>
LETERSISHQIP

Dikur Ëndërronin Ditët

Rastësisht një ditë unë ty të pashë,
kur bora ndihej e huaj në Tiranë,
dhe të huaja gjurmët e tua në dëborë
se ku të humba ty dot nuk thonë.
Në të humba në fjalë, a në të humba në heshtje,
në të humba në dashuri, a në të humba në urrejtje?
Se lehtas ecëm ne në këtë botë
gjurmët e zemrës nuk i lamë askund
dhe ashtu pa u ndjerë, pa u vështruar, endnim,
harroheshim drejt çastit, e çasti na harronte përgjithnjë
se nuk ëndërronim ne, asaj kohe për ne ëndërronin ditët.
Dhe të dua ty të të kërkoj,
gjurmët e së djeshmës tënde nuk të gjejnë askund,
as në atë trup që të burgos në shpirt,
as në fortesat e ndërtuara nga ty gur më gur,
as në fjalët e mendimet të thëna rishtazi dikur,
që shtegtuan nga ty, që shtegtuan nga unë,
fjalë që nuk i bëj dot më bashkë,
fjalë që nuk ngjiten më kurrë.
Dhe aq më pak ai qiell që lirinë ta largon
ku mundet të më njohë më me ty kur gjithçka
s’paska qenë tjetër veçse kohë…
se tashmë ne nuk i përkasim më as vetes,
tashmë i përkasim kohës, tashmë i përkasim orëve
tashmë dimë se emri ynë iu përket ditëve.