Rosela Gjylbegu

Rosela Gjylbegu, Një Këngëtare Në Kuvend

{{ risposta }}
Mesatarja:  {{ nStars }} / Votuan:  {{ nVotes }}
[25-08-2012]
Roselën e kontaktojmë në ditë pushimesh, në plazhin e Velipojës. "Doja të shkëputesha për pak pushim, ka qenë një verë e ngarkuar dhe shumë e nxehtë, kisha kaq shumë nevojë për pak kohë për veten", – thotë Rosela gjatë bisedës. Punë në administratën e Kuvendit (ajo mbulon çështjet e barazisë gjinore në zyrën e Marrëdhënieve me Publikun pranë kreut të Kuvendit, Topalli), por edhe koncerte. A bëhen të dyja? "Të them të drejtën u bënë vite që ditët i kam të ngarkuara. Edhe kur dua të pushoj s'rri dot pa i gjetur punë vetes", – qesh Rosela. Përpiqem shumë që ndonjë fundjavë tek- tuk të shkeputem për pak e të pushoj me miqtë e mi më të ngushtë".

Rosela, si është një ditë e zakonshme e një personi që njihet si artiste, por i duhet të jetë edhe nëpunëse e administratës, e Kuvendit konkretisht?

Një ditë e imja… shumë dinamike dhe më duhet të zgjohem shumë herët. U bënë 4 vite tashmë që kam edhe punën zyrtare. Kur mbaroj shkoj në shtëpi, pushoj pak, pastaj palestër, ose thjesht ecje të gjatë më këmbë, ndonjë kafe me miq, por vetëm kur mundem, kur jam e lirë. Kjo është dita e zakonshme, ndërsa në periudha aktivitetesh, më duhet të shkoj nga puna në punë, gjithçka në lëvizje. Nëse kam kohë të lirë më pëlqen teatri dhe kinemaja ose lexoj ndonjë liber. Besoj tani jam mësuar me ngarkesën, është bërë diçka normale.

Të punosh në Kuvendin e Shqipërisë duket pak si larg ambicjeve artistike, apo jo?

Unë mund të them vetëm që jam me shumë fat që punoj në një institucion të lartë me një staf shumë dashamirës. Një eksperiencë nga e cila kam mësuar shumë dhe, që të vijmë tek pyetja juaj, më le mundësinë ta alternoj me pasionin tim më të madh, muzikën…

Dmth, nëse ju rijepet mundësia, do donit ta vazhdonit këtë punë afër politikës dhe afër politikanëve…

Asnjëherë s'i dihet, por mund t'ju them si e shoh veten në të ardhmen. Profili që do dëshiroja është i lidhur me çështejet sociale. Dua të jap kontributin tim (e kam fjalën si imazh publik) në ndihmë të njerëzve në nevoje. Qendrat sociale për fëmijët e braktisur për shembull, për gratë e dhunuara për pleqtë e sëmurë, janë një projekt që më atrakton. Ky është edhe profesioni im ku jam formuar e shkolluar. Janë vite të tëra. Unë mendoj që njeriu nuk kënaqet asnjëherë dhe sa më shumë arrin aq më shumë kërkon nga vetja. Unë mund të them që jam vetëm në fillimet e një rruge të gjatë

Si ndihesh kur dëgjon thashetheme për veten?

Jam përpjekur t'u rri larg thashethemeve… Nuk do doja të përmendja ndonjë rast konkret, por ajo që më bezdis më shumë janë gjërat e sajuara të pavërteta, janë shumë të ulta dhe jam e bindur që për këdo janë të papëlqyeshme. Megjithatë për ne që kemi edhe një profil publik nuk i shpëtojmë dot kësaj pjese. Unë përpiqem të jem e kujdesshme dhe them se kush më njeh mirë e di se kush jam. Të tjerët… Për të tjerët do të më vinte keq nëse do të ndikoheshin nga gjëra të pavërteta, por gjithsesi le të mendojnë si të duan.

Për dashurinë dhe "koleget seksi"? "Koha do vendosë, por një këngëtare nuk është një …modele!"

"Falë Zotit, sot çdokush bën atë që dëshiron dhe çdokush pëlqen atë që i përshtatet shijeve të veta. Kolegët e mi kanë bërë zgjedhjet e veta. Por unë nuk jam modele të pretendoj të pëlqehem si e tillë", – thotë Rosela për ato që suksesin skenik e mbështesin jo tek aftësitë artistike, por te provokimet e turmave dhe pamja.

Rosela, po jeta private? Nuk flisni asnjëherë për statusin tuaj… Është e dashuruar Rosela?

Kur të vijë momenti edhe unë do jem shumë e hapur për të folur rreth kësaj gjëje (qesh).

Sa rëndësi ka pamja fizike, garderoba dhe detaje tjera për një vajzë që dëshiron sukses, status social etj?

Zotësia është të jesh sa më praktike dhe e thjeshtë, t'i përshtatesh ambientit e situatës pa u sforcuar. Unë i kushtoj rëndësinë e duhur kësaj çështje. Megjithatë nuk është diçka primare, nuk është në vend të parë për nga rëndësia.

Një pyetje që e bëjmë shpesh për personazhet tona të Fundjavës… Ka shumë vajza të skenës që bëjnë këngëtaren, por më shumë brohoriten për veshjen apo pamjen seksi, apo provokuese… Pra, pak muzikë, aspak tekst, pak art me një fjalë, por edhe pak rroba në trup… Dhe jo rrallë duatrokiten. Është dakord Rosela me këtë model?

Shiko, gjithësecili ka individualitetin e vet. Falë Zotit, sot çdokush bën atë që dëshiron dhe çdokush pëlqen atë që i përshtatet shijeve të veta. Kolegët e mi kanë bërë zgjedhjet e veta. Për mua më rëndësi është që të pëlqehem, e të vlerësohem për zërin, për emocionin dhe sinqeritetin, edhe për mënyrën se si unë flas e përçoj mesazhe tek publiku. Sigurisht edhe për pamjen time, por unë nuk jam modele të pretendoj të pëlqehem si e tillë. Pamja është një element i rëndësishëm i botës së artit, por jo më e rëndësishmja. Janë një kompleks gjërash që plotësojnë një artist. Ju keni të drejtë në vëzhgimin tuaj, por ca gjëra kërkojnë kohën e vet. Koha do na tregojë se kush do t'i rezistojë gjatë tregut dhe simpatisë se publikut.

Ekziston zili në ambientet shqiptare të artit? Nga ajo e liga e kemi fjalën…

S'do e quaja zili, por ego. Egoja në ambientet tona sigurisht që ekziston. Është e dëmshme kur ka nota negative. Por nëse është ego profesionale nuk përbën problem, përkundrazi ndihmon ecjen përpara. Konkurrenca shërben për të rritur kërkesat ndaj vetes e për të punuar fort, jo për ndonjë gjë tjetër.

Si ia bën në një situatë konflikti… Vetë jeni konfliktuar ndonjëherë me ndonjë koleg këngëtar?

Nuk jam natyrë që krijoj sherr ndaj ruaj qetësinë. Edhe nëse ka pasur diçka që nuk shkonte, unë e kam lënë të kalojë për të evituar situata të tjera të panevojshme. Me shumë thjeshtësi, përpiqem të jem paqësore në çdo moment. Nëse ka diçka që s'shkon i kërkoj personit t'a sqarojmë individualisht duke pirë një kafe të qetë, pa nerva siç duhet të ndodhë normalisht mes dy njerëzve të rritur.

Rosela në kuzhinë?

Një tjetër fanse e peshkut në

Kush gatuan në familjen e Roselës?

Mami. Mami është një amvisë e mirë. Ti vetë i afrohesh ndonjëherë kuzhinës? Sigurisht, me shumë qejf. Por vetëm kur kam kohë. Cili është ushqimi që gatuan më mirë? Ajo që mund të bëj më mirë janë pastat dhe rizotot… Ushqimi që pëlqen më shumë? Brumrat, peshku, frutat e detit

Ushqimi që nuk mund të rrish dot një ditë pa e konsumuar?

Ahhh…bulmeti, qumeshti, kosi etj.

Probleme me celulitin?

E kush nuk ka…

Regjimi ditor duhet të jetë fiksim?

Fiksimi asnjëherë s'është gjë e mire, por rregjimi është kulturë. Kujdesi për shëndetin është detyrë për veten dhe për të tjerët.
 (Emanuela Sako Gazeta Shekulli)

Rosela Gjylbegu, Një Këngëtare Në Kuvend


Komente 0