>
LETERSISHQIP

Sapo Pashë Një Ëndërr

Jetët tona, jo gjithëherë qenkan si i duam ne.
Në jetët tona, jo gjithëherë jemi, siç jemi ne.

Sapo pashë një ëndërr,
me kuaj të bardhë të bukur.
Sapo pashë një ëndërr,
me natyrë ëndërrake.

Malet atje, të lartë ishin,
me thepa të hollë, të pingult.
Ngriteshin spic përpjetë,
e i preknin qiejt,
si gishta duarsh.

Mes thepash e malesh,
lugina të gjata, të blerimta,
shtriheshin anembanë.
Lugina të gjata, të thella,
mbuluar me idilë,
ku jetën e lirë bënin,
kuaj të bardhë, të bukur.

Zot,
u ndjeva mirë,
e u luta, në çast,
njëri nga kuajt e bardhë,
të jem,
atje.

U ndjeva mirë,
e u luta fort
liria e egër e ëndrrës
të jem.

Si e pse, nuk di,
por shpirti im qenka
një kalë i bardhë,
i egër.