>
LETERSISHQIP

Kënga E Shpirtit

O shpirti im, këtu ka tradhti.
Ti më gënjen kur thua që,
Jam ende i ri,
Se i ri ke mbetur
Vetëm ti, vetëm ti,
I fshehur tek unë për mrekulli.

Pak e nga pak
Po shndërrohem
Në plak, oh, unë i mjeri plak.
Kur me hile ma bën
Keq s’të vjen aspak?!

Kur më shikon që tretem si re
Dhimbje ti s’ke?!
Dhe të strehova
Me kaq përkushtim
Në trupin tim!

Një ditë pa të keq
Do më braktisësh
Në ajër do shndërrohesh,
I mjeri ç’do heq!
E qiejve do mbetesh
I panjohur, anonim,

Ty që të ushqeva
Me shpresën time,
Ty që të rrita
Me gjakun tim!

Do më lesh si zgavër
Pa gëzim e hare,
Do kthehem në pluhur,
Do shndërrohem në dhe,

Pak dhimbje nuk ke ?!
Pak dhimbje nuk ke?!