>
BIOSHQIP

Olta Boka: Kam Qenë Gjermane Me Djemtë

25-01-2012
Zëri i saj ka qenë zëri i Shqipërisë në Festivalin Europian të Këngës. Është një nga këngëtaret më të mira të skenës sonë dhe prej kohësh është një ndër më të kërkuarat prej menaxherëve të lokaleve. Ajo është Olta Boka, këngëtarja simpatike, së cilës iu desh të përballej me një sfidë të madhe si "Eurovizioni" kur ishte fare e re, në vitin e dytë të gjimnazit.

Pikërisht për këtë të fundit, ajo është rrëfyer gjithë nostalgji në këto faqe të së mërkurës për "Gazeta Shqiptare". Ka ndryshuar 2 shkolla dhe prej të dyjave ka kujtime të paharrueshme. Arritjet e saj kanë qenë gjithmonë të lavdërueshme jo vetëm mbi skenë, por edhe në bankat e shkollës dhe për këtë nuk ka ndikuar fare fama. Marrëdhëniet me djemtë që e ngacmonin s'i ka pasur shumë mirë, por për më shumë po ju lëmë të lexoni atë që vetë Olta ka thënë…
Do flasim pak për periudhën e gjimnazit, si e kujtoni këtë kohë?
Mund të them se ka qenë një periudhë e bukur në jetën time. Në fakt gjimnazi im ka qenë i ndarë në dy pjesë. Dy vitet e para i kam ndjekur në gjimnazin "Sami Fra-shëri", ndërsa vitin e tretë dhe të katërt në gjimnazin jo publik "Faik Konica". Mund të them që në 2 vitet e para kam qenë paksa ekstremiste. Gjatë vitit të parë sidomos mbaj mend që isha e fiksuar.
Nuk kam munguar asnjë ditë në shkollë, në asnjë orë, shkoja edhe kur isha e sëmurë. Vitin e dytë diçka ndryshoi sepse unë u shpalla fituese e festivalit të fundvitit në RTSH dhe m'u desh që të kisha mangësi në frekuentim si pasojë e provave të shumta për përfaqësimin në Eurovizion. Megjithatë duhet të them që në këtë vrull provash e kam pasur të pakursyer mbështetjen nga stafi pedagogjik. Viti i tretë dhe i katërt ishte tjetër gjë pastaj. Përjetova ndryshimin nga një shkollë publike në një shkollë private. Nga një shkollë ku je në një klasë me 40 veta dhe ku konkurrenca është shumë e madhe, në një tjetër me 15 nxënës ku vëmendja e mësuesve karshi teje ishte çdo orë evidente. Mendoj se më ka bërë mirë fakti që i kam jetuar këto ndryshime dhe nëse sot do të kthehesha pas në kohë, do të bëja absolutisht të njëjtat zgjedhje.
Po në arritjet tuaja pati ndryshime?
Kanë qenë ekzaktësisht të njëjtat mesatare në fund të dy viteve dhe e njëjtë ka qenë edhe mesatarja e të katër viteve. Unë mendoj se një nxënës që është sistematik, një nxënës që do të mësojë, mëson si në shtet ashtu edhe në privat. Madje nëse do t'i referohemi kërkesës së llogarisë në gjimnazin privat, trysnia është më e madhe sepse kontrolli i njohurive është i përditshëm. Unë shkollën e lartë e fitova si nxënëse e gjimnazit privat.
Sa orë në ditë keni mësuar?
Nuk kam pasur një mesatare fikse të orëve që qëndroja mbi libra. Qëndroja në dhomë deri sa i bëja të miat mësimet. Di vetëm që nuk e mbyllja ditën pa pasur informacionin e duhur për të gjitha lëndët që do të kisha në shkollë të nesërmen.
Cila ka qenë lënda që ‘urrenit' më shumë?
Nuk është se kam pasur një të tillë.
Po më e preferuara?
Absolutisht Biologjia. E kam dashur shumë, madje mund të them që edhe sot e kësaj ditë në kujtesën time vizuale ruaj ende renditjen e fotove në faqet e librit të Biologjisë. Mendoj se nëse dikush më pyet sot, kur kanë kaluar të paktën 2 vite të mira pa e hapur librin e biologjisë, jam në gjendje t'i jap përgjigje për dukuri të ndryshme që studion kjo degë.
A kanë qenë prindërit kërkues ndaj jush për sa i takon arritjeve?
Asnjëherë. Madje edhe në takimet e prindërve ata preferonin që të mos ishin shpesh prezentë. Kjo edhe sepse mësuesit ua kërkonin, unë nuk isha problematike dhe notat i kisha të larta, veç kësaj ata kanë pasur informacion për çdo vlerësim timin në mësime sepse nuk u mbaja gjë të fshehtë. Mund të them më shumë se sa për arritjet në mësime ato pyesnin për sjelljen time në takimet që bëheshin në shkollë.

Ju kanë tërhequr vëmendjen ndonjëherë mësuesit në shkollë?
Natyrisht. Çdonjërit i ndodh, mjafton të jesh i pavëmendshëm në një moment dhe mësuesit reagojnë. Por nuk mbaj mend ndonjë rast specifik, që të më ketë mbetur në mendje.
Çfarë notash merrnit zakonisht?
Përgjithësisht nota të larta. Unë mesataren e katër viteve e kam pasur 9.5 kështu që besoj se merren me mend vlerësimet e mia.
Po katër keni marrë ndonjëherë?
Sinqerisht asnjëherë, gjatë gjimnazit të paktën, kurrë.
Keni kopjuar ndonjëherë?
Po edhe kam kopjuar. Kopje unë quaj ndihmën që mund të kem kërkuar në teste të ndryshme nga shoku i bankës, apo nga tjetri që kisha mbrapa. Kopje të mirëfilltë s'kam bërë ndonjëherë, nuk ma mbante.
I keni lënë orët e mësimit, nëse po ku shkonit?
Gjatë gjimnazit asnjëherë, duke përjashtuar rastet kur kisha leje nga drejtoria e shkollës për pjesëmarrje në aktivitete të ndryshme muzikore, apo emisione.
A ka qenë Olta e privilegjuar në mësime, duke qenë se ju u bëtë këngëtare e njohur që në gjimnaz?
Nuk mendoj se ka ndikuar fakti që kam qenë këngëtare më shumë se sa fakti që kam qenë nxënëse e mirë. Çdo nxënësi të mirë i pranohet justifikimi për mospërgatitje një ditë të vitit. Kënga ndonjëherë edhe më ka penguar sepse kishte nga ata mësues që nuk e merrnin parasysh faktin që kisha qenë e angazhuar me muzikë.
Na tregoni pak për djemtë… Ju ngacmonin?
Më kanë ngacmuar, por unë kam qenë shumë e keqe në këtë aspekt. Isha si gjermane dhe vetë djemtë ishin të stepur kur hidhnin ndonjë fjalë për mua, sepse e dinin në një farë mënyrë përgjigjen që do të merrnin. Nuk është se kam qenë e pashoqërueshme. Kam pasur shoqëri shumë të mira si me djemtë ashtu edhe me vajzat, po në atë kohë se si më dukeshin këto situata. Tani natyrisht kam ndryshuar.
I ruani shoqëritë e gjimnazit?
I ruaj natyrisht. Sot i kam shoqet më të mira, të ngushtat fare, të njëjtat që kam pasur që nga klasa e parë. Ndërkohë që edhe me të tjerët, që nuk kam qenë aq e ngushtë përpiqem në çdo rast të gjej mundësinë për t'i takuar, në varësi të angazhimeve normalisht.
Si e kujtoni mbrëmjen e maturës?
Unë kam pasur 2 mbrëmje mature, një tek "Samiu" dhe një tek "Konica". Nga të dyja kam kujtime të paharrueshme.
Më pas ju vazhduat shkollën për…
Për juridik dhe për pak futem në sezon megjithëse është shtyrë pak së fundmi. Gjimnazi nga shkolla e lartë ka një ndryshim rrënjësor. Tani gjërat janë fakultative, ti po të duash e ndjek një orë, po të duash jo dhe tani kam filluar t'i frekuentoj pak më shumë kafenetë gjatë orëve të mësimit, por prapë nuk abuzoj.
Synon që në të ardhmen të punosh si juriste apo do t'i dedikohesh këngës?
Normalisht që këtë investim unë nuk po e bëj që të shkojë dëm. Në rast se do të doja të vazhdoja me muzikë do t'i isha përkushtuar një shkolle arti, por unë e dua drejtësinë, e dua juridikun dhe nuk kam pse ta fsheh në të ardhmen e mendoj veten në një zyrë komode.
(Eraldo Rexho Gazeta Shqiptare)

Olta Boka: Kam Qenë Gjermane Me Djemtë