>
LETERSISHQIP

Përbrendësh Më Ziejnë Eshtrat...

Përbrendësh më ziejnë eshtrat.
Kërrusja ma kruan tepen e kresë,
e gota që kam përpara
më përqesh.

Përposhtë xhamash mjegullorë,
udhëkryqi ua mat hijet,
ua peshon mëkatet,
çasteve kalimtarë.

E premte është,
e premtja e parë e dhjetorit,
e duart e mia mpaken
mbi fytyrën e ditës.

E tëra dritë,
kjo ditë,
e unë jam mosqenia.

Sytë e mi
janë thnegla ajri
të përhumbura në dhembje,
e prapa mendjes sime
frymon një hënëlakuriq.
Rrëmon brenda meje
një bishë e çakërdisur,
e mishin tim ha,
e mishin tim përtyp,
e ngihet pleh!