>
BIOSHQIP

Besniku, Mesazh Fansave Mbi Akuzat Ndaj Tij

04-06-2012
Këngëtari i NRG Band Besnik Çaka, i akuzuar nga Prokuroria e Qarkut në Prishtinë për kryerje të veprës penale të keqpërdorimit seksual të një femre nën moshën 16 vjeçare, mohon në tërësi akuzat ndaj tij.
Në një prononcim për Gazeta Jeta në Kosovë, Çaka thotë se është i pafajshëm.

Sipas Çakës, viktima është deklaruar në seancë se heq dorë nga ndjekja penale ndaj tij. Bazuar në këtë, ai beson se prokurori i këtij rasti nuk do ta shtyjë më tej akuzën.

"Mendoj që prokurori do ta tërheqë aktakuzën ndaj meje ngase jam i pafajshëm", tha Çaka.

"Të mërkurën jam paraqitur në ora 10 në gjykatë, ku unë e kam dëshmuar se jam i pafajshëm", ka thënë Besnik Çaka.

"Në ndërkohë prokurori na ka njoftuar për një seancë të jashtëzakonshme, ku do të paraqitej e dëmtuara. Në këtë seancë, unë së bashku me avokatët e mi, kemi marrë pjesë dhe e dëmtuara ka deklaruar se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale ndaj meje", ka thënë ai.

Këngëtari tha se nëse megjithatë aktakuza konfirmohet, ai do të jetë i përkushtuar që t'i shkojë deri në fund gjetjes së të vërtetës që thotë se është në anën e tij.

Çaka mohon mundësinë që me këtë vajzë (viktimën e rastit) të ketë qëndruar në një hotel, ashtu siç figuron në aktakuzë.

"Unë nuk kam të bëjë me hotele, krejt akuza është e ndërtuar në bazë të disa deklaratave të cilat disa herë janë ndërruar", ka thënë ai, duke shtuar se ky rast nuk ka fare të bëjë me të.

Përveç kësaj, Besnik Çaka, ka publikuar edhe një video, ku falënderon fansat për mbështetej që i kanë dhënë atij në këto momente të vështira për të, dhe familjen e tij.
(Telegrafi)