>
LETERSISHQIP

Heu, Kosovë

Heu Kosovë çerdhe e lashtë
një vdekje,
tokë Ilire
Drenicë ti fole martire.

Heu, Kosovë lulëkuqe n’kullë
e përgjakur me flamur,
fole n’shkrepa
s’të lanë të vdisësh Shota e Azem Bejta.

Heu, Kosovë djep prej druri
në ty u përkund Bajram Curri
ti shqipe mali,
me gjak t’ujiti Adem Jashari.

Heu, Kosovë kështjellë e vjetër
sa herë t’është nxirë oxhaku,
kurorë të thurrën ditët nga gjaku.

Heu, Kosovë ti djep plak
kur s’u dridhe u lave me gjak,
që ndjell lot guri
kur për tok s’të ra flamuri.

Kosovë ti Kosovë nënë e madhe
Kosovë e mbuluar me varre,
manushaqe prilli
Kosovë, Kosovë ti lule Dugagjini.

Heu, Kosovë ti e lashta tokë
gjithmonë u rrite në barot,
sa herë që të mbuloj errësira
t’i ndezë qirinjtë Hasan Prishtina.

Heu, Kosovë rritur n’histori
e përgjakur n’luftëra gjithkund për liri,
mbushur mbushur me plagë
e ruajtur shekuj shekuj me radhë.

Heu, Kosovë ti loke fisnike
shumë pranvera n’kullë i prite,
kala mur mbi mur
themelet askush smundi për t’i shkulë.

Heu, Kosovë korbat s’të lanë qetë të flesh
të dhanë plagë të plagosën shpesh,
dëshmorët të qofshin lavdi
që me varre të stolisën lirinë.

Heu, Kosovë sa herë thirre ti n’kushtrim
n’ballë t’oxhakut të doli nga një trim,
për ty udha besa-besë
i gjallë pa ty Kosovë askush s’deshi të mbesë.