>
BIOSHQIP

Renis Gjoka: “Dua Që Ti Bëj Dhuratë Vetes Një Album”

06-09-2015
Renis Gjoka vjen kësaj rradhe në një intervistë ekskluzive për www.teksteshqip.com. Ndonëse nuk ka qenë shumë aktiv në muzikë Renisi shprehet se nuk ka qenë duke pushuar, përkundrazi ka qenë një angazhim shumë i madh duke punuar për këngët e reja të cilat ai do i plasoi me një album, për të cilin na zbulon më shumë detaje në vazhdim. Ai gjithashtu ka folur edhe për eskperiencën e tij në "Dancing with the stars", jetën private etj.

TeksteShqip: Renis, ka kohë që nuk ju kemi parë me ndonjë projekt të ri muzikor. Me çfarë po merreni aktualisht?

Renis Gjoka: Kam bërë një pushim të vogël përsa i përket prezantimit në publik me këngë të reja, por jo pushim në pjesën e krijimtarisë. Krijimtaria ka qenë intensive, ndonëse nuk kam publikuar asnjë këngë të re kohët e fundit. Aktualisht jam në përfundimin e 7 këngëve të reja të cilat do të publikohen njëra pas tjetrës duke filluar nga muaji nëntor.

TeksteShqip: Projekti juaj i fundit muzikor ishte "Dashuria ime ti" në Kënga Magjike 2014. Na trego pak se ja ndarë i kënaqur me suksesin e kësaj kënge?

Renis Gjoka: Sigurisht që jam ndarë shumë i kënaqur. Ka qene një vlerësim nga publiku, kolegët artistë si dhe produksioni i KM. Të cilët gjej rastin t’i falenderoj. Më vjen mirë që kënga arriti pritshmëritë që kisha për të.

TeksteShqip: Po gjatë verës me se je marrë? Ke mbajtur koncerte?

Renis Gjoka: Stinë intensive. Kam qenë i pranishëm në shumë qytete të Shqipërisë dhe ja kam kaluar goxha mirë.



TeksteShqip: Po pushimet verore i ke përfunduar? Nëse po, ku?

Renis Gjoka: Pushimet e mia verore kanë qenë të copëzuara për shkak të punës. Kam bërë rreth katër herë deri tani, nga 2-3 ditë pushime. Them se do bëj dhe dy seanca të tjera të shkurtra(qesh).

TeksteShqip: Vitin e kaluar keni qenë pjesmarrës gjithashtu i "Dancing with the stars 5". Na flisni pak rreth kësaj eksperience?

Renis Gjoka: Shumë eksperiencë e bukur, jo vetëm për faktin se ishte e veçantë dhe e pa provuar më parë si eksperiencë, por edhe për faktin se atmosfera, stafi dhe kolegët, ishin të përkryer gjithashtu. Një eksperiencë që nuk do mund të largohet kollaj nga mendja ime për një kohë të gjatë.

TeksteShqip: Renis, nuk është se dimë shumë për jetën tuaj private. Mund të na e shpalosni pak?

Renis: Që nga emri që i është vendosur, “private”, do të thotë që duhet të respektohet privatësia e kësaj jete(qesh). Jam një nga ata persona që mendoj se vëmendja nuk duhet tërhequr me bëmat e jetës private, por me atë për çka ti njihesh në publik. Në rastin tim, me muzikën.



TeksteShqip: Cilat janë projektete e tua më të afërta?

Renis Gjoka: Sikurese thashë, këngët e reja që do të fillojnë të publikohen në muajin nëntor. Tre nga të cilat do të shoqërohen edhe me klipe.

TeksteShqip: "Kënga magjike" këtë vit realizohet live. A do të merrni pjesë?

Renis Gjoka: Po. Do të marr pjesë.

TeksteShqip: Çfarë mendimi keni për albumet muzikore dhe kur do të mund ta shohim Renisin me ndonjë album?

Renis Gjoka: Janë pikërisht këto kënge që pritet të publikohen, ato të cilat do të përmbyllin edhe krijimtarinë për albumin. Kam dëshirë që për ditëlindjen time në Maj, t’i bëj dhuratë vetës time, albumin tim(qesh).

TeksteShqip: Renis, falemineirt që ishe me ne në këtë intervistë. Për fund dëshiron të shtosh diçka. Të përshëndesësh publikun tënd?

Renis Gjoka: Ishte kënaqësi të isha pjesë e portalit tuaj. Ju uroj sa më shumë suksese në të ardhmen. Dua t’u them gjithashtu gjithë atyre që më kanë mbështetur dhe vlerësuar, Faleminderit!
(B.A/Teksteshqip.Com)

Renis Gjoka: “Dua Që Ti Bëj Dhuratë Vetes Një Album”