Më mbaj mend (për 1 muaj)

Tema: Ese Për 28 Nëntorin


28 Nentori

Deri më tani, poeti Lasgush Poradeci është ai i cili ka përshkruar dhe botuar i pari historinë e krijimit të himnit tonë. Në punimin “Himni kombëtar “Flamurit pranë të bashkuar dhe gjeneza e tij”[2], L. Poradeci bëhet kështu edhe rrëfyesi kryesor për këtë ngjarje madhore. Në rrëfimin e tij të tërheq vëmendjen një hollësi. Kjo hollesi, lidhet me faktin e thjeshte se askush në ato çaste historike për Shqipërinë, nuk mendonte se ajo këngë e ngritur dhe e kënduar për të parën herë nga kori i kolonisë shqiptare të Bukureshtit, do të ishte himni i ardhshëm. Ja ç’thotë Lasgushi: -…me fjalë të tjera, himni nuk u përgatit me qëllimin e posaçmë që të shërbejë si Himn Kombëtar, të përmbushë misionin e shenjtë të këngës simbolike zyrtare të popullit”.
Nga këto rradhë, por dhe nga zhvillimi i mëtejmë i historisë së Shqipërisë, vëmë re se në kushtet kur nuk kishte shtet shqiptar ishte jashë mendjeje, që dikush të mendonte që në fillim të kishim himnin e pastaj të bënim shtetin, si me thene: “buxhakun para oxhakut”. Shumë vite më vonë, poeti i shquar Migjeni shkroi poezinë me titull “Kënga që s’kuptohet”, kushtuar melodisë sonë kombëtare. Në përpjekje për ta zhvendosur titullin e poezisë nga konteksti i saj, do të shohim se ky emërtim qëndron fare mirë për të, nisur jo vetëm nga largësia nga data e krijimit të himnit, por dhe se shkrimet historike për gjenezën e himnit tonë, kanë shërbyer në të njëjtën kohë edhe si kronikë besnike e lindjes së tij, por dhe si alibi.
Gjatë hulumtimeve të materialeve dokumentare rreth lëndës në fjalë, në librin “The Guinnes Book of Music”[3], është shkruar si më poshtë:
himni “Rreth flamurit të përbashkuar” është pranuar si himn kombëtar i Shqipërisë në vitin 1912
fjalët e himnit janë shkruar nga Asdreni
muzika e himnit është kompozuar nga Ciprian Porumbesku
Duke i shqyrtuar një nga një për sa më sipër, e vëteta do që të theksohet fakti kuptimplotë, se përpara se himni të bëhej himn zyrtar i shtetit të ri shqiptar më 1912, po sipas Lasgushit, “… kjo ngjau se populli e gjeti të pëlqyer; vetë e dëshiroi ai ashtu, nga gjiri i tij i dha trajtën dhe frymën, vetë e shënjtëroi, duke e dashur me zemër gjer në therori dhe më shumë e përtej vetëtherorisë. Me të luftuan çetat e kryengritjes që ishin nëpër gjithë viset e Atdheut, dhe vdiqën vdekjen e ëmbël dëshmorët e lirisë. Me të u ngrit Flamuri në Vlorë”. Me pak fjalë, kjo do të thotë që ngritja e flamurit nën tingujt dhe fjalët e “Betimit mi flamur” ishte vetëm një akt formal nga ana e Ismail Qemalit për ta njohur këtë këngë si këngën tonë kombëtare.
(Foto 1– “Faksimile e firmave të delegatëve në Kuvendin Kombëar në Vlorë më 28 Nëndor 1912”)
Së dyti, lidhur me fjalët e himnit. Në asnjë vend të botës, nuk gjejmë një himn kombëtar i cili t’i kushtohet po një simboli tjetër kombëtar siç është flamuri[4], dhe që të dy së bashku t’i kushtohen atdheut. Ja poezia e plotë e “Betimi mi flamur”[5]-(Hymni patriotik) e shkruar dhe publikuar nga Asdreni në vitin 1908:
Rreth flamurit të përbashkuar
Me një dëshir` e një qëllim,
Të gjith` atij duk` ju betuar
Të lidhim besën për shpëtim.
Prej lufte veç ay largohet
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk frikohet,
Po vdes, po vdes si një dëshmor!
Në dorë armët do t`i mbajmë
Të mprojmë atdhenë më çdo kënt,
Të drejtat tona ne s`i ndajmë;
Këtu armiqtë s`kanë vënt.
Se Zoti vetë e tha me gojë
Që kombe shuhen përmi dhe,
Po Shqipëria do të rrojë;
Për të, për të luftojmë ne!

O flamur, flamur, shenj` e shenjtë,
Te ty betohemi këtu,
Për Shqipërin` atdhen` e shtrenjtë,
Për nder` edhe lavdimn` e tu.
Trim, burrë quhet dhe nderohet
Atdheut kush iu bë theror;
Për jet` ay do të kujtohet
Mi dhet, mi dhe si një shenjtor!

Lidhur me origjinalitetin e poezisë së himnit do të citonim përsëri Lasgushin i cili thotë se “…tituli “Betimi mi flamur”, që i ka vënë himnit Asdreni, është një koncept dhe një akt e fakt etnikërisht shqiptar”. Po të njëjtën gjë në koncept e pohon edhe Migjeni, qysh në vargun e parë të poezisë kushtuar Melodisë kombëtare: “U vodh kënga nga zemra e kombit”. Që të gjithë e njohin edhe kontekstin e betimit popullor mbi flamur: - “Nën hijen e tij qofshim dhe në dorën tonë valoftë”.
Së treti lidhur me muzikën e himnit. Si Migjeni, po ashtu edhe Lasgush Poradeci anojnë të paktën në karakterizimin e përgjithshëm të himnit tonë për nga përbërësi muzikor i tij. “Këngë a vaj? Çë je? Thuejma, zemër kombi! (Migjeni); “U bë Shqipëria! Po u bë duke vuajtur me buzëqeshje, duke u kurajuar me këngën e jetës dhe të vdekjes nër dhëmbe: me Himnin e saj Kombëtar Shqiptar” (Lasgushi).

Më tej, Prof. Sokoli thotë se “… motivi i këtij himni e ka burimin te tradita muzikore gjermane, meqë këngët e lartpërmendura (nga kjo traditë-shënimi ynë) janë më të hershme se kompozimi i Porumbeskut”. Edhe kompozitori i shquar bashkëkohor George Ligetti[6] konstaton me të drejtë ngarkesën edhe origjinën internacionale të parakrijimit të Himnit Shqiptar të Flamurit. Pohimi i kësaj të dhëne është me rëndësi jo vetëm për faktin se krijimi i himnit tonë në pikëpamje muzikore ishte drejtuar përkah orientimit të përgjithshëm perëndimor, por dhe se në këtë mënyrë nuk ka arsye që ende të citohet Porumbescu si krijues i tij.

Vetë krijimtaria muzikore e Purumbeskut[7] ka një lidhje të fortë me traditën e shquar muzikore të Austrisë, vend ku ai studioi muzikë pranë konservatorit të Vienës. Tashmë njihet fakti, se në bazë të himnit të tij qëndron një nga meloditë më te njohura të rinisë austriake të gjysmës së dytë të shek. XIX. Në rastin e himnit të vjetër të Rumanisë “Pe al nostin steag”, të kompozuar nga C. Porumbescu me fjalë të A. Barteanut, po sipas Prof. Sokolit, “… mjafton të krahasojmë fillimet e këtyre këngëve gjermane me fillimin e Himnit të Flamurit për të parë ngjashmërinë e madhe, ose pothuajse njëjtësinë e disa masave”.

Shembulli muzikor nr. 1- “Melodia dhe teksti i Himnit Kombëtar”

Në Shqipëri në vitet 1900-1945, nga muzikologjia jonë konstatohet se krahas folklorit muzikor dhe tendencave të para të muzikës profesioniste shqiptare, u krijua dhe kultivua edhe nje repertor këngësh me origjinë vendase dhe internacionale, këngë të cilat këndoheshin në gjuhën shqipe. Kjo gjë u vu re si në aspektin e këngëve lirike si psh serenatat, po ashtu edhe në fushën e këngëve patriotike e më pas atyre partizane. Pa u zgjatur këtu do të përmendja këngën “Të gjithë ne o djema”, me fjalë dhe muzikë nga Spiridon Ilo (1876-1950); këngën “Vlora-Vlora”, me kompozitor Thoma Nasin dhe poezi nga Ali Asllani; “Këngën e dëshmorëve të Shkodrës”, me fjalë dhe muzikë nga Kolë Jakova; “Këngën e Asim Zenelit” me fjalë nga Qamil Buxheli dhe muzikë nga Mustafa Krantja; “Bashkohi shokë me ne në çetë”, me fjalë dhe muzikë nga Kolë Jakova; “Shkrep me zjarr porsi rrufeja”, me fjalë nga A. Skali dhe muzikë nga Kristo Kono; këngët “Kushtrimi i lirisë”, “Britma e çlirimit”, “Hakmarrja”, “Ato maja rripa-rripa”, “Rini-Rini”, “Himni i ushtrisë” me muzikë të Dhora Lekës e shumë të tjera.

E gjithë kjo krijimtari kishte bërë jetën e saj nga goja në gojë dhe vetëm gjatë viteve ’50, tek ne u bënë përpjekjet e para për të grumbulluar dhe notizuar këngët patriotike edhe partizane që ishin kënduar nga populli për vite me rradhë duke përfshirë këtu edhe himnin e flamurit. Dy botimet e para të kësaj fushe i përkasin vitit 1959 të përgatitura përkatësisht nga Gaqo Avrazi -“Këngë patriotike”, dhe nga Baki Kongoli - “Këngë partizane”. Në materialet shoqëruese të tyre me të drejtë konstatohet se në përgjithësi për të gjithë këtë repertor vihet re se pjesërisht janë krijime me autor, pjesërisht të popullit dhe pjesërisht melodira të importuara që tashmë ato janë asimiluar në thesarin e muzikës sonë. Konstatimi vazhdon me faktin se populli këto këngë i ka bërë të tijat duke marrë formën shqiptare saqë po t’i krahasosh me origjinalin ndryshojnë mjaft njera nga tjetra[8]. Dhe ky nuk është vetëm një fenomen shqiptar. Në kulturën muzikore të ç’do vendi, në të gjitha kohërat gjendet një repertor i tërë muzikor i cili qarkullon pa ndërprerë, duke ndryshuar gjuhën si dhe stilemat muzikore të materialit fillestar. Kjo është një dukuri normale e shkëmbimit të kulturave.

Për sa më sipër, edhe muzika e himnit kurrsesi nuk mund të quhet plagjaturë e për më tepër imitim. Po ashtu, ajo nuk duhet të konsiderohet si një pamundësi kompozimi prej krijuesve shqiptarë. Pikërisht zgjedhja e kësaj melodie ndoshta mund të ketë qënë edhe e rastësishme, por ne mendojmë se parapëlqimi i saj synonte zgjedhjen e një gjuhe muzikore tepër të lexueshme e të qartë për të tjerët, për të kuptuar aspiratën e kombit shqiptar në ato vite të errëta të historisë së tij. Duke pasur dhe përdorur në ndërtimin e tij melodik, gjymtyrë të tëra pan-evropiane, himni synonte (me gjetjen muzikore “rastësore”), pikërisht Europën. I krijuar në kohën e ripërtëritjes së ndërgjejges historike shqiptare, melodia me tekstin e Asdrenit sillte dhe ende sjell zërin e njërit prej popujve të rilindur të Europës.
Duhet theksuar se që nga krijimi i tij e deri në fund të viteve 40’ të shek. XX, himni ynë përveç se është kënduar dendur, ka bërë një jetë më së shumti gojë më gojë dhe pjesërisht është interpretuar me nota. Pas vitit 1912, interpretimi me nota i himnit ishte domosdoshmëri pasi ai ishte i destinuar të luhej edhe në ceremoni të ndryshme të shtetit shqiptar jashtë vendit. Në një letër të dërguar nga Faik Konica, në atë kohë përfaqësues në legatën e Mbretërisë Shqiptare në Washington, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme shkruhet shprehimisht se “… morra nga ministria e detit e Sh.B.A një letrë ku më luten t’u gjej një kopje për bandë t’avazit kombëtar të Shqipërisë…kuptova që avazi ynë ësht i vetëmi avaz kombëtar që nuk e kanë”.

Për herë të parë për partiturën e himnit flet Lasgushi kur përshkruan dërgimin e himnit në atdhe nga kolonia shqiptare e Bukureshtit në vitin 1908 me anë të Tashko Ilos dhe Hilë Mosit i cili punonte ne kete kohe si sekretar prane nje tregetari te madh te Korces. Lasgushi i quan ata me qëllim kasnecë, pasi ishin në të vërtetë mbartës të një mesazhi që fillimisht duhej kënduar. Që të dy erdhën në Korçë “… me partiturat e himnit të bëra imtësisht gati me fjalë shqip”, dhe prej këtu filloi mësimi dhe përhapja e himnit kombëtar në të gjithë Shqipërinë. Po sipas Lasgushit “…përhapja parashikonte në krye të të gjithave mësimin e këngës”. Pikërisht për këtë arsye u zgjodh Hilë Mosi i cili kishte përveç formimit letrar dhe intelektual edhe talentin muzikor.

Mendoj se përhapja e himnit në popull do të ketë pasur vështirësi serioze për dy arsye. E para lidhet me mungesën e mësimit të muzikës dhe të sistemit muzikor në Shqipëri në ato vite, dhe e dyta lidhet me veshin muzikor të shqiptarit. Përhapja e himnit në një rrugë “gojë më gojë”, ndërmjet transmetuesve të tij (shpesh herë pa arsim muzikor), dhe bartësve të tij të ardhshëm, me siguri duhet ë ketë sjellë një rikrijim të mundshëm të tij. Së dyti, historia ka provuar se është tepër e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që një populli si i yni t’i imponosh një melodi të huaj, aq më tepër melodinë që do të shndërrohej më pas në këngën kombëtare shqiptare.

Në një kohë me ardhjen e Hil Mosit dhe Tashko Ilos në Korçë, një shtytje mësimit të muzikës në përgjithësi dhe mësimit të himnit në veçanti i dha krijimi i “Bandës së Lirisë” themeluar më 1 tetor 1908. Qysh në formim banda përbëhej prej 25 muziktarësh me vegla të ndryshme. Fakt është se komuniteti i ri i muziktarëve në Korçë, pajtoi me pagesë një dirigjent italian të quajtur Pasquale i cili shërbeu si dirigjent i “Bandës së Lirisë”. Aq shumë u lidh ai me të sa më vonë edhe himnin e bandës së Lirisë e kompozoi ai vetë me fjalë të Hil Mosit. Pas kësaj periudhe, me gjallimin edhe të formacioneve të tjera muzikore nëpër qytetet e Shqipërisë si Shkodra, Elbasani, Gjirokastra, Vlora, Gjakova etj, përhapja e himnit me nota u bë më e lehtë.
Mbi regjistrimet muzikore të himnit tonë kombëtar

Regjistrimi i parë muzikor në disk i himnit tonë kombëtar, është bërë nga shoqëria diskografike “Albanian Phonograph Records”. Kjo është shoqëria e parë diskografike shqiptare e shekullit të XX, e ideuar dhe themeluar në Amerikë në vitin 1923 nga muziktari dhe patrioti Spiridon T.Ilo nga Korça. Në një kontekst më të përgjithshëm, vlera e “A.P.R” është shumëplanëshe dhe lidhet me gjithë zhvillimin e kulturës dhe artit muzikor shqiptar të viteve ‘20-‘40. Himni ynë kombëtar është kënduar dhe regjistruar në disk nga vetë Spiridon Ilo së bashku me tenorin arbëresh Giuseppe Mauro. Vlen të theksohet se tenori arbëresh Giuseppe Mauro, në vitet 20’ të shek. XX ka qënë një ndër tenorët me famë botërore. Në kohën kur së bashku me Spiridon Ilon regjistroi himnin tonë kombëtar në diskun e prodhuar nga shoqëria diskografike “Albanian Phonograph records”, me nr. E-3948, G. Mauro ishte ftuar në New York nga Metropolitan Opera për të interpretuar atje rolin e Otellos nga opera me të njëjtin titull e Verdit.

- Ese nga Sara Behluli


- U dërgua nga Sara Behluli -


Zgjidhni me sa yje do votoni

Mesatarja:  3 / Votuan:  2


Komente 0