>
BIOSHQIP

Shpat Deda, Së Shpejti Me Album Të Ri

29-06-2014
Shpat Deda, këngëtari i shumëkërkuar nga Prishtina vjen në këtë intervistë ekskluzive për teksteshqip.com. Pas publikimit të videoklipit të tij të fundit “Shkëndijë”, ai thotë se e ka në planë ta publikoj edhe një album të dytë me të njejtin emër.

TeksteShqip: Shpat, keni publikuar së fundmi klipin tuaj më të ri “Shkëndijë”. Na flisni pak më shumë rreth këtij projekti?

Shpat Deda: “Shkëndijë” lindi si rrjedhojë e një dëshprimi të thellë me gjendjen në vendin ku kam lindë e ku jam rritë, edhe në thelb është këngë e cila i këndon njerëzve që jetojnë këtu e që njejtë ndjehen të dëshpëruar e të zhgënjyer. Këta njerëz janë shkëndija e vetme e cila mundet me e ndezë flakën e ndryshimit.



TeksteShqip: Kujt ja besove këtë këngë? Kush janë autorët e këngës?

Shpat Deda: Tekstin edhe kompozimin e këngës i kam bërë vetë, ndërsa aranzhmani, inçizimi dhe miksimi janë bërë në studion “Homebasesound” në Prishtinë në bashkëpunim të afërt me Armend Xhaferin edhe Pëllumb Ballatën. Në kangë dëgjohet loja e Armend Xhaferit në bas kitarë dhe në kitarë elektrike, e Nesim Maxhunit në tupana dhe e Visar Kuçit në harqe.

TeksteShqip: Po Videoklipi?

Shpat Deda: Përtej asaj që shihet në shikim të parë, klipi në vete përmban disa metafora dhe paralele të cilat bashkë me këngën marrin kuptim më thelbësor për ata që duan të thellohen në të. Sipërfaqësisht, klipi e bie në vëmendje ditën e një të riu të zakonshëm të një fshati të Kosovës i cili është totalisht i braktisur edhe duhet me e marrë fatin në duart e veta. Video është punuar nga rexhisori britanik Daniel Mulloy, i njohur për realizimin e filmave të shkurtër dhe i shpërblyer në festivalet botërore më prestigjioze për punën e tij. Ai e ka bërë skenarin, rexhinë edhe montazhën e videos.



TeksteShqip: Kemi dëgjuar që po pregaditni album?

Shpat Deda: Besoj se muzika ime nuk është muzikë sezonale, dhe nuk mund të mendoj për këngët e mia si “hite verore”. Megjithatë, “Shkëndijë” i paraprinë albumit tim të dytë i cili do ta mbajë emrin e njejtë me këtë këngë dhe i cili do të publikohet brenda kësaj vere. Albumi do t'i ketë 11 këngë të reja edhe është punuar në studion “Homebasesound” në bashkëpunim me Armend Xhaferin e Pëllumb Ballatën. Bashkëpunëtorë të tjerë janë edhe muzikantët e shquar të skenës, gjegjësisht Nesim Maxhuni, Ilir Bajri, e Visar Kuçi.

TeksteShqip: Shpat, faleminderit që ishe me ne në intervistë?

Shpat Deda: Faleminderit juve!
(Teksteshqip.Com)

Shpat Deda, Së Shpejti Me Album Të Ri