Më mbaj mend (për 1 muaj)

Hyrja është kryer me sukses!


Roderika Ukelli, Yll I Ditës Së Fëmijëve


Nuk ka akoma asnjë votë

[02-06-2013]
Roderika Ukelli, yll i Ditës së Fëmijëve
Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, 1 Qershor, Komuna e Prishtinës kishte organizuar një mori aktivitetesh kulturore, të cilat i kishte ndarë në tri punkte, prej Tetarit Kombëtar e deri te sheshi “Zahir Pajaziti”. Në këto tri organizime pati valle tradicionale, balet, pastaj kënduan këngëtarët e vegjël.

“Eriku” kënaqi fëmijët

Natyrisht që gjatë manifestimit ajo që ra në sy ishte interpretimi i këngëtares Roderika Ukelli, e cila me këtë rast i argëtoi fëmijët me këngën e saj të njohur “Eriku”. Kënga u mirëprit jashtëzakonisht mirë, sepse gjatë tërë kohës fëmijë të shumtë rrinin me aparatet e telefonit në dorë për ta incizuar yllin e muzikës kosovare. Pa marrë parasysh interpretimin e shkëlqyer të Roderikës, lirisht mund të themi se organizimi i shënimit të kësaj dite me rëndësi për fëmijët tanë ishte tejet i dobët, sepse në asnjë nga këto tri punkte nuk ishte vendosur asnjë skenë dhe krijohej tollovi, që as ata që do të performonin nuk e kishin hapësirën e duhur. Organizatorja e këtyre manifestimeve, Sabrije Spahiu, që njëherësh udhëheq grupin e baletit “Mjellma”, as që deshi të bënte të ditur shifrën e të hollave që ka marrë nga Komuna për një organizim që nuk kënaqi shijet e vizitorëve të shumtë. Për këtë organizim të dobët reaguan edhe prindërit, duke shprehur shqetësimin e tyre se më shumë janë lodhur sesa janë kënaqur në këtë aktivitet. Albina Krasniqi, e cila kishte dalë me dy fëmijët e saj, tha se ky lloj organizimi është për t’u harruar, sepse fëmijët nuk kanë mundur të shohin asgjë. “Është grumbull i madh i njerëzve që shikojnë dhe fëmijët nuk kanë parë asgjë. Kjo mënyrë e të organizuarit është shumë e keqe, sepse kësaj mund t’i thuhet çka të duash, por jo manifestim”, tha ajo, duke bërë thirrje që në të ardhmen mos të përsëriten organizime të këtilla, por të organizohen si duhet dhe fëmijët të kënaqen. Natyrisht edhe shumë prindër të tjerë ishin të indinjuar për mënyrën e organizimit, sepse nuk vërehej fare se kush këndon apo vallëzon, ngase ishte një hapësirë e vogël për prezantim. “Jam ithtar i asaj që të kemi sa më shumë manifestime, por jo të këtij lloji. Kjo ditë është shumë e rëndësishme, prandaj fëmijët tanë kanë merituar një respekt më të madh, e jo ky organizim që fare nuk duket si shënim i një date të rëndësishme ndërkombëtare”, tha Arsim Shala.

Më ndryshe në “City Park”

Më ndryshe ishte në qendrën tregtare “City Park”, ku festa nisi nga ora 13:00 dhe përfundoi në orën 21:00. Aty ishin mbledhur fëmijë të shumtë, të cilët kishin ardhur bashkë me prindërit e tyre dha aty u argëtuan disa orë me maskotat, si palaço, borëbardha, miu, panda etj. Por, nuk kishte vetëm lojëra, sepse rreth orës 14:00 para të pranishmeve u paraqit sërish Roderika Ukelli, e cila më 1 qershor pati një ditë të ngjeshur me aktivitete të shumta. Ajo, së bashku me Renardin, ishin edhe moderatorë dhe për mrekulli moderuan këtë festë të madhe. Ndërkaq, qindra fëmijë ishin mbledhur te këndi i lodrave në “City Park” për t’i dëgjuar këngën e Roderikës, si: “Diferenca”, “Biçikleta”, “Liri”, “Viti i Roderikës, “Eriku”, e shumë këngë të tjera, që e bënë këtë festë të jetë më ndryshe. Natyrisht se edhe të tjerët patën rastin të jenë pjesë e këtij programi. Disa fitues të vjershave më të mira të revistës “OK KIDS” recituan vjershat e tyre, më pas pati edhe imitime të ndryshme etj. Shumë fëmijë u shprehën për gazetën tonë se arsyeja kryesore që kishin ardhur në këtë festë të “City Parkut”, ishte Roderika, prandaj nuk ia ndanin sytë. Rinea Sheholli tha se është një organizim shumë i mirë, të cilin e zbukuron Roderika. “Është organizim i qëlluar, por unë kam ardhur për ta parë nga afër Roderikën”, tha ajo. Kurse edhe Rona Sheholli, nxënëse e sh.f. “Xhemajl Mustafa”, tha se Roderika është idhulli i tyre, të cilën e duan dhe e përcjellin karrierën e saj në çdo moment.
 (kosova-sot)

      Roderika Ukelli - Eriku [Teksti dhe Klipi]
Dergoi: DONAGASHI




Komente mbi këtë artikull


* Të regjistruarit mund të votojnë ose të sinjalizojnë komentet