>
LETERSISHQIP

Portret

Mbaj mënd veç ninullat e nënës
Por jo tim Atë, më la kërthi
Mbi djepin tim, trishtim i hënës
Pikonte lotët brenda këngës
Dhe s’gjeta prehje kurrsesi
Më grish nga larg portret i tij
Duart e ashpra nëpër flokë
M’i shkonte shpesh? S’e di o nënë!
Kur ecja zvarrë, kur ishim tok
Më mbante pranë, si djalë e shok
M’i puthte sytë, dhe çfarë ka thënë?
Por nëna dhimbjen mban ndër dhëmbë!
Si dorë e zgjatur mbi dritare
Trokiste lehtë një degë ulliri
Humbiste hëna përgjimtare
Dhe shfaqej prapë si lozonjare
Unë ende pres, dhe ndjej tek gjiri
Një zjarr që djeg, një mall prej biri
E zgjedh një shkëmb të sertë Dukati
T'a lë ashtu, apo t’a gdhend?
Dhe befas më rrëmben inati
Tamam si lumë që del nga shtrati
Kërkoj me ngulm portretin tënd
Jam thinjur, brenga po më çmënd!
Më shkund nga gjumi i mërguar
Një zë i largët më rrëmben
Nga Llogaraja zbret harbuar
Një re me breshër e ngarkuar
“Je lodhur kot dhe prapë s’e gjen
Është brenda teje, nuk e ndjen?”.