>
BIOSHQIP

Shaqir Cërvadiku: “Qetësinë Shpirtërore E Gjej Në Krijimtarinë Muzikore”

30-05-2015
Jo shpesh ndodh të njihemi më artistë të vërtetë. E kur i njeh ata nga karriera e tyre e artë, por edhe nga përditshmëria, të bëjnë optimist për jetën, të dhurojnë vetëm dituri e nxitje për projekte përparimtare. I këtillë është edhe artisti i madh i këngës shqipe Shaqir Cërvadiku, i cili na nderon me këtë intervistë ku na rrëfen jetën dhe sukseset e tij...

Teksteshqip: Shaqir, a mund të na i përshkruani momentet e para në skenë?

Shaqir Cërvadiku: Unë kam filluar shumë i vogël të luaj dhe këndoj me instrumente muzikore folklorike pasi, babain, gjyshin e xhaxhallarët i kam pasur rapsodë të njohur. Fillimisht këndoja në odën tonë, kur vinin shumë mysafirë, pothuaj çdo natë, pastaj ju bashkangjita babait dhe xhaxhait nëpër dasma. Dalja e parë në skenë ishte në vitin 1977, së bashku me babain dhe xhaxhain. Aty e kisha më lehtë se ata e kishin rolin kryesor, ndërsa vetë për herë të parë dola po atë vit në një koncert në Komoran me ansamblin "Shotë Galica".



Teksteshqip: Babai juaj Halili, ka qenë një këngëtar i njohur. Na flisni diçka për krijimtarinë e tij...

Shaqir Cërvadiku: Babai im Halili, ishte rapsod i njohur me një zë të veçantë dhe me një aftësi të madhe këndimi. Ai pat filluar të këndonte me të atin e tij (gjyshin tim) Ramën, pastaj një kohë këndoi me vëllain e tij Rexhën, 6 vjetë me rapsodin e njohur Selman Balaj, me rapsodin shumë të njohur Tahir Drenicën rreth 7 vjet, kurse për 30 vjetë me radhë me xhaxhain, Hysenin. Babai im ka mjaft këngë të inçizuara në Radio Prishtinën, ndërkohë që është dhe autori i këngës ”Lulëzoi fusha, lulëzoi mali", që është ndër perlat e muzikës shqipe.

Teksteshqip: Cili është vlerësimi juaj për muzikën e ditëve të sotshme?

Shaqir Cërvadiku: Sa i përket cilësisë, muzika sot është në një nivel europian nga ana e këngëve dhe orkestrimeve. Kemi edhe studio muzikore të nivelit të lartë që mundësojnë kualitet më të lartë. Por, në anën tjetër muzika komerciale e ka çoroditë tregun muzikor dhe i ka degraduar vlerat muzikore. Për ruajtjen dhe kultivimin e vlerave muzikore duhet të kujdesen vetë këngëtarët, mediat e ndryshme, gazetat, portalet e radiot, pse jo edhe televizionet në promovimin e këngës së mirëfilltë shqipe.



Teksteshqip: Cila është dhurata më e mirë që mund t'ju dhurojë publiku?
Shaqir Cërvadiku: Dhurata më e mirë e publikut është duartrokitja dhe dashuria ndaj këngës që ne këndojmë. Është publiku i gjerë ai që për kaq dekada na ka mbajtur në skenë dhe na ka dhënë forcën krijuese për t'ju përkushtuar edhe më tepër këngës.

Teksteshqip: Dihet se jetoni dhe punoni në Belgjikë. Pse u larguat nga Kosova?

Shaqir Cërvadiku: U bë një kohë që jetoj me familje në Belgjikë. Në fakt, unë jetoj mes Belgjikës dhe Kosovës pasi, shumë shpeshë jam edhe në Kosovë. Arsyja e ardhjes në Belgjikë ishte shërimi i bashkëshortes, e cila pë 10 vjetë ishte në shërim në Bruksel, por e humba atë. Humba njeriun më të dashur të jetës - gjysmën e shpirtit tim... Por, ngushëllimin shpirtëror e gjeta në vazhdimin e krijimtarisë muzikore. E falenderoj Zotin që i kam tre fëmijë të mrekullueshëm. Vajzat kanë kryer studimet e djali studion për dentist.



Teksteshqip: Kush janë bashkëpunëtorët tuaj?

Shaqir Cërvadiku: Gjithë këto suksese që i kam pasur në krijimtarinë muzikore, i kam falë bashkëpunëtorëve të mi të shkëlqyeshëm. Inçizimet e para i kam bërë në Radio Prishtinën me ndihmën e madhe të kompozitorit dhe instrumentistit të madh, Shaqir Hotit. Deri më tani kam realizuar 20 albume personale dhe 5 albume me këngëtarë tjerë, gjithësejt 25 albume dhe tre videoalbume. Për t'i bërë gjithë këto është dashur punë e përkushtim i madh. Shumicën e teksteve i kam shkruar vetë, por kam pasur shumë tekste të mira nga tekstshkrues të shkëlqyeshëm, si: Riza Greiqevci, Sali Mani, Izet Rraci, Faruk Tasholli, Fatmir Muja, Milaim Islami, Athem Hoti, Rexhep Hasani, Agron Jashari, etj. Shumicën e këngëve i punoj vetë por kam pasur edhe nga krijues e kompozitor të njohur, si: Sali Mani, Kolë Susaj, Fatmir Muja, Burim Krasniqi, etj. Kam krijuar këngë edhe për këngëtarë tjerë. Duete kam me këto kolegë: Mahmut Ferati, Sala Bekteshi, Nikollë Nikprelaj, Violetë Kukaj, Shyhrete Behluli, Afërdita Demaku, potpuri me: Shkurte Fejzën, Shqipe Kastratin, Afrim Muçiqin, Rifat Berishën, etj. Me Burim Krasniqin kam realizuar 16 albume, prandaj sukseset e mija në një mënyrë janë edhe sukses i Burimit. Krahas Burimit, kontribut të madh kanë dhënë edhe Shpejtim Gashi, Shaqir Hoti, Sinan Kajtazi, Leutrim Gashi, etj.

Teksteshqip: Cilat veprime e përbëjnë një ditë tuajën?

Shaqir Cërvadiku: Ditët për ne këngëtarët janë të ndryshme, me angazhime familjare e muzikore. Ditet tona rrallë janë të njëjta. Një kohë të madhe e kaloj duke lexuar, duke shkruar tekste dhe duke krijuar këngë të reja.



Teksteshqip: Me cilat projekte do ju shohim në të ardhmen?

Shaqir Cërvadiku: Këto ditë editova këngën më të re të titulluar "Shqip shqip - kuq e zi". Kjo këngë është pritur shumë mirë nga dëgjuesit dhe për mua është një këngë e veçantë, si nga tema, muzika e realizimi. Ndërkohë, pas disa ditësh pritet të del videoklipi tjetër duet me Arian Agushin - Gold AG, që titullohet “Shqiptar Stambolli” dhe ju kushtohet shqiptarëve të shpërngulur në Turqi. Këtë periudhë isha në Kosovë dhe i kam kënduar 8 këngët e albumit të ri, i cili do del në shitje shumë shpejt.

Teksteshqip: Shaqir, ishte nder për ne t'ju kishim në intervistë dhe ju urojmë shëndet e sa më shumë suksese në të ardhmen. A keni të shtoni diçka për fund?

Shaqir Cërvadiku: Ishte kënaqësi t'ju përgjigjem pyetjeve tuaja. Njëherit, në emër të shumë shokëve e miqve, ju falenderoj për punën e madhe që po bëni për postimin dhe ruajtjen e teksteve të këngëve, gjë e cila është një ndihmesë e madhe për gjithë këngëtarët, pse jo dhe për dashamirët e dëgjuesit e muzikës shqipe. Në realitet, ju jeni adresa e vetme e teksteve të këngëve shqipe dhe vlera e punës suaj ka çmim të madh... Gjithë shqiptarëve ju uroj nga zemra gjithë të mirat e kësaj bote, shumë shëndet, suksese, lumturi e gëzime nëpër familje.
(Arsim Kolari - Teksteshqip.Com)

Shaqir Cërvadiku: “Qetësinë Shpirtërore E Gjej Në Krijimtarinë Muzikore”