>
LETERSISHQIP

Verë Dhe Trëndafila

Po sistemoja valixhen e vajzës kur ra zilja e derës.
-Egla, shko e hape ti,-i thashë asaj,duke uruar me vehte që të mos ishte ndonjë vizitë që do më bënte të humbisja kohë.
Egla zbriti shkallët dhe pas pak e dëgjova tek hyri me nxitim, gati duke e përplasur derën pas murit.
-Mami,shiko sa bukur!
Nxora kokën për të parë në kuzhinë. Ajo qëndronte e lumtur me një tufë të madhe trëndafilash në dorë. Një zbehje e lehtë më kaloi në fytyrë. Ndërsa një si mpirje më përshkoi gjymtyrët.
-Kush t’i dha këto lule?
-I solli luleshitësi që e ka dyqanin në qoshe të rrugës sonë. Është një porosi për ty, më tha… Shiko, sa bukur, mami. Janë 20 trëndafila të kuq. Aq sa numri i viteve që unë mbush sot. Vajza buzëqeshte e lumtur dhe vazhdonte t’i përkëdhelte me sy e me duar.
-T’i ka dërguar Enriku? - pyeta me shpresën se dyshimi im nuk do të vertetohej.
-Jo,moj mami.Këtu ka një biletë me urim, por emri i dërguesit mungon.
Ia rrëmbeva biletën nga dora. “Ai është”, thashë me vehte sapo pashë shkronjat e para. E njihja aq mirë atë kaligrafi. Ndjeva këmbët të më priteshin dhe dëshirën për t’u ulur. Iu afrova kolltukut, ndërsa përpija fjalët e shkruara në atë urim: “Gezuar 20-vjetorin! Një njëzetvjeçare është një
superfuqi. Shpresoj që mamaja jote të jetë kujtuar të të bëjë si dhuratë për këtë ditëlindjëudhëtimin në Paris, qytetin ideal të të dashuruarve“.
E vura biletën në tavolinën e vogël aty pranë. Me siguri isha zbehur edhe më shumë, pasi e ndjeja që po të mos isha ulur, do të kisha rënë.
-Egla, më bëj një kafe, të lutem…
-Mami, ç’pate? Nuk je mirë?
-Asgjë.Nje çikë lodhje…Do më kalojë.
-Nuk duhej ta kisha pranuar atë tufë me lule nga një i panjohur?
-Janë aq të bukur ata trëndafila sa është tepër e vështirë t’i refuzosh.
-Vërtet, mami. Dhe sa romantik është ai urimi…
- Ai gjithmonë ka ditur të bëjë colpo mbi 20 – vjeçaret. (Gati i thashë me zë këto fjalë). Ndaj fola aty për aty:
-Ma bëj kafenë, të lutem.
Ndërsa ajo po bënte kafenë unë po mendohesha se si t’ja hapja bisedën vajzës për t’i treguar rreth asaj pjese të jetës sime që ajo nuk e njihte. Deri tani e kisha konsideruar tepër të vogël për një bisedë të tillë. Por tashmë nuk ishte aq e vogël sa të mos e kuptonte që pas asaj tufe me lule fshihej një person, i cili kishte të bënte jo me atë, po me mamanë e saj. Ishte e pamundur t’i shmangesha më gjatë asaj bisede.
Nga ky preokupim më shpëtoi Enriku, i dashuri i Eglës që i ra ziles. Kishte ardhur bashkë me taksinë për të ikur në aeroport. Do të merrnin avionin për në Paris. E kisha prenotuar prej kohësh atë udhëtim, ishte realizimi i një premtimi të heshtur, që kisha bërë me vehten shumë vite më
parë.

* * *

Tek pija e vetme kafenë , ndjenja të përziera më pushtonin të tërën. Befasi, emocion, ankth, lumturi e heshtur, njëfare frike e paspjegueshme, kuriozitet. Madje edhe njëfarë inati i pashprehur për zhdukjen e tij misteriose. (Aq sa mund t’i mbaja inat atij).
Pra ai ishte ne qytetin tim. Do me thënë e kishte ndjekur në heshtje tërë jetën time, dinte gjithçka rreth meje e familjes sime edhe pse unë i kisha humbur gjurmët e tij që prej më shumë se 20 vjetësh, ose më saktë që kur mbarova studimet dhe fillova punë.
Kaligrafia e biletës me urimin, që kishte mbetur mbi tavolinë më ktheu në vitet më të bukura të rinisë sime. Fillova të sjell ndërmend sekuenca të asaj kohe. Isha studente e huaj në Itali. Sapo kisha kapërcyer të tetëmbëdhjetat. Një vajzë e shkujdesur dhe plot ëndrra, me buzëqeshjen e çiltër që nuk më hiqej kurrë nga buza, romantike në shpirt e me dëshirën për ta njohur e shijuar botën. Pikërisht ajo buzëqeshje më bëri të bija në “grackën” e tij. Ishte pasdite plot diell e unë po ecja poshtë portikëve që ishin aq të shumtë në qytetin ku studioja. Kisha mësuar se ndërtimi i portikëve lidhej me vërshimin e shumtë të studentëve në atë qytet. Studentët kërkonin shtëpi me qera e qytetarët kishin shtuar dhoma në apartamentet e tyre. Dhoma që vështronin mbi rrugë e që mbështeteshin në kolona portikësh. Qyteti kishte fituar një pamje të re me ndërtimin e tyre dhe rrugët kishin fituar më shumë gjallëri nga prania e studentëve që vinin nga shumë vende të botës. Atë pasdite unë ecja poshtë portikëve, duke vështruar skulpturat e basorelievet e bukura e buzëqeshja si gjithnjë, kur papritur vura re që përballë vinte një burrë, që gjithashtu
buzëqeshte. Pa më lënë kohë as ta mblidhja vehten, m’u ndal përpara e foli:
-Për mua është kjo buzëqeshje e aftë të ndryshojë ecurinë e ditës?
- Mos iu duket vehtja princi i kaltër, që të meritoni buzëqeshjen time? – i thashë pa u menduar gjatë e pa e shuar buzëqeshjen, por këtë radhë me pak ironi brenda.
- As princ e as i kaltër. Vetëm sytë i kam bojë qielli, por jo aq të kaltër e të bukur sa sytë tuaj.
- E ku konsiston ndryshimi që i bëra ditës suaj? – pyeta për të ndaluar furinë e komplimenteve të tij, megjithëse brenda vehtes po më pëlqenin.

- Po ja, isha duke menduar të shkoja i vetëm të merrja një aperitiv. Buzëqeshja juaj më tha që do të ishit një shoqëruese ideale për ta bërë magjike një pasdite aperitivi…
Nuk e di se sa vazhduam me këto shkëmbime batutash ndërsa kishim filluar të ecnim e si pakuptuar u gjenda brenda një lokali shumë elegant…
Lokali…Kjo fjalë më shkëputi nga kujtimet ku isha zhytur e tingëlloi si një këmbanë alarmi në trurin tim. Sytë më shkuan sërish tek bileta e urimit dhe tek trëndafilat e u ngrita nga vendi. Mendimet filluan të më vlonin. Nëse ai kishte ardhur në qytetin tim për të dhuruar ato lule me siguri do të ishte edhe për pak orë e pastaj do të zhdukej sërish… Një dëshirë e çmendur për t’u ndodhur ballë për ballë me të më bëri të lëvizja konfuze nëpër dhomë. Vura me nxitim tufën e trëndafilave në një vazo me ujë dhe ndjeva se instinktivisht i përkëdhela me gishta për një çast. U vesha shpejt e shpejt dhe, kur do të dilja, u kujtova të vija në trup diçka të veçantë. Nga kutia e arturinave nxora një palë vëthka me kristale të Swarovskit, që ai m’i kishte dhuruar gjatë një udhëtimi në Vienë.
Dhe zbrita me nxitim shkallët e dola në rrugë.

* * *

Mendimi i parë që më erdhi ndër mend ishte se në ç’lokal mund të gjendej ai në këto momente. Ishte pak a shumë ora e përshtatshme për aperitivin e pasdites. Me siguri do të ishte në ndonje bar të zgjedhur, duke shijuar “margartitën”, aperitivin e tij të preferuar, para se të shkonte pastaj në
ndonjë restorant për t’iu kushtuar verës. Ai e donte shumë verën. Sidomos të kuqen. Kur shkonim në ndonjë lokal, ai nuk kërkonte thjeshtë listën e verërave, por pyeste ku ndodhej kantina dhe shkonte e humbej për minuta të tëra deri sa zgjidhte verën që i pëlqente…
Dikur kishim ardhur bashkë në këtë qytet, buzë Detit të Ligureve, kur unë isha ende studente. Kishim frekuentuar dy- tre bare të këndshme…Mendova se diku në ndonjëren prej tyre duhej ta kërkoja. E ndala vrullin përpara atij që ishte më afër shtëpise sime. Më dukej sikur kisha hedhur
tej shumë vite të moshës dhe isha kthyer ajo çapkëneja e viteve te universitetit. Për çudi edhe këmbët i ndjeja më të lehta, ndërsa mendimet e kujtimet që më vërshonin nga tërë drejtimet dukej sikur do më shkallmonin trurin. Ashtu e vrullshme hyra në barin e parë dhe, pa e kuptuar se kisha
shkaktuar njëfarë habie tek të pranishmit,i hodha një vështrim të shpejtësallës. Ndonjë i njohur më përshëndeti, por unë as u përgjigja e fluturovajashtë, pasi bari m’u duk bosh. Ai nuk ishte. E njëjta gjë edhe tek i dyti.Edhe tek i treti. Pata qenë e sigurtë se në njërin prej tyre do ta gjeja, e
këtë siguri ma jepte natyra e tij nostalgjike që e nxiste shpesh të kthehej mbigjurmët e së kaluarës. Por ja që nuk ishte e vlefshme në këtë rast. Njëzhgënjim i lehtë sikur m’i preu krahët për të kërkuar më tej. Nuk ka asgjë më çarmatosëse për një femër se sa vetëdija që mund të jetë gabuar në intuitën e vet...
Si t’ia bëja? Të kthehesha në shtëpi? Të dorëzohesha kaq shpejt? “Ti je një femër me shumë grintë e kurrë nuk duhet të dorëzohesh”, më kishte mësuar ai dikur…Ai ka sjellë lulet, thashë me vete. Një tufë e njëllojtë trëndafilash të kuq, si ajo që më kishte dhuruar në 20 vjetorin e lindjes sime. Sikur i kishte blerë tek i njëjti shitës, tek i njëjti dyqan. Edhe konfeksioni ishte i njëllojtë, me të njëjtën fiongo të kuqe lidhur… Veçse atë tufën e dikurshme e shoqëronte një zarf , ku përveç urimeve ishin edhe dy bileta avioni për në Paris.
Ishte udhëtimi ynë i parë jashtë Italisë. Kurrë nuk isha ndjerë aq e lumtur si në ato ditë. Isha vetëm 20 vjeçe, por bota më dukej imja. Udhëtonim rrugëve të Parisit nga mëngjesi në darkë, duke vizituar monumentet e shumtë të saj. Luvri, Notre Damme, ngjitja në Kullën Eifel e mbi Harkun e
Triumfit, Champs Elysees, Tyjlëritë, Piazza Concorde, pallatet e Versajës, shëtitjet buzë Senës. Magjia na shoqëronte në çdo çast. Ai i kishte vizituar edhe më parë dhe bënte ciceronin. Por edhe nga natyra ai ishte një guidë turistike lëvizëse. Kishte një pasion të çmendur për udhëtimet e këtë pasion ta injektonte si pakuptuar e ti ndjeje dëshirën vetëm ta ndiqje nga pas. Papritur, të dielave i vinin në kokë ide të çuditshme. M’i binte telefonit për të dalë të pinim bashkë kafenë e mëngjesit dhe kur unë ulesha pranë tij në makinë thoshte:
E di ku do ta pimë sot kafenë? Në vend të përgjigjes unë e shikoja drejt në sy, se e dija që diçka bluante në kokë…E ai vazhdonte po vetë: Do ta pimë në Montecarlo…-Ti je i çmendur, -i thosha unë, - 600 km rrugë për të pirë kafenë e së dielës. Por ai nuk përgjigjej e ndërkohë makina kishte hyrë në autostradë. Unë ndjehesha thellësisht e dashuruar me të dhe kur ktheheshim në darkë në
hotelin tonë pranë kullës Eifel mundohesha t’ia tregoja këtë dashuri me të gjitha format e mundshme, edhe pse ndjehesha e lodhur përtej forcave të mia fizike. Por në moshën 20 vjeç energjitë të burojnë nga të tëra drejtimet dhe mjafton pak për të të bërë të shpërthesh si ajo lulja që sapo e ka puthur vesa e mëngjesit.Atij i pëlqente të më thonte me shaka “një njëzetvjeçare është një
superfuqi, aq më tepër kur është e dashuruar”. Por në këtë thënie kishte një të vërtetë të madhe. Cila femër e dashuruar nuk është ndjerë e gatshme të sfidojë edhe një superfuqi? Dashuria është ajo forcë që zgjon të tilla energji që nuk igjojnë as shumë tërmete apo vullkane të marrë sëbashku…
Shpejtësia me të cilën më vërshonin kujtimet ishte marramendëse dhe në njëfarë kuptimi kishin hyrë në unison me lëvizjen e këmbëve të mia. E kapa vehten gati duke vrapuar. Isha vënë nën alarmin e kohës që fluturonte, ndërsa unë nuk po e gjeja ende Atë. Vërtitesha rrugëve e parasysh kisha portretin e tij. Të njëzet e ca viteve me parë. Një këmbanë tjetër alarmi. Po nëse ai do më kalonte pranë në rrugë e unë të mos arrija ta njihja më? E pamundur. Kur e ke dashur aq shumë një njeri je e gatshme ta njohësh qoftë edhe përpara fosileve të tij. Ka gjurmë që koha nuk i fshin
dot.
Po kaloja nga një lokal në tjetrin. Nga një rrugë në tjetrën. Gjithnjë e më me nxitim, pavarësisht nga këmbët që kishin filluar të më dhimbnin. Përse kisha veshur këpucët me taka? “Sot vish këpucë komode”, më thoshte ai sa herë që do të bënim ndonjë udhëtim e dihej që do të bridhnim shumë
më këmbë. Po unë i doja takat. Për një femër, heqja dorë nga takat është njëfarë dorëheqjeje nga feminiliteti.
Siç thashë, kur e njoha sapo kisha kaluar të tetëmbëdhjetat dhe fillova jetën studenteske. Ai kishte më shumë se dyfishin e viteve të mia, por mua më tërhiqte ajo ana tepër rinore e mënyrës së tij të të sjellurit. Nuk e ndjeja asnjë çast diferencën e moshës me të e këtë e vinin ne dukje edhe shoqet
e mia kur qëllonte të ndodheshim në ambiente të përbashkëta. Delikatesa e vëmendja e tij në sjelljen ndaj femrave, por edhe ajo siguria që rrezatonte në vetvete, në ato që thoshte apo bënte, tërhiqte vëmendjen e moshatareve të mia e unë nganjëherë ndjehesha xheloze. Ai dinte të më bënte të ndjehesha e rëndësishme, e sigurtë dhe një gjë e tillë e bën zemrën e femrës të gufojë, të zmadhohet për të patur sa më shumë vend për të dashurin e saj. Mund të duket absurde, por nganjëherë kisha frikë se do ta humbja. E ky absurditet bëhet më i madh po të mendosh se që të dy e dinim që historia jonë ishte pa të ardhme. Por unë kisha rënë thellësisht në dashuri me të. Forcën e ndjenjës së tij e dija dhe në fillim mendoja se do të isha unë ajo që do ta drejtonte ecurinë e raportit tonë. Por shumë shpejt situata më doli jashtë kontrollit. Ato përkujdesjet e tij të përditshme, dhuratat e vogla që më bënte rast e pa rast, shetitjet me makinë nga një qytet në tjetrin ku ai me zbulonte thesaret e shumta kulturore e natyrore që kishte Italia, udhëtimet në Montecarlo, Lugano, Vienë, San Marino, Gjenova, Venezia, Portofino, Trieste, Firenze, siguria që më jepte edhe në momentet e mia më të pasigurta, më bënin që të dridhesha duke pritur arritjen e
tij tek unë pas kthimit nga puna. Mendimi i parë sapo hapja sytë në mëngjes ishte për të dhe i bija përnjëherësh telefonit. Dilja në pushim nga leksionet dhe e merrja në telefon. Kthehesha pas leksionit në shtëpi dhe rrugën e bëja duke qenë në telefon me të. Kur makina e tij arrinte përpara pallatit ku banoja, i zbrisja shkallët nga tre e nga katër përnjëherësh sa gati nuk thyeja qafën.
Orët e pasdites me të ishin momentet më të lumtura. Edhe ai ishte i lidhur tmerrësisht pas meje dhe i ndërmerrte aventurat me një lehtësi të çuditshme. Nuk donte t’ia dinte për lodhjen dhe ishte gati të bënte me mua pas punës kilometra të tëra rruge me makine për të pirë kafe apo për të ngrënë një darkë në një qytet apo pikë të bukur të Italisë. Rasti i kafesë në Montecarlo
ishte vetëm një nga episodet e shumtë. . . Kështu më mësoi të shijoja verën. Nuk e tepronim kurrë në të pirë, por e ndjeja se gjithnjë e më shumë më bëheshin të dashura momentet që kalonim bashkë me verëra të ndryshme. Bile mund të them momente të pazëvendësueshme. Largimet nga ai në periudha pushimesh, kur duhej të kthehesha tek prindërit e mi, më bëheshin tepër të dhimbshme. Aq sa njëherë pushimet m’u duken tepër të gjata, nuk durova më dhe ndërrova datën e biletës së avionit për t’u kthyer tek ai. Pranë tij ndjehesha edhe grua, edhe fëmijë. E ai dinte të më trajtonte në të dy aspektet. Kur shihte tek unë gruan më bënte dhurata që kishin shumë finesë, nuk mungonin kurrë trëndafilat e kuq, ishte i vëmendshëm ndaj të gjitha ekzigjencave të mia. E lumturia ime ishte e pakufishme. Pastaj në momentin e duhur zgjonte tek unë fëmijën (se vërtet fëmijë isha përpara tij). Më bënte dhurata për 1 Qershorin e unë qeshja e gëzohesha si vogëlushe. Më çonte në park e më lëkundëte mbi kolovajza e pastaj rrokulliseshim tok si të vegjëlit në bar. Herë-herë nxirrte nga xhepi një grusht qindarka që e besdisnin në xhep e m’i lëshonte në dorë duke më thënë: Pi ndonjë kafe me këto në makinat automatike të universitetit. Unë prapë qeshja, por kur të nesërmen shkoja të merrja kafenë mendimi më vinte tek ai dhe e merrja në telefon. Kështu
më dukej sikur e pinim kafenë tok. Mos ishte një truk i menduar kjo puna e qindarkave?
Por përpara kësaj fëmije ai herë – herë dinte të ishte edhe disi i rreptë. Unë i kisha prindërit larg, askush nuk më kontrollonte në studimet e mia, në organizimin e kohës. E këtë, si pa u vënë re, e bënte ai. Nuk lejonte që 18 – vjeçarja e dashuruar të linte pas dore detyrën e saj kryesore, studimet,
për hir të asaj historie dashurie. Kërkonte shumë nga unë e nuk bënte kurrë lëshime. Nuk vinte të më merrte për të dalë në darkë, nëse unë nuk i kisha studiuar deri në perfeksion ato që duhej të studioja për atë ditë. Donte rezultate të larta në provime e më thonte se ndjehej krenar pas çdo note
maksimale që unë merrja në provim. Pa kuptuar kjo rriti tek unë autostimën e kërkesat e mia ndaj vehtes bëheshin gjithnjë e më të mëdha. Veç kësaj, kultivoi akoma më shumë tek unë dashurinë për librin artistik, duke më rekomanduar libra e autorë të shquar, më ngjalli dashurinë për artet figurative e arkitekturën duke më shpënë në muzetë më të rëndësishëm të artit, dashurinë për baletin e për muzikën lirike. Me të pashë operan “Turandot” në teatrin Arena të Veronës, bashkë shijuam operat “Norma”, “Traviata”, “Carmen” e plot të tjera. Aq sa kur mbarova studimet unë isha krejtësisht një tjetër krijesë, një krijesë e modeluar me përkujdesje prej tij. Historia e dashurisë me të ishte akademia e vërtetë përkrah universitetit ku studioja.

* * *

Nuk e di sa lokale e rrugë kisha kaluar duke e kërkuar. Ndjeva nevojën e një kafeje dhe në barin më të parë u ula. U ndjeva e vetmuar. Këto 3-4 orë që po bridhja më dukej se kisha qenë krahpërkrah me të, kaq intensive ishin kujtimet. Por kur u ula nuk e kisha pranë. E një trishtim i lehtë më pushtoi.
Mos kishte ikur? Vallë ishte dukur vetëm sa për të dhuruar trëndafilat sime bije e për të më thënë indirekt që ekzistoja ende brenda tij? E pamundur. Të paktën për aq sa e njihja unë, nuk do më plagoste kurrë në një mënyrë të tillë...Kur studimet e mia po i afroheshin fundit ne ishim të lidhur më shumë se kurrë me njëri - tjetrin. Por kishim vendosur që me marrjen e laurës nga ana ime, historia jonë do të mbyllej. Me dhimbje, por nuk kishte alternativë tjetër. Aty kam kuptuar se çfarë kurajoje i duhet një zemre të dashuruar për të marrë vendime të tilla. Ai ma kishte thënë me pak fjalë: Pikërisht pse të dua kaq shumë do të të le të lirë në rrugën tënde të jetës... Tek i shikoja sytë e
tij në momentin e këtyre fjalëve e ndjeja tsunamin që përballonte shpirti i tij... Një ditë vendosëm të bënim një provë shkëputjeje nga njëri - tjetri për atë kohë. Kështu do ta kishim më të lehtë ndarjen përfundimtare. Për momentin nuk e bëra vehten. Por kur shkova në shtëpi u zhyta në lotë. Më dukej sikur nga çasti në çast pallati do të shembej e do të kthehej në gërmadhë. Mbase po të ndodhte vërtet kjo do më jepte një lehtësim. Kisha provim pas ca ditësh. Duhej të ulesha të studioja patjetër. Por ishte e pamundur në gjendjen që isha. Për herë të parë e gjykova keq. Përse duhej zgjedhur pikërisht ky moment për një provë të tillë?
Pas nja dy orësh, kur lotët gati me ishin mbaruar, ra telefoni.Ishte ai. Po ne sikur kishim vendosur që edhe në telefon të mos flisnim...E mora me vrap telefonin. Asnjëherë nuk e kisha dashuruar këtë mjet të teknologjisë moderne sa në atë moment. U përgjigja me gjysmë zëri.
-Prova kaloi me sukses, - tha ai dhe shpërtheu e qeshura e tij aq e dashur për mua.
-Ku je ti? - e pyeta sa për të thënë diçka.
-Në makinë, poshtë shtëpisë tënde, duke të pritur.
-Sa i çmendur që je…
I zbrita shkallët sërish nga tre e nga katër. Këtë radhe rrezikova vërtet të bija. Se lotët, këtë radhë lotë gëzimi, m’i kishin veshur sytë e nuk shikoja thuajse asgjë. Iu hodha në qafë sapo hyra në makinë e nisëm të putheshim me zjarr pa pyetur se në trotuarin përbri kalonin njerëz. Shkuam për darkë jashtë e atë natë kemi bërë dashuri për orë e orë, sikur donim të nxirrnim inatin me lojën e marrë të ndarjes që na kishte shkuar nëpër mend.

* * *

U ngrita si me përtim nga bari. Po vinte mbrëmja dhe shpresat e mia për ta ritakuar po veniteshin. Po mendohesha se në ç’vende të tjera mund ta kërkoja, por hapat po bëheshin gjithnjë e më të dembelosur. Fillova të shikoja vitrinat e ndriçuara të dyqaneve. Pranë vitrinës së një dyqani ari nuk di pse u ndala instinktivisht. Aty ishte një varëse e bukur, me një gur diamanti që reflektonte nga ndriçimi me mjeshtëri i vitrinës. Ajo më kujtoi një nga ditët në prag të laurës sime. Ai kishte ditë që ishte bërë si më i heshtur dhe në sytë e tij dalloja një tis trishtimi që nuk e kisha parë kurrë më parë. Historisë sonë po i afrohej fundi. Edhe unë kisha filluar ta ndjeja, por fakti që pas disa
ditësh kisha provimin e fundit si studente ma largonte disi mendjen. Ndodheshim përpara një argjendarie kur ai më pyeti:
-Çfarë dëshiron të të dhuroj për laurën tënde?
-Që kur ka filluar të të mungojë fantazia? Ti nuk ke marrë kurrë mendimin tim për dhuratat dhe gjithnjë më ke befasuar me zgjedhjen,- i thashë.
-Mendova se në këtë rast ishte e nevojshme, - shtoi ai.
Unë kisha hedhur vështrimin nga vitrina. Një varëse e bukur me gur diamanti ishte ajo që tërhiqte vëmendjen më shumë se çdo gjë tjetër.
-Ja, këtë varësen këtu dua, -i thashë me të qeshur.
-Ai e vështroi, pa çmimin, i rrudhi pak sytë dhe tha:
-Mos u tall. Ti e shikon që ajo nuk është për xhepat tanë.
Unë qesha dhe e tërhoqa për krahu që të vazhdonim xhiron. Natyrisht që nuk pretendoja një dhuratë të tillë, edhe pse, të jem e sinqertë, për një të dhjetën e sekondës, nuk di pse e vura në dyshim bujarinë që ishte tipar i padiskutueshëm i ekzistencës së tij. Por qe një episod që nuk i dhashë kurrë rëndësi. U kujtova për të vetëm disa muaj më vonë kur një mikja ime juriste e studios ku bëja praktikën pasuniversitare deshte të blinte një varëse të kushtueshme dhe unë i thashë se dija një dyqan ku ishte një varëse e mrekullueshme. Kur vajtëm atje, pamë që nuk ishte. Me siguri ndonje tjetër femër me fat tani e mbante në qafë.

* * *

Pas festës se laurës sime, ai u zhduk si ta kishte përpirë deti. Asnjë darkë lamtumire, asnjë telefonatë, asnjë mesazh. Me siguri kishte zgjedhur këtë ndarje drastike për ta vuajtur intensivisht por për më pak kohë. Unë e dija që qëndrimi i mëtejshëm në kontakt me mua, qoftë edhe miqësisht, do ta bënte të vuante. Askush nuk do ta falte një largim të tillë, por unë e kuptoja. Dhe e fala edhe pse vuaja tmerrësisht brenda vetes. Por nga ana tjeter isha e vetëdijshme që tani duhej të merrja në dorë jetën time dhe çupka çapkëne studente me aventurën e saj (edhe pse të bukur) duhej lënë prapa krahëve. Tashmë unë isha gruaja, që ai vetë kishte skalitur, për ta lënë të lirë, të sigurtë e
të përgatitur në rrugën e jetës. Më emëruan avokate në një qytet tjetër. Provova t’i bija telefonit të tij sa për t’i thënë që tashmë ndarjen tonë e bënte fakt të kryer distanca, por e kishte ndërruar numrin. Në fakt me këtë distancën po ja fusja kot, sepse brenda meje e dija që për të distancat gjeografike nuk ekzistonin.
Jeta ime në qytetin e ri pati rrjedhën e zakonshme. Puna e përditshme, martesa me një koleg, nga e cila erdhi në jetë Egla, sistemimi në shtëpinë e re, karriera. Në qytet u bëra e njohur për aftësitë profesionale dhe klientela e studios sime rritej vazhdimisht, bashkë me fitimet. Mund të them se
isha një grua që nga të gjithë konsiderohesha e lumtur. Deri ditën që bashkëshorti im humbi jetën në një aksident automobilistik. Kësisoj mbeta vetëm me vajzën, e vetmja kënaqësi e imja, si dhe karrierën që ecte mirë e më mirë.

* * *

E lodhur nga ecja e nga kujtimet dhe e bindur tashmë që ai kishte ikur për të mos më takuar, duke u mjaftuar në atë gjest kalorësie ndaj vajzës sime, i ndala këmbët tek bari pranë gjykatës, ku pinim zakonisht kafe apo aperitive me kolegët në pushimet mes seancave gjyqësore. Doja të merrja një
aperitiv. Kërkoja diçka të fortë ndaj i thashë baristit të më përgatiste një “Margarita”… Zgjedhje e çuditshme… Ky ishte aperitivi i preferuar i atij.
Në sallën e barit kishte njerëz. Fytyra të njohura për mua. Të tërë burra. Midis tyre kishte edhe nga ata që pasi kisha mbetur e ve, në një mënyrë ose tjetër më ishin vardisur, duke shprehur dëshirën për të patur ndonjë relacion me mua. Por nuk ua kisha varur. Edhe pse në prag të të pesëdhjetave, më konsideronin ende një grua të bukur e tërheqëse dhe ma shprehnin këtë shpesh herë haptazi, por unë i isha kushtuar vajzës dhe karrierës. Midis tyre ishte një kolegu im, më tej drejtori i një banke të njohur, pastaj pronari i ndërmarrjes më të madhe të qumështit që e kisha ndihmuar të dilte i padënuar nga disa skandale financiare e të tjerë. Tek po i përshëndesja shkarazi të njohurit, sytë më vajtën në një tavolinë në fund të sallës. Një burrë i moshuar, i kërrusur ca nga vitet, po pinte verë. Lëvizja që bëri për të marrë gotën më shpoi si harku i një vetëtime. Më ishte shumë familjare ajo lëvizje. Po ashtu edhe mënyra e mbajtjes së gotës. Burri ishte në profil, por e njoha… Ishte ai… Dhe kishte ardhur pikërisht në lokalin që nuk do të ma kishte prerë mendja kurrë…Si
gjithnjë, i paparashikueshëm në lëvizjet e tij…Ndjeva zemrën të më ngjitej në fyt, si atëherë kur dëgjoja makinën e tij të ndalonte poshtë dritares sime. E vështrova për ca çaste. Vitet kishin punuar pa mëshirë mbi të. Apo i kishte lënë ai vitet të punonin ashtu? Flokët i kishin rënë thuajse fare, supet i ishin kërrusur. Rrudhat të jepnin më shumë përshtypjen e një skulpture të drunjtë se
sa të një fytyre njerëzore…Vetëm lëvizjet e tij ishin të sigurta e dukej se ishin pikërisht ato që e mbanin ende të lidhur me jetën e këtejme. Kjo dukej edhe në ngritjen e gotës me verë, që e bënte me të njëjtën hijeshi si në kohën e viteve të mia studenteske.
Baristi më pa që po e vështroja dhe më tha:
-Nuk e di kush është. Ka disa orë këtu dhe është e dyta shishe me verë që po boshatis. Kam frikë se dehet e pastaj kush merret me të.
-Mos ja ki merakun, - ju përgjigja.
-E njihni ju?
-Kam përshtypjen se dikur e kam njohur thashë me zë një çikë të lartë dhe fillova të lëviz me gotën e aperitivit në dorë për të tërhequr vëmendjen e tij. Por ai rrinte i palëvizur ne pozicionin e tij, pa e tradhëtuar vehten, me një indiferencë sikur ambienti përreth nuk kishte të bënte fare me
të. Asnjë reagim ndaj zërit apo lëvizjeve të mia. Nuk më kishte vënë re, apo nuk më kishte njohur? Ose thjeshtë donte të rrinte i zhytur në anonimatin e tij për të mos më dhënë njohje? Atëherë përse kishte ardhur deri këtu? Me siguri e dinte që ky ishte lokali që unë frekuentoja më shpesh.E ngrita aperitivin me fund dhe i thashë baristit të më mbushte një gotë verë “Amarone” të Valpolicelles. Ishte e njëjta markë vere që Ai kishte në tavolinë.
-Do ju bëjë dëm pas aperitivit që morët më parë. Kjo përzierje është një bombë alkolike, - tha ai.
- Mos ma qaj hallin. Dikur pija edhe dy shishe të tilla vere me një mikun tim e nuk dehesha, - thashë me zë akoma më të lartë, duke vështruar ngultas nga tavolina në fund të sallës. Një gjest i lehtë nervozizmi, që vetëm sytë e mi mund ta kapnin, tradhëtoi palëvizshmërinë e tij.
Adhuruesit e mi po më vështronin si me mosbesim. Nuk mund t’i besonin kësaj kapriçioje të beftë nga ana ime. Drejtori i bankës bile filloi ta lëngëzonte vështrimin e tij, si në momentet kur thuajse hapur më ftonte të shkoja në krevat me të. E ngrita gotën e verës me fund dhe e përplasa me zhurmë në banak.
-Më mbush një tjetër, - i thashë baristit.
Të pranishmit hapën sytë dhe vështruan një herë nga unë e pastaj nga Ai. Burri në fund rrinte i braktisur në palëvizshmërinë e tij dhe bënte sikur nuk kuptonte që po kërkonin t’i tërhiqnin vëmendjen. Bëri atë lëvizjen e tij të njohur dhe piu një gllënjkë verë.
Kjo indiferencë e shtirë nga ana e tij po niste të më nervozonte. Vera nga ana e saj po m’i ndizte damarët. Adhuruesit e mi m’u afruan dhe filluan të më bënin komplimente shkoqur edhe për aftësinë time në të pirë.
-Mbushua nga një gotë nga ana ime edhe këtyre miqve,- i thashë baristit, i cili po më shikonte me sy gati të shqyer.
-Hë more, ç’pret? Dua të dehem sonte. Vajza ime mbushi njëzet vjet,-thashë me zërin që po e humbiste sigurinë e vet. Sërish një shenjë nervozizmi e maskuar tek tavolina në fund të sallës.
Kur po boshatisja gotën e tretë më erdhi në kokë një ide e çmendur, të bëja një lojë…
-Bile e dini? Për ta bërë më të plotë festën sonte, do ta kaloj natën me atë që do më ofrojë surprizën më të këndshme, - u thashë adhuruesve të mi të pështirë. Gjesti i nervozizmit në tavolinën e fundit u bë më i dukshëm, madje diçka nga tavolina u rrëzua për tokë. Baristi u mat të shkonte atje, por
unë i bëra shenjë ta linte të qetë burrin e panjohur.
-Të paska hipur të tallesh me ne sonte,- më tha kolegu im.
-Përse nuk e beson se më ka hipur të bej qejf ? A nuk kam të drejtë? Fundja grua e ve jam.
Ata vështronin njëri-tjetrin me mosbesim. Baristi erdhi të ma hiqte gotën nga dora, por unë e tërhoqa me forcë nga vetja dhe iu fola sërish atyre:
-A nuk jeni ju që në një mënyrë apo në një tjetër më keni lënë të kuptoj se më deshironi? Ja pra ku jam. Ju erdhi rasti në derë. Jepini pak liri fantazisë suaj. Apo jeni kavalierë vetëm në komplimentat e lëshuara pa doganë?…
Sa të neveritshëm dhe budallenj janë një pjesë e mirë e meshkujve. E sa të paktë janë ata që arrijnë ta kuptojnë vërtet femrën. Ata e morën lojën time për të vërtetë e në çast filloi të lulëzonte tek ata ajo pjesë e karakterit që ishte pervertiteti.
I pari u afrua drejtori i fabrikës së madhe të qumështit.
- Dy javë në jahtin tim privat në Mauritius,- tha ai me një zë që nuk kaloi
pa u dëgjuar nga të tjerët.
- Nuk është keq, si fillim,- iu përgjigja pa e vështruar.
- Një vilë në Sardenjë, - tha drejtori i bankës.
- E kam një shtëpi. Por për pushime në Sardenjë edhe mund të tundohem..
Ata i dhanë rrugë fantazisë e unë zbavitesha duke e ditur që thjeshtë po luaja me ata njerez të neveritshëm që kurrë nuk i kisha vështruar si meshkuj.
Tek tavolina në fund të sallës vura re një lëvizje dhe ndjeva diçka që kërciti me zhurmë të lehtë mbi syprinën e saj. Unë vajta atje ngadalë me gotën në dorë. Kur u afrova, vura re se Ai kishte vënë pa fjalë mbi tavolinë një grusht me qindarka. …O vite të bukura të rinisë. Si m’u mblodhët ashtu befas
në atë grusht qindarkash?
Ai nuk ishte më ajo qenia që i ngjante skupturës prej druri, por miku i shtrenjtë i viteve më të bukura të jetës sime. Ai nuk kishte nxjerrë asnjë fjalë nga goja. E megjithatë kishte folur ashtu siç dinte të fliste vetëm ai.
Gati e përlotur e me zërin që më dridhej u ktheva nga adhuruesit
e pështirosur dhe fola:
-Ky zotëria këtu, me këtë grusht qindarkash, më ka ofruar atë qe nuk mund të ma ofrojë askush nga ju, madje as vetë banka Goldman Saks, më ka rikthyer rininë time…
-Ju thashë që po tallet, - foli kolegu im dhe mori i pari rrugën për të dalë në gjendje të nervozuar nga bari.
- Këtë nuk ta kishim borxh, -tha drejtori i bankës.
- Desha thjeshtë t’iu tregoja se sa më njihni, - ishin fjalët e mia të përcjelljes.
U afrova tek tavolina, pasi kisha paguar llogarinë në banak. Ai u ngrit dhe më ndoqi pa fjalë.

* * *

Mos prisni t’ju përshkruaj si qe ajo natë. Dua ta ruaj me xhelozi në kujtesën time siç kam ruajtur edhe plot gjëra të tjera që s’jua kam thënë gjatë këtij rrëfimi e për të cilat ju mund të keni patur edhe pyetje. Por rrëfimin po e bëj unë. Mund t’ju them vetëm kaq: qe nata më intensive e jetës
sime.

* * *

Kur erdhi mëngjesi u gjenda vetëm në krevat. S’e prisja këtë. Por në këto vite ai ishte bërë mjeshtër i zhdukjeve të papritura. Megjithatë kishte mbetur siç kishte qenë, mjeshtër i surprizave. Mbi komodinën time, tek koka e krevatit ishte një pusullë me shënimin: “Lamtumirë, e dashur. Këtë herë përgjithmonë”. Mbi të një trëndafil i kuq si gjaku. Dhe ajo varësja e bukur me gurin e diamantit…
Me një ndjenjë boshllëku dhe ankthi u përgatita për të vajtur në punë. E vura në qafë edhe varësen e re, sikur do të shkoja në ndonjë moment të rëndësishëm. Pa e kuptuar pse, mora në dorë edh trëndafilin. Ajo natë e kaluar kishte qenë për mua një nga momentet më të rëndësishme. Përpara shtëpisë ku banoja ishte një park i bukur publik. Zakonisht kaloja përmes tij për të shkuar në studio. Diku nga mezi i parkut, pashë një grup njerëzish të grumbulluar rreth një stoli. Kishte ardhur edhe një ambulancë. U afrova me kureshtje e papritur një lëmsh m’u mblodh në grykë.
-Jam juriste,-u thashë njerëzve rreth stolit dhe ata më hapën udhë. Mbi stol ishte Ai. I ngrirë, pa jetë. Një nur gati hyjnor i kishte rënë në fytyrë, si për t’i kthyer diçka nga rinia e tij. Dhe ajo buzëqeshja që ja kisha parë vetëm në momentet më të lumtura të tij. Dikush i kishte hedhur një
trëndafil të kuq që i ishte ndalur mbi gjoks. Pa fjalë e duke përmbajtur lotët që ishin gati të më vërshonin nga tërë poret, vura edhe trëndafilin që kisha në dorë.
- Avokate, nuk e dimë kush është. E kontrolluam, por nuk ka asnjë dokument me vehte, -më tha një polic që po merrej me procedurën e çastit. Nuk thashë asnjë fjalë. E ç’duheshin fjalët kur ishte dhimbja ajo që sundonte çdo qelizë të qenies sime. Përse duhej të thoja që e njihja? Pas mbarimit të historisë sonë, ai ishte tërhequr në anonimatin e tij e me atë anonimat po ikte nga kjo botë pas një nate të lumtur. Një zgjedhje që duhej respektuar. Aty ai më dha mësimin e fundit që mund të më jepte: Ka netë që vlejnë sa një jetë.

Më shumë nga Ndue Lazri