Mbrëmje Me Hënë Të Re

Sonte do të marr dy brirët e kësaj hëne të re
Me ta do të bëj timonin e një biçiklete
Për të shëtitur në bulevardin e Udhës së Qumështit
Nuk është çudi që gjatë shëtitjes sime
Atje lart të takoj Federiko Garsia Lorkën
Hipur në vraçin e zi të natës
Të cilin e nget me shpore yjesh
Për të mbërritur sa më parë
Në Sierra Morena
Nuk është çudi që atje lart të takoj Sergej Esenin
Këtë Pan të shekullit të njëzetë
Midis fishkëllimave që lëshojnë lokomotivat e kometave
Ai vazhdon t’bjerë bririt të hënës
Në stacionet hekurudhore të qiellit
Atje lart do të takoj medoemos
Pablo Pikason
Toreadorin e madh të pikturës moderne
Që me shkopin magjik të frymëzimit të tij
Një timon biçiklete e shndërroi në kokë demi…
Këtë mbrëmje me hënë të re
Hapësirave derdhet mushti i artë
Nga Briri i Argjendtë i Vjeshtës.

- poezi nga Ndoc Papleka


Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  5 / Votuan:  1