>
BIOSHQIP

(1958-2020)

Biografia
Ka punuar në Radio Tirana në programet e letërsisë shqipe për fëmijë. Gjatë karrierës së tij, ai u bë shumë i njohur për emisionet e fëmijëve si “Mikrofoni i qershizave”, “Kolovajsa e pasdites” dhe “Në vallen e rritjes sonë”. U nda nga jeta më 18 maj 2020.

U largua, kur Letërsia shqipe për fëmijë kishte më shumë nevojë për fjalën e tij poetike e Shkëlzeni me botimet e tij ishte në vrullin e krijimtarisë së tij. U zvogëlua gjeografia e poetëve për fëmijë, dhe kjo është dëshpëruese për poezinë shqipe për fëmijë. Shkëlzeni me krijimtarinë e tij të begatë, si autor i rreth 45 librave për fëmijë, padyshim, qe përfaqësuesi më i spikatur i brezit të tij.

Për ne që e njohëm aq mirë, dhe që ishim bashkudhëtarë të kësaj letërsie, kujtimet për të janë të shumta. Shumë prej tyre, tani, do të kenë vlerat dhe hapësirat e mallit e të kujtesës. Kështu nuk harroj njohjen time të parë kur botonim në revistën “Fatosi”, takimet në panaire si në Tiranë e Prishtinë, bisedat jo vetëm me Shkëlzenin për edhe me kolegë të tjerë për çështje të letërsisë, mbledhjet e ndryshme të Shoqatës dhe diskutimet letrare, intervistat e ndryshme që na mori si gazetar i Radio Tiranës, ardhjet e tij në Shkodër në kohë festivalesh ku ishte edhe autor tekstesh të shumë këngëve, humorin e shakatë e tij që i pëlqenin dhe i rrëfente aq bukur… Do ta kujtojmë poetin Shkëlzenin Zallin për shumëçka, por në radhë të parë si krijues e përkushtues serioz, që solli këndvështrime të reja, spontaitet e magji prej përralle në poezinë për fëmijë, veçanërisht për moshën parashkollore!.. Në krijimtarinë e tij të larmishme, krahas tregimit, përrallës, poemës, fabulës, tregimit në vargje, gjëagjëzës, etj., vendin kryesor e zuri poezia, dhe veçanërisht viteve të fundit poetika e tij u bë më interesante, sepse solli plot botë fëmijësh, plot lodrime e ëndrra, plot kureshtje e dëshira dhe ngjyra jete.

Botime
Shtëpia e pranverës : poezi për fëmijë - 199?
Përtej fytyres: poezi - 1998
Hënën nuk e pastroj dot : vjersha dhe poema për fëmijë - 2000
Pësimet e Benit: poezi - 2001
Liria ime e vogël : poezi - 2002
Don Benkishoti në bjeshkë : tregime në vargje - 2005
Bleta e Abetares : vjersha, fabula, vizatime për ngjyrosje - 2006
Kur zogu prap të hyjë në vezë : vjersha humoristike, fabula - 2006
Ku më humbi nëna?! : përralla - 2007
Dielli nën mjegull : lirika - 2007
Lugina e shelgjeve : tregime - 2008
Kush banon te syri : vjersha - 2008
Shkronjat në shtëpinë e fjalës - 2009
Gjëza për t'u gjetur - 2011
Si u dogj ëndrra : përralla - 2011
Leci kërkon një Nastradin : vjersha, humoristike - 2011
Zogj të bardhë : poezi për fëmijë - 2012
Gomari pa një... vesh : fabula dhe tregime humoristike për fëmijë - 2013
Dita të ka pritur : poezi për fëmijë - 2013
A kanë zogjtë edukatore : vjersha - 2014
Kurora me banane : fabula - 2015
Ditari i maces - 2015
Perëndimi i vesës : poezi - 2015
Gjergji takon Skënderbeun : poemë, poezi për fëmijë - 2018
Kartolina e zileve : poezi për fëmijë - 2019