>
BIOSHQIP

Mateus Frroku: Sinqerisht E Them “Më Shumë Të Dua”

30-09-2012
I ka munguar skenës prej disa kohësh por ka vendosur të rikthehet me një duet në Kënga Magjike. Mateus Frroku dhe Xhesika Polo, të dy të këngëtar të zbuluar nga talente shoë-ut, X Factor dhe Ethet e së premtes Mbrëma, bashkohen të dy në një baladë pop rrok. Në një intervistë për suplementin THASH&THEM, Frroku flet për bashkëpunimin me Xhesikën si dhe pritshmëritë në këtë event muzikor. Kënga "Më shumë të dua" sipas tij, është një këngë shumë e sinqertë.

Na trego pak për këngën me të cilën je prezentuar tek "Kënga Magjike" në këtë edicion?

Kënga ka ardhur krejt rastësisht, nuk ka qenë diçka e planifikuar. Këtë këngë e kam dëgjuar në variantin demo në studion e mikut tim Elgit Doda dhe që prej atij momenti mendova të ringjitesha në skenën e "Këngës Magjike". Kisha krijuar një simpati shumë të madhe për Xhesika Polon tek ndiqja puntatat e "X Factor" në Tv Klan dhe menjëherë në mendjen time filloj të finalizohej i gjithë projekti. Kontaktova menjëherë me Xhesikën dhe të dy bashkë pasi e pëlqyem këngën, vendosëm të bashkohemi në këtë projekt.

Po përsa i përket bashkëpunëtorëve?

I gjithë produksioni është i Elgit Dodës, muzika, teksti dhe orekstrimi. Elgiti është një mik i vjetër i imi dhe unë pata shumë besim tek ai. Pasi ai i njeh shumë mirë mundësitë e mia vokale dhe isha i sigurt që do realizohej diçka e bukur. Meqë më jepet mundësia e falenderoj vërtetë shumë për gjithë përkushtimin dhe seriozitetin që ka treguar në këtë material.

Cfarë prisni nga ky event?

Të them të drejtën nuk eci kurrë me një strategji të përcaktuar në eventet ku marr pjesë, mundohem që aq sa kam në dorë, ta realizoj sa më mirë dhe të jem i plotësuar. Më pas jo shumë gjëra janë në dorën time është publiku ai që vendos, unë jam në pritje të vendimit të tij , kënga deri në momentin që po flasim është një këngë e pëlqyer dhe kjo më gëzon pa masë. Gjithashtu më jep të drejtën ti falenderoj të gjithë pa masë për vëmendjen dhe dashamirësinë që tregojnë ndaj meje.

Mendon se do i'a dalësh duke patur parasysh konkurrencën?

Unë të gjithë i shoh si miq, si kolegë dhe i respektoj për atë çfarë bëjnë në lidhje me muzikën. Gjithçka është një garë është bukur kur përplasen idetë mendimet mentalitetet dhe potencialet që ka gjithësecili në muzikë. Mua më pëlqen të jem në garë dhe me pjesën më të madhe të konkurentëve kam një marrëdhënie shoqërore, kështu që nuk besoj se ka arsye të ndihem në vështirësi mes tyre. Le të mundohemi të gjithë nga pak të tregojmë talentin dhe mundësitë tona. Të dhurojmë show.

Pse zgjodhët "Këngën Magjike" për tu prezantuar?

Sepse këtu ndihem shumë mirë. Më bën të ndihem ndryshe ky event dhe ndaj jam besnik i tij. Ndoshta dhe për faktin që në krye të tij është një emër si Ardit Gjebrea, njeri që jep gjithë fuqitë e tij në të mirë të këtij eventi. Mua më pëlqen të jem në një konkurs serioz ku njerëzit janë seriozë e të përkushtuar. Kjo më bën të jem edhe unë i vlerësuar.

Si ju ka pritur publiku në daljen tuaj e parë?

Si rrallë herë kam marrë mesazhe pafund në telefonin tim, telefonata pa fund dhe ajo që kuptova ishte se këtë herë kam qëlluar në shenjë. Kjo ishte një fjali që e lexoja shpesh në mesazhet e miqve të mi. Kjo gjë më gëzon, kam përshtypje se publiku do e pëlqejë këngën sepse ka një histori, është një këngë e punuar me shpirt. Mua më pëlqen shpesh herë të quaj "këngë e sinqertë".

Ka kohë që bëni muzikë live por jeni shumë pak i ekspozuar në media, cila është arsyeja e kësaj zgjedhje?

Kjo është e vërtetë por mendoj se ka një arsye, performancat e mia live me grupin janë shumë të shpeshta kjo për shkak të suksesit që kemi në këtë formë. Gjithashtu shkak është edhe se jemi të pranishëm 2-3 herë në Tiranë dhe jashtë saj me pulikun që pëlqen muzikën live, ndërsa eventet në televizion janë disi më rrallë. Ka dhe një arsye tjetër unë shpesh herë kam ndier mungesën e një materiali të mirë. Kjo e bënte pak të vështirë pjesëmarjen në një festival. Nëse jam i bindur që kënga vlen, atëherë vendos të jem i pranishëm në një event.

Cilët janë planet tua në të ardhmen?

Ende nuk jam shumë i sigurt të them të drejtën, jam në pritje të ecurisë që kënga do të ketë këtë vit në "Kënga Magjike". Por besoj dhe dëshiroj që në muajin janar do të prezantohem me një këngë të re, e cila do të shoqërohem me një klip.

Si po ecën jeta jote private, dimë që je në një lidhje, mendon se ka ardhur koha ta bësh publike?

Një pyetje surprizë për mua. Nuk më pëlqen të komentohem për jetën private pasi ajo është e tillë. Dua të diskutohem për këngët e mia për potencialet e mia në muzikë dhe për atë çfarë bëj në jetën artistike. Por megjithatë është e vërtetë që unë kam një marrëdhënie shumë pozitive me një vajzë nga Tirana, kjo më bën të jem i lumtur dhe i plotësuar. Është një lidhje që unë e dua dhe e respektoj gjithmonë.
(XHULIA KARAVELLA /Thash&Them)

Mateus Frroku: Sinqerisht E Them “Më Shumë Të Dua”