>
BIOSHQIP
Biografia
Sadbere Gagica – Spahija lind në Gjilan, më 1963. Aty kreu shkollën fillore dhe të mesme. Për qytetin e lindjes, si çdo krijues, ka nostalgji që e shpreh edhe në vargjet poetike. Fillimet poetike i bëri si nxënëse e shkollës fillore. Si nxënëse e klasës së tretë botoi tregimin e shkurtër për fëmijë “ Plaka dhe semafori”, i cili u vlerësua si shkrim i rrallë për moshën e saj. Poezitë e para për fëmijë i botoi në revistën letrare “Ylberi”, për të vazhduar në “ Pioneri”, “Rilindja”, “Venera” etj. Nga ajo kohë ajo shkruan vazhdimisht në shtypin e përditshëm, periodik dhe faqe interneti, kurse i janë transmetuar shumë punime edhe nëpër valët e radiove të ndryshme në vend dhe jashtë, sidomos në radiot e diasporës. Kohëve të fundit ka botuar në gazetën “ Nacional”, “Pena e artë”, “Nositi” në Lion të Francës, “Qëndresa”, “Bota sot”, “Metafora” etj. Në antologjinë poetike “Varg në përjetësi”, 2013, është prezantuar me një cikël poezish, Bukuresht, Rumani, në “Antologjinë e dhimbjes”, 2012, me rastin e vdekjes së Ali Podrimes, në mesin e njëqind poetëve shqiptarë. Në janar te vitit 2016 botoi në Tiranë vëllimin e parë me poezi me titull “Folenë e ëndrrave kërkoj”. Për këtë vëllim ka bërë një vështrim prof. dr. Faik Shkodra. Librin e dytë të poezive “Udhë lumnie” e botoi në shkurt të vitit 2017, shtëpia botuese “Atunis”, Prishtinë.
Është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe e LSH “Feniks” të Luginës së Preshevës