>
LETERSISHQIP

Të Flasësh Me Yjet

I vetëm në dritare rrin me orë
Me kokën e mbështetur i menduar,
Dhe sheh ngadalëz yjet natën vonë:
Të flihet e s'fle dot dhe pret i zgjuar.

Yjet të tregojnë lajme shpesh,
Për shembull, ato shohin nëpër botë:
Dikë tek një dritare që po pret,
Një tjetër që nga malli derdhën lotë

Dhe flet me yjet vetëm në mërzi,
Nga qielli përfiton pak ngushëllim.
Dhe mëndja të shkon larg tek një shtëpi,
Ku era fryn nga malet me trishtim.

Por ndjen nga lart një zë që të thërret:
Yjet janë, a mbase dikush tjetër?
Oh Zot!… - Ajo që natën po të pret
Vjen e të rrëmben si t’ishe letër.

Pastaj të dy si yje ikni larg
Lundroni përmbi qiej me vjet e shekuj...
Dhe ngrihesh në mëngjes me kokën lart
Mbi xhamin e dritares të mbështetur...