>
LETERSISHQIP

Një Mbresë Nga Dita E Sotme

Më takoi në rrugë një shok sot dhe pa më dhënë dorën akoma e këndoi si një këngë këtë varg dhe më tha:
- Çfarë nderi i ke bërë fshatit të Pilurit, o njeri, me këtë varg në baladën tënde "Nëntë vjet e nëntë ditë."
Mbeta për një çast pezull, se mua as nuk më kish mbetur në kujtesë e as nuk më kish lënë ndonjë mbresë të veçantë ky varg i thjeshtë.
Po ai vazhdoi në të tijën: - Po pse, ore, nuk vure emrin e fshatit që të ka bërë kokën, Turanin tënd?
Nja dy tri sekonda nuk dita se si t'i përgjigjesha. Mendova me vete: "... ec e merre vesh se ku qëndron tjetri, kur lexon një këngë tënden, aty ku nuk ta pret fiqiri..."
- Të të them të drejtën nuk më ka shkuar ndonjëherë ndër mend kjo gjë, - i thashë. - Po edhe ty ku të ka vajtur mendja?...
"Shok me malin,"... eeej, po pse çfarë nderi më të madh mund t'i bëhet një fshati? -nguli këmbë... -Shok me malin! Sa më pëlqen!... Po të paktën,... a të ka falënderuar ndonjë piluriot? -pyeti prapë.
-Më ka falënderuar Timo Mërkuri... Dhe e dyta... Piluri është aq i bukur, sa e meriton ta zgjedhësh si të më të parin e Shqipërisë... Po mbase meritën për këtë e ka edhe Lefter Çipa, - i thashë unë, bardi i madh himariot i këngës labe, që e bëri të njohur si yllin më vezullues të polifonisë shqiptare.
Hajde e merre vesh se si e ka peshuar truri atë çast, kur e zgjodha për baladën njëmijë vjeçare,... se mos ka qenë në dorën time...