>
LETERSISHQIP

Ti, O Nënë

Ti, o nënë, piramidë madhështie
Eklipsi im i dritës, që dot nuk shuhet
Me ato duar të arta e zemër magjie
As me një mal fjalë s’mund të them sa duhet

Ti, nënë, m’i ke dhënë hapat e parë drejt dritës
Dhe më përkëdhele me atë dorën e rritës
E kush ka guxim këtë gjë ta harrojë
Kur ti, nënë më bëre ëmbël të flas me gojë

Ti, nënë mua më bëre të flas e të qaj në shqipe
Të belbëzoj në atë djep, në të cilin më rrite
E me ato ninullat tuaja të ëmbla dhe të arta
Ti, o nënë m’i fale vitet e mia më të bardha

Kur ti zgjatje dorën, unë shkrihesha si qiriu
Me lëvdatat tuaja ndalej dhe veriu
Shndërrohej në freski e më ledhatonte
Bashkë me zërin tënd, ah, sa më shëronte

Vargu im për ty nuk do të ketë mbarim
Për ty, o e madhe, dritë e shpirtit tim
Gjersa të kem frymë, kurrë nuk do të ndalem
Fjalët që m’i thotë shpirti, sa më bëjnë të çmallem

Tash jam burrë me thinja, të qaj më ka hije
Se janë lotë malli e lotë të fortë dashurie
Pa le të vijnë prore, nuk më dhimbset vetja
Se ti, vetëm ti, nënë, ishe e vërteta