>
BIOSHQIP

Remzie Osmani: “Sukses Për Mua është Talenti Dhe Puna”

26-09-2014
Remzie Osmani, një emër I pakrahasueshëm nga bjeshkët e Sharrit, shpalos karriërën dhe jetën e saj në këtë intervistë ekskluzive për portalin tonë, të cilën ju ftojmë ta lexoni…

Teksteshqip: Kush e zbuloi talentin tuaj dhe si vazhduat rrugëtimin drejt suksesit?

Remzia: Asgjë në jetë nuk arrihet kollaj, pa mund dhe sakrificë nuk do të arrija deri këtu. Fjala sukses për mua do të thotë talent dhe punë. Ishte fat i mirë i asaj kohe, si për mua, si për shumë kolege të mijat që sot janë këngëtare të njohura në mbarë shqiptarinë, të cilat dolën po nga fshati Mushtisht. Në atë kohë në Mushtisht ka funksionuar shoqëria “Afërdita”, ku motra ime më e madhja ishte anëtare dhe me ndihmën e saj dhe me ndihmën e arsimtarëve tanë, u zgjodha si një zë i dalluar, periudhë në të cilën unë isha vetëm 8 vjeçe.

Teksteshqip: Këndoni mjaft me ëndje muzikën popullore dhe atë folklorike. Ç’e shtyn Remzie Osmanin të këndojë këtë rrymë muzikore?

Remzia: Unë njihem me interpretimin e këngës folklorike dhe popullore, adhuruesit e këngës sime janë mësuar që nga unë ta dëgjojnë këtë lloj muzike, mirëpo dhe baladat i dua shumë, i interpretoj me shumë pasion, besa dhe janë mirëpritur e dëgjuar shumë.



Teksteshqip: Nga kush keni patur përkrahjen më të madhe për të arritur deri në këtë maje suksesi?

Remzia: Domosdoshmërisht Zotit I takon falenderimi, arsimtarëve të mi të asaj kohe, faleminderit motrës sime ,faleminderit të ndjerit Qamilit Të Vogël, i cili e vlerësoi talentin tim dhe më dha një fuqi shumë të madhe për të vazhduar më tutje. Një falenderim shumë i madh i takon bashkëshortit tim, i cili është krahu im i djathtë, pasi gjithë menaxhimin e punës time që 22 vjet e bën ai. Besa, Halili me shumë korrektësi kryen menaxhimin dhe kurrë pa u lodhur. Gajlja ime e vetme është si të paraqitem sa më bukur në skenë.

Teksteshqip: Si e çmoni muzikën e ditëve të sotshme, krahasuar me atë të dikurshmen?

Remzia: Muzika…! Eh, çdo gjë ecën me kohën dhe themi t’i ngjajë kohës. Atëherë është dëgjuar e kënduar çka neve na ka munguar dhe preokupuar. Besa e kemi pasur shumë të vështirë për ta shprehur me këngë atë që ndjente populli, po ne nuk jemi ndalur deri këtu ku jemi. Se përshembull, sot këndohet lirshëm, po muzika ka ndryshuar bukur shumë te ne, po c’të bëjmë?! Unë po mundohem ta ruaj interpretimin popullor, kuptohet me një aranzhman më të modernizuar, si unë, si të gjithë. Thjeshë, muzika ka ndryshuar si në Ballkan, si në gjithë botën, të ecim me kohën, po pa egzagjërime.

Teksteshqip: Kush janë bashkëpunëtorët tuaj?

Remzia: Unë kërkoj shumë dhe mundohem të punoj me më të mirët, siç mund të kujtoj Nexhat Mujovin – Wirusi, Ilir Beranin, Arsim Bunjakun, Avni Qahilin, Edi Balilin, Agron Jasharin, Ardian Kastratin, e të tjerë.

Teksteshqip: Remzie, po shohim se je edhe tekstshkruese. Nga e merrni inspirimin?

Remzia: Po, edhe vetë jam autore e shumë teksteve dhe melodive të këngëve të mia dhe disa të Nexhatit, të cilat janë pëlqyer mjaft.Inspirimin mund të them që e kam nga përditshmëria jonë!



Teksteshqip: Projekti I fundit ishte “Edhe një natë pa ty”. Si u realizua një projekt I këtillë?

Remzia: Teksti dhe muzika janë bërë nga Arsim Bunjaku, ndërsa orkestrimi nga Wirusi, e klipi nga Max Production. Jam ndarë e kënaqur me këngën, por jo dhe ashtu si e kam pritur. Tani po punoj disa projekte të reja solo dhe duete me Nexhatin.

Teksteshqip: Si lindi ideja për t’I kërkuar talentët e rinj me mega-hitin “Për mua ishe kryevepër”?

Remzia: Unë kam shumë fansa në fanpagen time zyrtare dhe djalit I lindi ideja të zhvillojmë një lloj konkursi për të bërë edhe fitues edhe zbulim të talentëve të rinj. Pse jo, ishte edhe një lloj argëtimi për të gjithë. Kanë dërguar këndimet e tyre me qindra të rinj, të cilët i kanë votuar vetë miqtë e faqes sime dhe fituan ato që patën më shumë pëlqime. Njëkohësisht dhurata ishte modeste nga ana ime për motrat Murtezi, për të cilat kisha rezervuar mikrofonin tim personal që unë këndoja dhe një cd timen. (E zbulova dhuratën,,, hahaah). Pasi ka përfunduar loja, shumë të tjerë kanë dërguar këndimin e këngës por më nuk kisha mundësi t’i postoja sepse loja veç kishte përfunduar, megjithëse kishte zëra shumë të mirë, të cilëve ju mbes borxh për herën tjetër.

Teksteshqip: Bashkëpunimet me Mahmut Feratin, Vëllezërit Krasniqi, Motrat Mustafa, Afrim Aliun, Violeta Kukajn, Nexhatin, e sidomos me Shkurtën dhe Shyhreten kanë zënë një vend të rëndësishëm në muzikën tonë. A do rikthehen këto bashkëpunime?

Remzia: Gjithmonë kam pasur bashkëpunime me kolegë dhe këngëtarë të mirëfilltë, po kohëve të fundit sikur u tepruan kolazhet dhe bashkëpunimet. Jam tërhequr pak sepse po kam non-stop duete me vëllaun, po s’do të thotë që i kam ndërprerë bashkëpunimet, për shembull po m’u dha një rast i mirë, prap do këndoj dhe do bashkëpunoj me kolegë.



Teksteshqip: Si e kaloni një ditë të zakonshme dhe nga kush përbëhet familja juaj?

Remzia: Si gjithë nënat dhe unë, me punë shtëpie, angazhime rreth fëmijëve, familjes, gatuaj, pastroj, hekuros, bile me shumë qejf! Jetoj me burrin Halilin dhe dy fëmijët, djalin Hamzën dhe vajzën Riolën.

Teksteshqip: Ç’vlerëson më tepër Remzia?

Remzia: E vlerësoj familjen e ngushtë, shëndetin dhe punën. I vlerësoj dhe çmoj adhuruesit e mi, përkrahësit, pa të cilët s’do isha kjo që më shihni sot.

TeksteShqip: Remzie, ne të falenderojmë që ndave këto çaste me portalin TeksteSHQIP.com dhe me fansat. Ishte kënaqësi e pashoqë të punosh një intervistë me ju. Për fund dëshiron të shtosh diçka?

Remzia: Qenka kënaqësi të intervistoheshke në një portal të këtillë. Gjithashtu ju falenderoj dhe ju uroj suksese e mbarësi. Një përshëndetje e veçantë shkon për fansat e mi dhe gjithë mërgimtarët tanë. Shëndet e të mira!
(Arsim Kolari/TeksteShqip.com)

Remzie Osmani: “Sukses Për Mua është Talenti Dhe Puna”