>
LETERSISHQIP

Pjekur Malli

Ç’ më kish pjekur malli për një tavolinë,
Tavolinë shtruar avllisë në Kaninë…
Ç’më kish pjekur malli të dëgjoja këngë
Me marrës, me thyes, me iso të rëndë…
Ç’më kish marrë malli, të kërceja valle
Me bija, me mbesa, nuset si sorkadhe…
Oh, ç'më piku malli për fjalë mençurie
Pushoni,- flet gjyshi, fakte historie…
Ç’më kish djegur malli, tym e flak shtëpia
Shpejt, zonja përjashta, se po vjen krushqia..
Nostalgji e madhe në mes të avllisë
Ngjitur po, me tonën, sofër’e fëmijërisë…
Ngazëllyer shpirti nikoqirja flutur
Përparëses qëndisur lulen më të bukur…
Eh, po, ç’ma tret mallin,o moj tavolinë
Tejpërtej nishane, nder për oxhaklinë….
Pikëzim kristali faqes rrokullimë
Dehadehur gazi, ndezur në Kaninë!..

06.07.2021