>
LETERSISHQIP

Kurr Më

(Ernesto Sabatos)

E di: Kamy të donte shumë, e desha Kamynë.
Ti mik i llogarive të pastra si loti,
banor i Tunelit, që jetën e përbiron tinëz
shpirtkëputur në mes të Trimave e Varrtarëve
me pishë në dorë duke përmbysur terrin
zbret shkallë shkallë siç Zbritet në Ferr
shenjon të humburit numëron deri në nëntë mijë
e thur nëpërmjet dhembjesh librin Kurr më,

a e di: jetën e jeton secili veç e veç
deri në mbarimin e saj të pa marrë me mend,
nënat sillen në rreth në Shesh të Fitores
shenjat e bijëve i mbajnë përmbi zemra
e fotoset kraheqafe vetëm për të dëshmuar
se jeta ka qenë aty pranë e nuk është më
ato nuk do të lexojnë kurr librin Kurr më
se njohin vetëm jetën që jetohet në vetmi
duke i rrjetuar kujtimet me lotët në varg,

a e di: plaga sa një shpellë e zezë
po hyn në zemër e në bark të kujtesës,
më thuaj sa shigjeta kishe në zemër vetë
kur zbrite shkallëve nga libri në jetë?

O miku im i mikut tim të panjohur!