>
LETERSISHQIP

Lutja E Nënës

Në periferi të fshatit, në një izbë, krejt e vetmuar
një nënë plakë para ikonës, po lutet e gjunjëzuar.
Lutet për djalin e vetëm, vajti kohë që s’ i ka shkruar,
pse lufton në dhe të huaj, atdheun për të shpëtuar.

Lutet nëna e mjeruar dhe fshin lotët që e verbojnë,
atëherë syri i mjegulluar sajon pamje që e tmerrojnë.

E çon në një fushë beteje, lufta ende s’ ka filluar,
sheh djalin e saj hero, të vrarë, me lavdi mbuluar.

Përmbi gjoks njollat e gjakut përshkënditje e flakëruar,
dhe flamurin e armikut, dorë e ngrirë e mban shtrënguar.

Ngazëllimi drithërues i ngrin gjakun plot trishtim,
kokë e saj e zbardhëlluar mbi pëllëmbët gjen strehim.

I mbulon vetullat, ballin, floku i rrallë që ndrin nën zjarr,
por tashmë, lotët që rrjedhin ngjajnë porsi margaritarë.
1914
Shqipëroi: Arqile Garo