>
LETERSISHQIP

Magjistaret

Në pasqyra hëne
shoh detin,
lugetërit e natës
përloten.
Ndër flakë mëkatesh
kalojnë pa u djegur,
minutat dhe orët.

Pylli i natës
ende i pashkelur,
shtegu prush e zjarr.
Këmbëzbathura për udhë
po shkojnë magjistaret,
drejt agimit që zbardh.

Në terrin e netëve
një reliev me hije,
ku shuhet epshi i ëndrrave.
Magjistaret këmbëzbathura
vënë duart në zjarr,
para se agimi të hapë zemrat.

Sa shpejt t’u zbardhën flokët

Sa shpejt t’u zbardhën flokët!
Mjaftoi një ditë dimri në maj,
ca baltë e hedhur te fytyra jote,
shpifjet nën zë,
mjaftoi
urrejtja e njerëzve të pazemër,
helmi që përhapet me fjalë,
kurthi
që zë në grackë çdo femër,
dhe ja, dolën flokët e bardhë!

Por ti në pranverën e moshës,
laje fytyrën
me ujin që heq baltë,
mblidh lule
për njerëzit që të duan,
dhe shihe veten
në një pasqyrë të kristaltë!

Për të keqen
mjafton veç një ditë,
për të mirën një jetë e tërë,
por balta që kishe ti ndër flokë,
fatmirësisht nuk të kishte zënë!

Erdhe në stinën e moshës,
me një plagë të fshehur në zemër.
Ia dole të fitosh mbi ligësitë,
mbi cmirë-urrejtjen
e njerëzve të paemër.