>
BIOSHQIP

(1919-1987)

Biografia
Njëri ndër rapsodët më të mirë dhe më të njohur të Kosovës, Salih Bajrami-Krasniqi, i cili u lind më 1919 në fshatin Llashka Drenoc të Prekorupës komuna e Malishevës. Sipas pohimit të vetë Salihut ai filloi të këndojë qysh në moshën 6-7 vjeçare, kur babai i tij e mirrte me vete nepër dasma në ndeja e në ahengje të ndryshme.Në fillim përveç me babain Bajramin, (për të thuhet se ka qenë njëri ndër këngëtarët më të dalluar dhe është i pari që e solli sharkinë në Drenicë), Saliu këndoi edhe me Amrush Ymerin, Riza Bllacën (i cili njëheri kishte kënduar edhe me babanë e Salihut Bajramin,dhe me Feriz Krasniqin.Me këtë të fundit këndoj gjatë edhe e përfundoj të kënduarit të vetë.

Më se gjysmë shekulli këndoi një numër të madh baladash, këngësh epike legjendare, këngë historike të ashtuquajtura “kang të oxhakut”, këngë lirike të dashurisë të traditës së vjetër, dhe posaçërisht këngë të ashtuquajtura të “ashikisë”.Ka ditur të këndojë rreth 500 këngë të llojeve të ndryshme, që nga ato më të lashtat e deri të ato të historisë dhe përditëshmerisë sonë të re.

Salih Bajrami, së bashku me kushëririn e vet, Feriz Krasnqin, mbi dyzet vjet kënduan në shumë dasma të Drenicës, Llapit, e anë e mbanë Kosovës.Po kështu morri pjesë në koncerte dhe në manifestime të shumta me karakter krahinor, republikan, federativë të ish-Jugosllavisë e ndërkombëtare.Më 1966 së bashku me Feriz Krasniqin, morri çmimin e parë në Festivalin Nderkombëtar të Folklorit në Langolen (Angli).Për merita të veçanta në rruajtjen e kultivimin e krijimtarisë muzikore popullore të shqiptareve në Kosovë dhe për pjesëmarrje të shumta në Revistën e Folklorit Burimor Kosovar të Gllogovcit (Drenasit), me rastin e 25 vjetorit të organizimit të këtij manifestimi të rëndësishëm të krijimtarisë popullore më 1987 u dekorua me diplomë dhe me një orë xhepi.Sali Bajrami-Krasniqi, së bashku me Feriz Krasniqin, si ansambël me çifteli e sharki (nganjëherë edhe me primin e adaptuar-akorduar si çifteli), në mënyrë të veçantë pasuroi vlefshmërinë e procesit të trashigimisë dhe ligjësitë e egzistimit të qenjes së saj si pjesë e krijimtarisë shpirtërore të popullit tonë.

Paraqitja e Sali Bajramit si këngëtar i dalluar popullor është manifestuar në një mënyrë të konsiderueshme, në forma të ndryshme muzikore.Kështu përveç interpretimeve të shumta të melodive instrumentale, me endje edhe pse të gjata i këndonte baladat e vjetra, këngët epike legjendare për Mujën dhe Halilin, këngët historike të periudhave dhe heronjve të ndryshëm, ndër të cilat dalloheshin ato të kohës së Rilindjes Kombëtare, pastaj këngët e dashurisë të traditës së vjetër fshatare, dhe posaçerisht ato të “ashikisë”për të cilat thoshte se kanë kuptim patriotik etj, përmes të cilave këngë shihej se si janë rruajtur elementet e vjetra dhe origjinaliteti interpretues.Ishte kjo mënyra më e mirë për të dëshmuar se këto këngë në të shumtën e rasteve nuk u janë nënshtruar ndryshimeve të dukshme të kohës dhe ndikimeve të tjera nga jashtë. Kështu p.sh.edhe pse në të dëgjuar të thjesht, interpretimi vokalo-instrumental i Sali e Feriz krasniqit ishte në një sistem tonal stabil, që del nga lidhshmëria e llojeve dhe tipave të këngeve qe këndohën me keto instrumente dhe të praktikës së të kënduarit të tyre në unisiono, me mjete akustike të radhës tonale të instrumenteve të vjetra me goditjen e perdeve sipas sistemit të vjetër të akordimit të këtyre instrumenteve,si dhe mënyrës specifike të të kënduarit të tyre, të shumtën në mënyrën e ashtuquajtur “vargore”, mund të vërehej se inrervalët e rradhës tonale të këngëve të tyre shpeshherë nuk janë të sistemit të tepëruar, gjë që këtë e ka kushtëzuar mënyra e lirë e goditjeve të “perdeve” të çiftelisë dhe të sharkisë, me të cilat Salih e Feriz Krasniqi luajtën mbi dyzet vjet.

Gjatë këndimit të Sali Bajramit vërehej përdorimi i shtojcave të ndryshme melopoetike, si elemente zbukuruese, që në menyrë artistike e funksionalizon tërë këngën.Kështu p.sh.zbukurimet në formë shtojcash të vargut melo-poetik, të cilat në pikëpamje muzikore paraqitën si melizma, glisando, kombinime të ndryshme ritmike dhe theksime të tjera melo-ritmike, gjithnjë sillnin efekte të fuqishme artistike.Këto elemente të këtij rapsodi të njohur më së shumti ishin rezultat i qasjeve dhe i frymëzimeve spontane me çka karakterizohej kënga dhe interpretimi i tij i tërësishëm vokalo-instrumental.Numër i madh i këngëve të rregjistruara, që gjinden në arkivin e Institutit Albanologjik të Prishtinës, paraqesin lëndë të rëndesishme për analiza dhe studime etnomuzikologjike, nga e cila mund të nxirren rezultate të ndryshme, që kanë të bëjnë me formën e vargut apo strofës melo-poetike dhe elemente të tjera që u përmendën, qoftë si vlera të veçanta folklorike, qoftë si bazë për një monografi apo studime të tjera etnomuzikologjike.

Jeta, kënga dhe pse jo edhe tregimet dhe barcoletat e rapsodit Sali Bajrami mbetën të pashlyeshme në kujtesen e të gjithë atyre që e njihnin dhe që e donin krijimtarinë e mirëfilltë folklorike.Ishte mjeshtër i madh jo vetëm i të kënduarit dhe luajtjes me sharki, por edhe i krijimit të tregimeve dhe barcoletave më të cilat njësoj ishte i suksesshëm sikur edhe me këngët më të mira më të cilat gjithnjë ishte në nivel të lartë artistik.

Sa herë kujtojmë Sali Bajramin-Krasniqin na kujtohen këngët dhe mënyra specifike e interpretimit, të cilat i realizoi me aq pasion dhe dashuri.Ishte njohës i mirë i të gjitha stileve të trevave dhe zonave etnografike të mbarë Kosovës.Me mënyrën më origjinale dhe autenticitetin të theksuar,së bashku me Feriz Krasniqin interpretoi shumë balada dhe këngë epike-historike, të cilat sipas sistemit modelativ të traditës sonë më të hershme lahutare i këndonin nëpër festa,dasma dhe gëzime të ndryshme.Ato gjithnjë kishin si karakteristikë kryesore mbizotërimin e të luajturit me çifteli e sharki dhe tingëllimin e intonacioneve tradicionale të traditës lahutare, si parim ky që është për rruajtjen e formave të njohura të të interpretuarit të tyre origjinal e autentik.Po kështu përmes këngëve epike-historike ia doli të nxjerrë në pah disa elemente të rëndësishme të strukturës formale, të mjeteve shprehëse muzikore dhe mënyrës së interpretimit–këndimit të këngeve, të cilat paraqesin kreacione që me vlerën artistike dhe kuptimore të tyre, gjithnjë mbahen mend dhe vazhdojnë të kultivohen e këndohen edhe nga këngëtarë të tjerë të rinj.Me këngët, që për objekt trajtimi marrin ngjarjet e ndryshme të historisë kombëtare, apo edhe ndonjë figurë të spikatur patriotike, siç janë këngët e Lidhjes së Prizrenit ato për Haxhi Zekën, Ymer Efendi Prizrenin, Bajram Currin, Hasan Prishtinën, Isa Boletinin e shumë të tjerë.Këta këngëtarë nuk e përsëritnin historinë, por asaj i dhanë dimensione më të gjera dhe më të thella shpirtërore gjithpopullore, të realizuara në mënyrë maestrale përmes të cilave ata gjithnjë i gdhendnin kujtimet vetjake për ngjarjet historike, mesazhi i të cilave përveç tjerash është edhe rruajtja e nderit dhe truallit shqiptar.

Në këngët e lirikës së dashurisë të interpretuara nga Sali e Feriz Krasniqi kemi dy mënyra karakterizuese:
-Së pari mënyra ekzotike e interpretimit të këngeve të dashurisë,të cilat si frymëzim i thellë i këtyre rapsodeve, inkuadrojnë në vete ndjenjat dhe përjetimet më patriotike.
-Dhe së dyti këngët e ashtuquajtura të “ashikisë” strukturën e të cilave Salihu e Ferizi e zhvillonin në formë dialogjesh retorike të pyetjeve, ku Salihu gjithnjë këndone si prijës dhe përgjegjës së Ferizit si përcjellës në rregjistër të lartë intonativ dhe në një fortissimo posible.Janë këto këngë të cilat paraqesin forma më të zhvilluara melo-ritmike.Mirëpo e veçanta e interpretimit të tyre bëri që Salih e Feriz Krasniqi të mbesin si një duo apo ansambël i paharueshëm dhe i pa përsëritshëm. Ata na erdhën dhe na u paraqitën si një degëzim në të cilin, natyrisht Salihu e kishte rolin kryesor, edhe se jo gjithnjë udhëheqës, ishin dhe mbetën përshkrues të përhershëm të ndjenjave më suptile të realizuara tërësisht dhe në menyrë të veçantë.Shqiptimi i këngës së tyre gjithnjë ishte shprehje e plotë e lartë në intonacion, për çka edhe fort i vështirë për interpretim, ishte i rrjedhshëm, i pastër dhe i saktë, intonacioni i përkryer dhe ndjenja e sigurtë për ritëm në të gjitha shpejtësitë dhe disponimet shpirtërore, inteligjenca e virgjërt e Salihut si udhëheqës i këngës gjithnjë krijoj mundësi apsorbimi artistik në realizimin interpretues të zhanreve, stileve tipeve dhe llojeve të folklorit tonë burimor. Salihu vdiq në vitin 1987. Ishte fat i madh që e patëm një këngëtar si Salih Bajrami-Krasniqi që së bashku me Feriz Krasniqin, u bë ai Salihu i madh i cili me talentin e tij të rrallë ishte dhe mbeti si një ndër këngëtaret më të mirë të kohës sonë.
DËRGOI: