhe me kultivimin e muzikës së re, por gjithnjë shqiptare. Muzika jonë duhet të ecë me kohën, por kurrsesi ta humbë identitetin e sajë. Siç e kemi gjuhën shumë unike, ashtu e kemi edhe muzikën dhe duhet ta ruajmë. Nuk duhet harruar anën komerciale, por parametrat e muzikës shqipe dihet ku janë. Ka shumë krijues që kopjojnë dhe me doemos i ikin melosit tonë . Por, besoj që me kohën do te kthjellohen gjërat dhe do të vazhdojnë vetëm ata krijues që kanë kujdes se çfarë krijojnë, qoftë te muzika popullore apo ajo argëtuese.

D.D: E thamë gjatë bisedës se Ju jeni mjaft i angazhuar në koncerte, dasma në Kosovë. Kur mund të presim diçka të ngjashme edhe në Malësi?

Malësori: Kisha pas shumë dëshirë që kësaj vere të jam prezent në Malësi, se paku me një mbrëmje argëtuese. Nuk e di sa do të më premtoi koha, por do të mundohem. Unë, edhe pse jam larg Malësisë atë e dua shumë.

D.D: Cili do të ishte mesazhi juaj në fund të kësaj bisede për adhuruesit e muzikës tuaj dhe lexuesit e kësaj interviste?

Malësori: I përshëndes të gjithë nga zemra dhe le të vazhdojnë ta duan Malësinë dhe të punojnë për të mirën e sajë. Malësia shqiptare do të jetoj sa të ketë Shqiptarë të mirë që punojnë për të!
(Dijana Gj. Dukaj/Malesijajone)

Malësori: “Ta Duam Malësinë Se Ia Kemi Borxh”