>
BIOSHQIP

Renis Gjoka, Një Këngë Për “Tranzicionin” Në Festival

27-12-2013
Sot për sot në Shqipëri, është një ndër zërat më të pëlqyer të rrymës rock. Edhe pse me shumë angazhime nëpër evente të ndryshme, këngëtari Renis Gjoka, këtë herë ka zgjedhur të “godas” publikun me një temë sociale. Në një intervistë për “Shqiptarja”, ai rrëfen arsyen pse i është rikthyer skenës së festivalit për të përcjellë një mesazh të fortë social, bashkëpuntorët e tij, si dhe sfidën e këngëtarëve shqiptarë përballë “live”-it. Por, në këtë bashkëbisedim, Renisi nuk harron pa na treguar edhe sukseset e tij përgjatë këtij viti përsa i përket karrierës muzikore. Kënga me titull “Mjegulla”, vjen me tekst të Edmond Tupes, muzika po e Renis Gjokës, orkestrimi i është besuar Gent Myftarajt. Më poshtë do të lexoni dhe për projektet që do ta ndjekin në fillim të vitit 2014.



Edicioni i 52-të i Festivalit të Këngës në RTSH, ju ngjit sërish në skenë me një garë tashmë prej 16 këngëtarësh. Cili është pretendimi i kësaj pjesëmarrje? Përsa i përket pjesëmarrjes, pretendimi kryesor është të pëlqehet kënga përsa i përket materialit muzikor. Ndërsa, përsa i përket festivalit e kam thënë dhe herë të tjera që kjo është një garë ku secili nga ne konkurron me idenë për të fituar, por fitoftë më i miri. Muzika komerciale ka pushtuar tregun shqiptar, ku i vetmi që tashmë bën diferenceën është Festivali i RTSH-së. Si e shikoni këtë sfidë për disa këngëtarë? Vetëm në Shqipëri është luks të thuash që ky këngëtarë këndon “live”, ndërkohë që në vendet perendimore nuk konceptohet një gjë e tillë. Në qoftë se, ti nuk këndon “live” nuk quhesh këngëtar. Të gjithë këngëtarët që prekin skenën tashmë nuk e shikojnë si sfidë të kënduarit “live”, por si gjënë më normale që duhet të ndodh në tregun muzikor tek ne dhe për më tep në Festivalin e fundvitit. Festivali i Këngës, gjithmonë ka qenë një festival dinjitoz, por ndoshta ka dashur pak më tepër organizim dhe vëmendje. Rikthimi tek të kënduarit “live” në këtë event ka qenë dashur prej kohësh, por siç thuhet; Më mirë vonë se kurrë! I keni qëndruar besnikës rrymës rock? Pa diskutim, kënga është rock-baladë! Si një këngëtar i muzikë rock, e kam si detyrim moral të vazhdoj të sjell përmes muzikës tema sociale, ku një nga temat kryesore që për mua është nëna e problematikave, tranzicioni. Është një temë që kam dashur ta prek prej kohësh, por tani mu dha rasti ku së bashku me ndihmën e Prof. Edmond Tupes arrita të krijoj këtë këngë. “Mjegulla” simbolizon tranzicionin shqiptar që e ka fillesën në fillim të viteve ’90 dhe nuk po di të mbarojë.



“Virusi” që po përshkon këngëtarët këto dy-tre vitet e fundit, është realizimi i sa më shumë klipeve. Të bësh shumë klipe do të thotë që je më “in” në tregun muzikor? Absolutisht që jo. Për të bërë muzikë ka shumë mënyra të ndryshme. Nuk është ndonjë vështirësi e madhe për të sjell sa më shumë klipe, pasi edhe unë, për gjashtë muaj kam sjell dy klipe, por vështirësia qëndron në faktin që një këngë duhet të punohet mirë dhe të piqet artistikisht. Në momentin që realizohet, në klip ke një lloj sigurie më tepër dhe i reziston shumë gjatë tregut. Meqë jemi në vigjilje të fundvitit, si ka rezultuar 2013-ta për ju përsa i përket karrierës muzikore? Para dy ditësh arrita të bëja një bilanc, ku më rezultoi një vit i mbushur me suksese dhe tejkaluar qëllimet që i kisha vënë vetes në janar të 2013-së. Cilat janë projektet që do t’iu shoqërojnë përgjatë fillimit të vitit 2014? Pas festivalit, po punoj për të nxjerr dy klipe deri në mesin e 2014-së dhe më pas të realizoj albumin tim të ri.
(Blerta Tusha/shqiptarja)

Renis Gjoka, Një Këngë Për  “Tranzicionin” Në Festival