>
LETERSISHQIP

Labja (Niviciotes M. Mala)

Pas çapit mushkës të shket këmba
(Ç’thëllëze s’ta ndjen e s’ta do gjurmën!)
Tek ngjit e shkel malet e rënda
Si dallgë që ngre e lëshon shkumën

Dhe zilen, tring e tring pa rreshtur
E fton me gaz një lehje stani
Rrugës që zbret e ngjitet heshtur
Nga larg vështrimin tret çobani

Në brez një furkë, si hënë e ngrënë
Shtëllungë e leshit zbardh si bora
Si lëmsh i fjalës së pa thënë
E dredh një bosht e të feks dora

Dhe tirret fill-shtëllungë e jetës
E thuret jeta-lëmsh i hidhur
Te goja kupë-nektar i bletës
Te gjuha-fjala rri e ‘lidhur’

Në drekë si burr’ tek syri shtrungës
(Ç’të mbyt aromë e trëndelinës!)
Mbi lulevedra ajkë e shkumës
Si mjalt i luleve të stinës

Më kot për Penelopën shkruan
Që thur e ç’thur një bluzë mbreti
Ti si shqiponja jetën ruan
Dhe brënda syrit lëviz deti!