>
LETERSISHQIP

Këngë Për Një Ekuinoks

Mbrëmjes që shkoi gjëmonte
dhe mbi tokën me varre
dëgjova si kumbonte
ajo përgjigje ndaj njeriut,
që qe e shkurtër
e që ish vetëm oshëtimë.

Mike, rrebeshi i qiellit ishte me ne,
nata e Zotit qe stuhia jonë,
dhe dashuria gjithkund ngjitej
drejt burimeve të veta.

Unë e di, kam parë,
jeta ngjitej drejt burimeve të saj,
rrufeja mbledh veglat e veta
në guroret e shkretuara,
pjalmi i verdhë i pishave grumbullohet
në qoshet e tarracave,
dhe shtalpi i Zotit shkon
të puqet në det me fashat
bojëmëllage të larvave.

Zoti i hapërdarë bashkohet me ne te larmia.

Zot, Usta i dheut,
shihni tek po bie dëborë,
dhe qielli s’ka plagë,
dhe toka e çlirët nga gjithçka rreh:
tokë e Sethit dhe Saulit,
e Çe Huang Tisë dhe Keopsit.

Zëri i njerëzve është te njerëzit,
zëri i bronzit është te bronzi,
dhe diku në botë
ku qielli s’bën zë e shekulli s’ka beft,
lind një foshnje
që askush s’ia di racën as sërën,
dhe gjeniu godet me grushta të sigurt
lobet e një balli të pastër.

O Tokë, Nëna jonë,
mos e vrisni mendjen
për këtë soj:
shekulli është i gatshëm,
shekulli është i shtypur,
dhe jeta ndjek rrjedhën e saj.

Një këngë ngrihet ndër ne
që s’e ka njohur burimin
e që s’do ketë gotull te vdekja
ekuinoks i një ore midis Tokës dhe njeriut.