>
LETERSISHQIP

Qerbelaja (Fragmenti I Kreut Të Tetëmbëdhjetë)

Diell’ ish’ duke përmbysur
dita ishte më të ngrysur
qiell i tër’ ishte nxirë
jeta ish’ bër’ errësirë
e vërteta ish’ drobitur
gënjeshtra ishte rritur.
Kështu dukej në të parë
dhe nga puna që kish’ ngjarë
mbretëronte Mavijeja
s’kish të bënte Fatimeja,
Imam Hysejni ish’ vrarë,
Jezitit i vinte mbarë,
kishte mundurë Syfjani
edhe Shimri e Mervani,
kishin mundur Perëndinë
edhe Muhamet Alinë.
Po kjo nuk ish’ e vërtetë
ishte nj’e rreme ndë jetë
Imam Hysejni fitonte
dh’e vërteta mbretëronte,
Imam Hysen’ ish’ nderuar,
Jeziti ishte shkretuar,
Hysejni mir nder për jetë,
Jeziti nëmën e shkretë,
Hysejni kish Perëndinë
e Jeziti djallëzinë.



Për Hysejnë përgjërohen
në dashuri afrohen
edhe sonte njerëzija
qajnë për ngjarjet e tija.
Jeziti me gjithë shokë
nëmënë kanë mbi kokë
dhe këtu dhe nd’atë jetë
dhe ndaj Zotit të Vërtetë.



Kush do Muhamet-Alinë
edhe beson Perëndinë
do Hasan e Fatimenë
dhe qan për Imam Hysenë
nuk bën jezitërinë
djallëzinë e ligësinë
se ata që janë vrarë
e ranë dëshmimëtarë
ranë për një të vërtetë
q’ajo na nderon në jetë.



Armikët e mallëkuar
s’e kishin kupëtuar
që ata zotërinjtë q’u vranë
e nderuan Qerbelanë.
Atje tek ra zoti ynë
edhe gjithë gjak e mbynë
vete edhe sot njerëzia
falet nër këmbët të tija.
O lule! Moj e vërtetë!
Të qofshim falë për jetë!
Zotërinj ju keni vuar
Neve na kini nderuar.



O vëllezrë shqipëtarë!
Pa qasuni duke qarë
dhe mbani zi këtë ditë
t’u xbresë nga Zoti dritë.
Pa kujtoni Qerbelanë
Gjithë zotërinjtë t’anë!



Me të lënë këtë jetë
Imami, zot i vërtetë
Shpirt i math vate te Zoti
Tek kish’ qenë edhe që moti...

DËRGOI: