>
BIOSHQIP

“Diferenca”, Këngë Kushtuar Fëmijëve Me Autizëm Nga Roderika

02-04-2013
Intervistë me këngëtaren Roderika Ukelli
Porosia e këngës, diferenca krijon bukuri
“Kënga ime e re është më ndryshe nga këngët e mia të deritanishme, ngase u dedikohet fëmijëve me autizëm, për të cilët po bëhet shumë pak. Fëmijët kosovarë që vuajnë nga autizmi nuk duhet të paragjykohen dhe të shikohen me sy tjetër”, thotë këngëtarja e re, Roderika Ukelli
Në një intervistë, dhënë enkas për gazetën “Kosova Sot”, këngëtarja e re, Roderika Ukelli, flet për projektin e saj më të ri, këngën “Diferenca”, të cilën ua ka kushtuar fëmijëve me nevoja të veçanta, sidomos atyre me autizëm, të cilët nuk duhen të paragjykohen dhe të shikohen me sy tjetër nga bashkëmoshatarët e tyre, por edhe nga të rriturit. Intervista botohet pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Autizmit, kurse kënga është një kontribut për këta fëmijë, të cilët janë pjesë e dashur dhe e barabartë e kësaj shoqërie dhe si të tillë edhe duhet të shihen.
Një këngë më ndryshe
“Kosova Sot”: Roderika, javën që e lamë pas e ke lansuar këngën më të re, “Diferenca”. Pse e emëruat kështu?
RODERIKA: Kënga ime e re është një këngë më ndryshe nga këngët e mia të deritanishme. Kjo këngë u dedikohet fëmijëve me autizëm, për të cilët po bëhet shumë pak. Fëmijët kosovarë që vuajnë nga autizmi nuk duhet të paragjykohen dhe të shikohen me sy tjetër. Për atë arsye, mesazhi i këngës sime është DIFERENCA KRIJON BUKURI.
“Kosova Sot”: Nga titulli i këngës kuptohet se ka një lloj diference, për çfarë diference bëhet fjalë?
RODERIKA: Siç edhe e theksova, bëhet fjalë për diferencimin që po i bëhet fëmijëve me nevoja të veçanta, siç janë fëmijët me autizëm, me sindromën “dawn” etj. Andaj, unë përmes kësaj kënge u bëj ftesë dhe i porosis të gjithë fëmijët që të mos i nënvlerësojnë dhe të mos i nënçmojnë fëmijët me probleme të tilla, sepse ne të gjithë jemi unikë në mënyrën tonë.
Armend Rexhepagiqi, ideator
“Kosova Sot”: Je këngëtarja e vetme që i kushtoni këngë fëmijëve me autizëm. Si lindi ideja për ta bërë një këngë të tillë?
RODERIKA: Ishte ideja e kompozitorit Armend Rexhepagiqi, i cili e propozoi këtë këngë për fëmijët autistë, pasi për fëmijëve me sindromën “dawn” e kishte bërë një këngë, ndërsa për autistët asnjë. Unë sapo e dëgjova këngën më pëlqeu shumë, andaj menjëherë e fillova punën për këtë këngë.
“Kosova Sot”: Kush janë autorët e këngës?
RODERIKA: Muzikën e këngës e realizoi Armend Rexhepagiqi, ndërsa tekstin e shkroi Aida Baraku.
“Kosova Sot”: Kësaj kënge ia ke punuar edhe klipin. Me kë e ke punuar dhe kur pritet të editohet?
RODERIKA: Kënga “DIFERENCA” tanimë ka filluar të transmetohet në të gjitha televizionet si dhe në “Youtube”. Shfrytëzoj rastin ta falënderoj përzemërsisht pronarin e “PINKMOON CREATIVE”, Berat Hasani, i cili kontribuoi në këtë projekt, duke e bërë klipin falas për fëmijët autistë, me të cilët jemi kënaqur gjatë tërë ditës së xhirimeve.
Pjesëmarrja në festivale
“Kosova Sot”: Përpos kësaj, duket se je duke e punuar edhe një këngë tjetër, më ritmike. Do të na zbulosh se për çfarë kënge bëhet fjalë?
RODERIKA: Pas kësaj balade të mrekullueshme për fëmijët autistë, jam në përgatitje të një kënge më ritmike. Se për çfarë kënge bëhet fjalë, tematikën si dhe detajet e tjera, le të mbetet surprizë për fansat e mi.
“Kosova Sot: Vjet arrite shumë suksese në festivale. Fitove çmimin e parë në festivalin “YLBERI”, në Shkup, pastaj çmimin “Produksioni më i mirë” për këngën “ERIKU”, në spektaklin “TINGULLI IM”, në Tiranë etj. Këtë vit, planifikon të marrësh pjesë në ndonjë festival?
RODERIKA: Këtë vit, unë do të marr pjesë në disa festivale, brenda dhe jashtë vendit.
1
këngë më ndryshe është ajo e sapopërfunduar e Roderika Ukellit. /Intervistoi: B. ZYBERI
(kosova-sot)

“Diferenca”, Këngë Kushtuar Fëmijëve Me Autizëm Nga Roderika