Tema: Poezi Për Shkollën

Kënga E Katërt: Ndërtimi

I bie arës mes-për-mes
e deri në brez
e përmbi brez
humbas
me gas
në grurin tim,
të Dheut tim,
të babës tim,
të birit tim:
sot e përjetë,
jetë pas jete!
Dhe ndje qysh flet
me zë të qetë
im-Atë vetë
nga balta poshtë:
Ta mbroni Dhenë
ku eshtrat kam
ku hi e tokë
e pluhur jam...
Ta mbroni Dhenë
që e yshqe
dhe sot si dje:
me kurmin tim...
Ta mbroni Dhenë,
me zjarr ta mbroni,
me gjak ta mbroni.
Të derdhni gjakun
me grushte plot
po kurrë lot,
as sot, as mot!...
Se loti është robëri,
Gjaku: Liri!
Jam eshtërmadh
e bojalli
e me japi,
si më sheh ti,
si më njeh ti.
Po kam një zemër
në gjoksin tim
që pa pushim
me rreh
si Drim.
Dhe Babën tim kur e kujtoj
Lotoj...
Të pashë të vrarë, or Baba,
e pa qefin si për hata,
rreth e përqark me xhanderma.
Desha të qaj e s'qava dot,
e të bërtas, s’bërtita dot,
pa asnjë lot, pa asnjë lot.
Dhe prita sot të derdh një lot

- poezi nga Mitrush Kuteli


Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  4.4 / Votuan:  39