>
LETERSISHQIP

Të Pash Kosovë

Të pash të shikova n’sy
të pash të pash Kosovë ty
t’i pashë kullat n’Drenicë
shaminë e gjakosur tek e laje n’Bistricë.
T’i pash varret në çdo anë
ta pash tokën, dheun gjakun tënd
t’i pashë themelet, gurët n’histori
të pash Kosovë-të pash ty.
T’i pashë lulëkuqet çelur mbi tokë
t’i pash plisat, ah ishin pa kokë
t’i pashë lisat e njomë të djegur
të pash Kosovë të pash ty pa emër.
T’i pashë ëndërrat e fëmijëve n’djepa
t’i pashë shqipet n’fole-n’kreshta
t’i pashë n’bjeshkë lart n’malësi
të pash Kosovë të pash ty.
T’i pashë fshatrat larë me gjak
ta pash ballin ngritur lart
ta pash flamurin gjakosur
të pash Kosovë të pash ty.
T’ipashë dimrat mbushur me borë
t’i pashë varret, varret me dëshmorë
t’i pashë trimat që t’i futën thellë në gji.
Të pash Kosovë të pash ty
të pash borën shkrirë e tretë
t’i pashë këngët t’buzëqeshura n’pranverë
t’i pashë lulet të lara në shi
të pash Kosovë të pash ty.