>
BIOSHQIP

Remzie Osmani: “Dashuria Ndaj Këngës, çelës I Suksesit”

12-10-2016
Ajo është artiste e cila talentin e ka edukuar në qetësi, ndërkaq karakterin në rrymën e jetës. Këngët e saj lirisht mund të themi se i dashurojmë, e kjo na ka bërë që ne të jetojmë kurdoherë me emrin dhe personalitetin e saj. Remzie Osmani, artistja që zë vend meritor në plejadën e artistëve tanë, na vjen në këtë bashkëbisedim për të zbuluar shumëçka nga ajo!

Teksteshqip: Remzie, jeni popullore e modernizuar. A jeni kritikuar ose ndëshkuar ndonjëherë për këtë?

Remzie Osmani: Kam pasur frikë kur kam vendosur të këndoj baladë. M'u propozua kënga "Sa të deshta" dhe unë isha në dilemë: ta këndoj apo jo?! E këndova dhe ajo rezultoi fort e pëlqyer. nga ku bëra hapin e parë të "modenizimit" të zhanrit tim. Për të nuk jam kritikuar, sepse nuk lejoj të dal kurrë nga vetja!

Teksteshqip: Pas këtij super suksesi, jeni penduar që s’keni realizuar më herët një këngë të këtillë, apo ajo ishte rezultat i kohës?

Remzie Osmani: Mendoj se ishte periudha e duhur për të bërë ndryshim të ri në zhanër.



Teksteshqip: Ndjeheni e veçantë që jeni nga Mushtishti? Pse?

Remzie Osmani: Patjetër që po! Nga Mushtishti populli ka dëgjuar veç zëra të mirë, këngë të mira, poashtu dhe këngëtare zonja! hahah (qesh)

Teksteshqip: Këndoni disa dekada, por pa e lodhur fare adhuruesin. Është kjo nga përvoja e gjatë me këngën-skenën, apo dhunti e juaja?

Remzie Osmani: Nuk kam dëshirë të realizoj këngë shumë dhe shpeshë, sepse nuk dua t’i lodh adhuruesit. Dua që adhuruesit e mi t'i merr malli që unë ta editoj një këngë të re. Pastaj, nuk punoj "shkel e shko", mendohem dhe pregaditem shumë për një projekt që pritet të realizohet. Kjo sjell rezultatin!...

Teksteshqip: Kur e keni ndjerë veten si artiste të pavarur?

Remzie Osmani: Me kalimin e kohës jam bërë më e përgjegjshme ndaj publikut. Kjo lind nga momenti kur populli të vlerëson, të respekton në rrugë “i madh e i vogël”, kur mbushen sallat dhe lokalet plot e përplot për të të dëgjuar vetëm ty. Nga momenti kur nuk janë ndalë duartrokitjet nga performaca ime, e kam ndjerë veten vërtetë artiste!



Teksteshqip: Çka shihni të veçantë te bashkëpunimi me Nexhatin? Ndjeheni më e lirë në këtë dyshe artistike?

Remzie Osmani: E vërtetë që ndjehem shumë më e lirë, ngado që jam me vllain tim, Nexhatin. E kam shumë më të lehtë, nuk kam keqkuptime, hidhërime, xhelozi: këndove më shumë apo më pak! Pastaj, si motër e vëlla na ka pranuar shumë më mirë publiku. Nganjëherë kur jam pa Nexhatin, gjithë më pyesin: -Ku e ke vëllain, pse s'e more?! Më e rëndësishmja është se ne jemi pëlqyer shumë si duet dhe jemi koordinuar siç duhet.

Teksteshqip: Këngët e reja i keni plot “dashuri”, mbi të gjitha që jua kanë zili pjesa më e madhe e estradës. Dëshira juaj është të identifikoheni me të shkuarën, të tashmen, apo të dyja bashkë?

Remzie Osmani: Të gjitha tekstet e këngëve i kemi të punuara me mjeshtëri të rrallë, si në të kaluarën e largët, poashtu dhe në projektet më të reja. Po përmend këngën "Gjerdani i dashurisë", e cila është fare e thjeshtë, por me një tekst modern. Une jam dhe ngelem ajo që kam qenë dhe identifikohem për gjithë atë që kam servirur për publikun.

Teksteshqip: Keni qenë në lloj–lloj manifestimesh e ambientesh. Nga cila prej tyre ruani kujtimet më të bukura?

Remzie Osmani: Dihet se kur kemi qenë nën okupim, këngët tona vështirë transmetoheshin nëpër Tv e radio për shkak të përmbajtjes së teksteve. I kemi kënduar Kosovës, lirisë, thjeshtë ajo që na ka preokupuar jemi munduar ta shprehim përmes këngës. Desha ta cek se koncertet në atë kohë kanë qenë shumë madhështore, me duartrokitje të gjata. I kujtoj me mall ato vite kur kënga dëgjohej e nuk shikohej!



Teksteshqip: Sa ju ikni thashethemeve të kolegëve?

Remzie Osmani: Me thashetheme as nuk merrem!

Teksteshqip: Çfarë do të donit të thonit për bashkëpunëtorët, janë perfekt apo mundet edhe më mirë?

Remzie Osmani: Punoj gjithmonë me më të mirët, po paksa i ka dëmtuar komercializmi. Prapë se prapë jam e knaqur. Mua më ofrojnë atë çka ju kërkoj.

Teksteshqip: Si e shpjegoni faktin që ju interviston një i ri si unë?!

Remzie Osmani: Ju të rinjtë jeni vetë ardhmëria! Punën dhe veprimtarinë time po e ndjek ashtu si duhet, gjë e cila më bën të kem kënaqësinë që bashkëpunojmë!

Teksteshqip: Projektet e radhës...?

Remzie Osmani: Më mirë t'i lëmë surprizë!

Teksteshqip: Remzie, faleminderit për korrektësinë. Ju urojmë sa më shumë jetë në këngë e në përditshmëri!

Remzie Osmani: Kënaqësi gjithmonë, shëndet!
(Arsim Kolari - TeksteShqip.com)

Remzie Osmani: “Dashuria Ndaj Këngës, çelës I Suksesit”