>
LETERSISHQIP

Baladë Për Hodo Nivicën

Si gjerdan mbi supe
Të mban Këndrevica
Vështron thellë në kohëra
Hodo bej-Nivica

Ja, përtej Delvinës
Paska rënë mavria
Plagët e Janinës
I lidh Çamëria

Nxijnë serasqerët
Shtigjeve me prita
Në ç’ferman dovleti
Fjalën e merr frika?

Zgjohet Kurveleshi
Supet shkundin malet
Se nuk sos rrebeshi
Gjaku s’mund të ndalet!

Dridhet Podgorica
Nën patkonj karvani
Mbrin Hodo Nivica
Skuqet jatagani

Deti të shkel syrin
Vjen e kafshon brigjet
I mbledh sokëllimat
Po nuk të përgjigjet

Ia numron Sulltanit
Ditët si tespie
Shemben pashallarët
Po Hodua nuk bie

Të qep vetëtima
Shajakun mbi supe
Plumbat-bam, ja bëjnë
E ti bëje tutje

Si nuk thinjet dheu
Që të mban mbërthyer
Të pret Labëria
Ende nuk je kthyer

Po ti, as në djepe
S’pate kohë të flije
Ç’gji të ‘Mëmëzonjës’
Nëpër flakë e pije?

Lotët që s’ta puthën
Syrin si fajkua
Po i nxjerr nga shpirti
Për dhimbjet e tua

Erdha që të çmallem…
Ç’nur të paska rënë!
Ndaj të ndjek pareshtur
Dhe të fut në këngë!
Podgoricë, Qershor 2016