>
LETERSISHQIP

Metit, Poetit Te Gjakut Tim.

Tragjik në vargje dhe në jetë
S’ndryshohet fati, s’mundesh dot
Kalvar i dhimbjeve të vret
Venitet shpresa, pret më kot

Mallkimi qënka brenda nesh
Nga brenda gjakut derdh farmak
S’ka profeci ku mund te gjesh
Pse zhytet jeta në batak

Të vret nje qeshje e munguar
Një fjalë e ëmbël që nuk vjen
Gjithçka që vetë e ke krijuar
Te gjitha bota t’i rrëmben

Mbi ballë mendimi ulur rri
(Ç’dëborë është shkundur midis nesh!)
Në ç’fjalë, në ç’varg, në ç’poezi
Të të kërkoj kur të mos jesh?

A s’vijmë në jetë krejt të vetmuar
E mes rënkimesh derdhim lot?
Ç’portret fëmije mban në duar
Që pret të vijë e s’ardhka dot?!