>
LETERSISHQIP

Kjo Punë Ka Marrë Fund

Kjo punë u vendos. Rrugë që nuk ka kthim!
Fushat ku linda do t’ i le përgjithmonë.
Oshtimën e plepave gazmore në agim,
më nuk do ta ndjej dhe kjo më trishton!

Izba e ulët do rrënohet ndër vite,
dhe qeni im plak, prej kohësh ka shkuar.
Sokakëve të ngushta moskovite,
frymën do ta le, kështu qenkej e shkruar.

E dashuroj këtë qytet të plakur,
dhe le të jetë nga koha i zvetënuar.
Azia e përgjumur, e përflakur,
përmbi kupola fle pa u ankuar.

Dhe natën kur, del hëna vezullore,
me një shkëlqim që… lërmë të rroj o Zot!
Nisem kokulur, për në pijetore,
rrugicave të errëta, gjoja kot.

Klithma, zhurmë e rrëmujë brenda skutave,
gjer n’ agim pa pushim pi e fol,
u lexoj poezi prostitutave,
dhe banditët i ndez me alkool.

Më rreh zemra gjithmonë e më shpesh,
më ngatërrohen vargjet në gojë.
“ Jam i humbur, si ju, merrni vesh,
dhe të kthehem, nuk kam ku të shkoj!”

Izba e ulët tashmë është rrënuar,
qeni plak, më ka ikur me kohë,
sokakëve të Moskës i harruar,
do vdes ndonjë natë, ndën shiun me llohë.
1922