>
LETERSISHQIP

Trembëdhjetë Copëza Për Një Poemë Asfare

1.
Pemë pa bilbil!
Bilbil pa grykë, ky vit!...
Ç'ndezi korriku, prilli e fiku!...
Iku, kënga, iku?!...

2.
Zjarresh,
vij,
për t'u fikur mendimesh...

3.
Sa shumë hamë,
o Zot,
sa pak përtypim!...

Sapo e përbiu, kjo sekondë,
sekondën para saj.

Dhe pa arrirë ta mendoj mirë,
sekonda e rradhës,
parapraken e përbin.

S'arrij dot, ta mendoj as këtë,
dhe tjetra parapraken e ka përbirë, tashmë...

Në lumë sekondash derdhur,
pa kthim derdhet, jeta jonë?

4.
Ec e ec, e arrij t'arrij,
veç deri para pragut të vetes sime.

Dhe, për dreq,
nuk arrij të shkel, me të dy këmbët,
as aty!...

5.
Ma shklel syrin nata,
e unë veten pyes:
e ka, me njëmend
kjo ditë?...

6.
Nata pi veten me gojën time,
unë veten derdh në barkun e saj!

Lagur e thinjur,
do lindë mëngjesi?...

7.
Nga gojë e madhe
e kësaj hapësire të zezë,
përbirë trishtimesh,
veten pyes:
Po kjo hënë?...
Si ia bën kjo hënë?...
Si arrin kjo hënë,
të jetë e shndritshme, e bukur, e portokalltë...,
në pafundsinë e pafund
të tmerrit të zi të natës?!...

8.
Këtij mëngjesi, mbetur i kanë,
veç edhe pesë minuta jetë!

Ngutu, shpëtoje,
me zgjimin tënd,
me tënden fletë!...


9.
Zgjuar është mëngjesi!
Ti flen!

Mëngjesi lan sytë,
me lotët e tu të mbrëmshëm!
Ti flen!

Mëngjesi kaçurrelat kreh,
me gishtat e tu hollakë!
Ti flen!

Mëngjesi pret t'i hapësh qepallët,
që veten ta shohë në sytë e tu vjeshtë!
Ti flen!

Hap sytë, o sy!...
Sa nuk ka vdekur, mëngjesi mbi ty!

10.
Oh, zemër!
Sot nuk do shkruaj,
as për lotët e tu të mbrëmshëm,
as për natën që mbeti shtatzënë e iku,
as për këtë mëngjes të lagur me lotin tim,
që derdhet pikë pikë!...

Sot do mendoj,
si ta shaj më bukur, shtetin njerkë,
që bukë na merr
e na jep frikë!...

11.
Ferrin tënd,
e kaloj unë.

Për timin,
shohim e bëjmë...



12.
Kaloj e dehem mëngjesesh,
për aq sa ditë jetoj!

E pakta, dhe e shumta,
një mëngjes kujtoj!...

13.
Të jem,
vazhdoj,
duke mos qenë i qenë!...

I fituar dal,
veç në betejat
ku s’kam çka humb!