>
BIOSHQIP

Mariola Kaçani: Kënga Popullore Po “Dominon” Mbi Muzikën E Lehtë

10-12-2012
Nuk besoj se ka njëri që nuk e njeh këngën "Jam vlonjate", të këngëtares Marjola Kaçani e cila është bërë një emër i njohur në muzikën popullore. Me një zë të mrekullueshëm ajo ka arritur të hyjë në zemrat e shqiptarëve kudo që ato ndodhen. Këtë e tregon edhe fakti që shpesh është e ftuar nëpër koncerte të ndryshme në mbarë botën, atje ku ka shqiptarë. Pak njerëz e dinë se ajo ka mbaruar Akademinë e Arteve për aktrim por në një intervistë të dhënë për suplementin "Koha Tjetër", Marjola rrëfen jetën, studimet dhe projekte e saj më të fundit.

Ju tashmë jeni këngëtare e mirënjohur e muzikës popullore, por çfarë kujtoni nga fillimet tuaja me këngën?

Sigurisht që të gjithë artistët, kanë një moment të fillimeve të tyre, që i kujtojnë edhe me shumë humor. Mund të them se që kur kam qenë në kopësht, mblidhja të gjitha vajzat e lagjes dhe jepja koncert recital në shtëpi. Më pas edhe në shkollën fillore, të mesme deri më sot, muzika ka qenë në një hap me mua. Më mirë do të thosha që kam lindur me muzikën, pasi ajo është gjëja primare për mua.

Këtë vit u organizua edhe festivali i këngës popullore, ju nuk ishit pjesëmarrëse për zgjedhjen tuaj?

Faktikisht më kanë pyetur shumë persona, pse nuk isha pjesëmarrëse edhe për faktin që aty këndohej live. Megjithatë këtë herë ishte menduar nga organizatorët që të ishin vetëm dhjetë këngëtarë, po kjo nuk do të thotë se nuk do të jem vitin e ardhshëm.

Ju kemi dëgjuar gjithmonë të këndoni muzikën popullore, keni tentuar që të këndoni edhe muzikën e lehtë?

Sigurisht, pasi mendoj se artisti duhet të eksperimentojë edhe në zhanre të tjera, jo vetëm në atë zhanër që ai lëvron më së shumti. Kam tentuar por mendoj se këtë do ia le kohës. Pasi momentalisht ndihem shumë mirë në këtë zhanër muzikor, kështu që të tentojë, qoftë në zhanrin e muzikës së lehtë apo në zhanret e tjera, dua që impakti i parë të jetë shumë i fortë.

Mendoni se sot më e paguar është muzika popullore se ajo e lehtë?

Nuk mund ta them këtë pasi kjo është relative. Ka këngëtarë të muzikës së lehtë që paguhen shumë më tepër se këngëtarët e muzikës popullore ashtu si edhe e kundërta. Pasi gjithç- ka varion nga emri i vetë këngëtarit, ndërkaq kënga popullore ndoshta është më e pëlqyera, sepse ne jemi ballkanas. Edhe ata që pretendojnë se nuk e pëlqejnë, nuk ka mundësi që të mos çohen dhe të kërcejnë me muzikën popullore. Nëse zhanret e tjera të muzikës mund të kenë grupmoshat e tyre të fansave, kjo lloj muzike pëlqehet nga i vogli deri të i madhi. Kështu unë shpesh jam e ftuar nëpër gëzimet familjare në treva të ndryshme. Dhe meqenëse po flasim për dasmat, doja të thosha se megjithëse shumë këngëtarë nuk i preferojnë, janë një ballafaqim shumë i madh me publikun, e para sepse je gjithë kohën live dhe e dyta të zgjerojnë repertorin, sepse këndon nga të gjitha trevat. Personalisht kam provuar edhe të këndoj këngën e lehtë ndoshta shumë pak dhe muzikën e huaj. Por njerëzit pëlqejnë më shumë këngë që flet shqip, në të gjitha aspektet, dhe kush me shumë se muzika popullore, flet vërtet shqip.

Në klipin tuaj të fundit, ju këndoni në duet me vëllain tuaj, sa keni ndikuar ju tek ai?

Është e vërtet që në klipin tim të fundit "Ta mbajmë gjallë amanetin", unë vij në duet me vëllain tim, e kemi realizuar të dy. Nuk mendoj se ka qenë ndikimi im, por mund të them se e kemi trashëguar paksa nga prindërit tanë. Babai jonë ka kënduar kur ishte i ri, ndërsa nga mami im kanë qenë shumë artdashës, kjo na është ngulitur edhe ne të dyve. Nuk mendoj se është ndikuar nga unë, pasi ai e ka pasion vetë muzikën megjithëse studion për inxhinieri.

Në të vërtetë edhe ju keni mbaruar Akademinë e Arteve për aktrim….

Teatri, ka qenë një tjetër pasion i imi, por jo më i madh se kënga. Realisht Akademinë e Arteve e ka nisur thjesht për të ardhur nga Vlora në Tiranë, pasi mendova se dega që i afrohej më shumë artit ishte aktrimi. Në fillim kur nisa shkollën thosha me vete, po çfarë dua unë këtu, më pas kur u integrova më mirë me shkollën, sinqerisht që u dashurova me aktrimin, sepse kur kam qenë e vogël e kam pasur ëndërr. Por mendoj se nëse do t'i bësh mirë, nuk mund t'i bësh të dyja, o do bësh njërën, o do bësh tjetrën. Megjithëse në të ardhmen nuk i dihet, mund të më shini edhe në skenën e teatrit. Kam pasur fatin të kem pedagogë shumë të mirë, si Timo Fllokon, Alfred Trebickën dhe emra të tjerë të njohur, të cilët më kanë vlerësuar për vlerat e mia aktoriale.

Vlora ka nxjerrë vërtet këngëtare shumë të mira, mendoni se ka një sekret të vetin ky qytet?

Mendoj se Vlora ka nxjerrë kaq shumë zëra të mirë, sepse ka ëmbëlsinë dhe kripën. Dhe që të kesh këto dy gjëra bashkë është shumë gjë e mirë.

Si është një ditë e juaja?

Unë jetoj në Tiranë bashkë me familjen time, që përbëhet nga mami, babi dhe vëllai im. Zakonisht përpiqem që kur kam kohë të lirë, të bëj sa më shumë palestër dhe të merrem me veten time, pasi shumë shpesh jam në lëvizje për koncerte të shumta dhe nuk kam një ditë tipike. Dihet se këngëtarët lëvizin shumë dhe ato ditë që nuk jam në lëvizje, mundohem që të bëj pushim për zërin dhe një pjesë e çlodhjes sime është edhe noti, sigurisht si vlonjate që jam.

Po sa i përket jetës private, mendoni se ka ardhur kohë për të krijuar familje?

Familja është një gjë shumë e shenjtë, në radhë të parë. Sigurisht që nuk është e lehtë, sepse një partner mund ta gjesh në çdo kohë, por personin që të më kuptojë mua në profesionin tim, është paksa e zorshme ta gjesh. Sepse personi me të cilin unë do të ndaja jetën, në radhë të parë duhet ta kem mik, vëlla, shokë dhe në momentin që unë do të vendos të krijoj familje, me siguri që do të kem gjetur partnerin ideal.

Këngëtaret, ende edhe sot paragjykohen për profesionin e tyre?

Fatkeqësisht edhe paragjykohen, sepse vetë rrethanat janë të tilla. Besoj se duhet që ta kalojmë këtë fazë, pasi secili ka jetën e tij dhe në fund të fundit kemi vetëm një jetë dhe çdo njeri e ndërton jetën e tij si të dojë. Megjithëse në një farë mënyre nuk është e lehtë për një mashkull që të ketë në krah një këngëtare, pasi shpesh jemi në turne për ditë të tëra, edhe personalisht nëse nuk do të merresha me muzikën do të ndihesha keq. Për këtë arsye, pak më lart thashë se duhet gjendur partneri ideal, sepse në bazë të gjithçka është besimi dhe aq më tepër, kur e di shumë mirë, se ajo vajzë,është këngëtare, ai djalë duhet ta marrë parasysh këtë fakt.

Në të vërtetë, ju jeni ndër ato këngëtare, të cilat nuk i shohim nëpër faqet e shtypit rozë, e ruani me fanatizëm jetën tuaj private?

Nuk mund të them se e ruaj me fanatizëm, por kam përshtypjen se artistë të ndryshëm deri diku i tërheqin vetë mediat dhe bëjnë gjëra për të tërhequr vëmendjen. Unë personalisht bëj një jetë shumë të thjeshtë, gjë që nuk përbën lajmë për asnjë gazetë dhe nuk kam arritur në atë pikë sa të më duhet të bëj skupe, për të tërhequr vëmendjen e medias.

A do të kemi një klip tuajin së fundmi?

Nuk kam ende në plan për ndonjë këngë të re, edhe për faktin se klipi i fundit i imi, ka gati gjashtë muaj që është në treg. Duke qenë se janë edhe festat e fundviti ne këngëtarët jemi shumë të angazhuar. Kështu bashkë me një grup këngëtarësh do të jemi në Amerikë për festat e fundvitit, më pas do të shkojmë në Australi. Pasi të kthehem me siguri që do të mendoj për ndonjë klip të ri.

Meqenëse jemi në atmosferë festash, cila ka qenë dhurata më e bukur që keni marrë ndonjëherë?

Dhuratat në fakt kanë qenë të shumta, por dhuratat më me vlerë për mua janë ato të fansave. Kështu në koncertin e fundit që bëra në Greqi, një fanse e imja më dhuroi një varëse që ajo i bënte vetë me dorë, ishte vërtet një dhuratë shumë e bukur. Më pas shpesh më kanë bërë dhuratë fustane, apo në Amerikë më dhuruan një çantë. etj.
(Yllka Selita GAZETA KOHA JONE )

Mariola Kaçani: Kënga Popullore Po “Dominon” Mbi Muzikën E Lehtë