>
BIOSHQIP

Shpëtim Saraçi: “Rikthehem Me Më Shumë Besim Në Zot Dhe Te Familja”

26-12-2014
E pamundur të pish një kafe pa u trazuar me Shpëtim Saraçin. Artistë që konsultohen për një këngë, për një ritëm, për një projekt, njerëz që thjesht duan ta takojnë, ta përshëndesin, t’i shtrëngojnë dorën e t’i shprehin kënaqësinë që e shohin sërish, që është mes nesh, që i është futur punës si asnjëherë më parë. Ka kaluar kohë të vështira Shpëtim Saraçi.

Asnjëherë, askush nuk është i sigurt për të nesërmen, për atë që jeta i ka rezervuar. Ai nuk e dinte se në pikun e punës do të goditej nga një ishemi cerebrale, që do t’i rrezikonte seriozisht shëndetin. Iu desh të shkëputej për pak, të kurohej jashtë vendit, të hante veten me dhëmbë, që të mund të riaftësohej…

Një periudhë kur vuri vetën në provë, atë që ishte, ato që kishte. Një provë për veten, por edhe për miqtë. Bashkë me çajin, shoqëruar me një buzëqeshje nga kamerierja e lokalit, bri Radio Televizionit Shqiptar, bashkë me sheqerin edhe “fatthënësi”, një tubth i hollë letre, i cili të përcillte mesazhin e ditës. “Miqtë e mirë duken në ditë të vështira”. Ky ishte mesazhi që i qëlloi Shpëtim Saraçit. “Unë nuk thashë asgjë”, thotë ai. Veçse ndihet se gjatë periudhës së rikuperimit, ka kaluar jo pak, ka humbur dhe ka fituar dhe mes gjithçkaje edhe miq. I mbytur në punë, nga njëra provë në tjetrën, në limitet e kohës, Saraçi i gjen pak minuta për të ndarë disa eksperienca.

Nuk dëshiron t’i thotë të gjitha. Ca gjëra mbeten për vete… Vetëm pak orë larg nga hapja e natës së parë të Festivalit të 53-të të Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar, Shpëtim Saraçi ndan mendimin e tij jo thjesht për këtë edicion, por për gjithë festivalin në tërësi, si dhe për rikthimin me dy aktivitete njëherësh në festival, por edhe përmes “The Voice of Albania”. Ndalet dhe tregon edhe për vete, për ditët e vështira, pa harruar t’i jetë mirënjohës së pari Zotit, e pastaj familjes dhe miqve, atyre që nuk e braktisën, apo që iu bënë të tillë atëherë kur i duheshin më shumë…

Në një intervistë për ‘Panorama’ ai tregon ndjesitë në këtë periudhë të vështirë të jetës. “Kalova një ishemi cerebrale, e cila më ka prekur sistemin e koordinimit dhe shpresoj në një rikuperim të ngadaltë, por të sigurt. Së paku kështu është është prognoza. Le të shpresojmë për më të mirën. Ky moment më shërbeu për të vërtetuar lidhjen e fortë që kam me besimin në Zot. Por më shërbeu për të kuptuar edhe më fort vlerën e familjes”.

Sipas Saracit, në të tilla raste njeriu ndjen nevojën për miq e familjen.
“Në të tilla raste njeriu ndjen mall pa fund për cdo shok të vërtetë dhe pjestarë të familjes”.
A ka pasur zhgënjime? Saraçi shprehet kështu: “Fatmirësisht mund t’ju konfirmoj që lista e miqve të mi pas kësaj situate, mua m’u bë shumë më e gjatë se më parë dhe sinqerisht dua t’i falënderoj të gjithë. Ka pasur dhe zhgënjime, por kam dëshirë t’i lë në mjerimin e tyre.”.
(BalkanWeb)

Shpëtim Saraçi: “Rikthehem Me Më Shumë Besim Në Zot Dhe Te Familja”