>
BIOSHQIP

Shqipe Kastrati: “Gjithmonë Me Kombin Dhe Për Popullin Tim”

13-05-2015
Siecili që ka dëgjuar zërin e saj, është ndier më tepër atdhetar dhe patriot. Shqipe Kastrati ka një karrierë të mbushur me suksese të mëdha, sepse gjithmonë ka ditur të sjellë vetëm vlera të mirëfillta. Po ta dëgjosh atë nëpër koncerte e mbrëmje, kurrsesi nuk dallon nga këngët e punuara nëpër kaseta të ndryshme. Është ky një element që e bën Shqipe Kastratin të veçantë dhe tepër të pëlqyer nga i gjithë publiku shqiptar. Për të mësuar diçka më tepër rreth saj, ju ftojmë të shijoni intervistën e realizuar me tepër dashuri e ëmbëlsi… Teksteshqip: Shqipe, kur keni filluar të këndoni dhe nga kush u zbulua talenti juaj? Shqipe Kastrati: Kam filluar të këndoj që në moshën 12 vjeçare nëpër programet shkollore, ku dhe u njoh talenti im nga arsimtari i muzikës, Ali Morina.



Teksteshqip: Sa ka ndikuar rrethi në ngritjen tuaj intelektuale? Shqipe Kastrati: Në ngritjen time profesionale, me të madhe ka ndikuar familja dhe rrethi shoqëror. Qenë ata që më dhanë shtytjen që unë të vazhdoj përpara me këngën e bukur shqipe. Teksteshqip: Kur e keni realizuar albumin tuaj të parë? Shqipe Kastrati: Albumin tim të parë e kam realizuar në vitin 1985, me orkestrin e njohur nga Ferizaji “Kastriotët”. Teksteshqip: Cilën nga këngët e juaja e pëlqeni dhe e favorizoni më shumë? Shqipe Kastrati: Nuk mund të veçoj ndonjërën nga këngët, sepse të gjitha i këndoj me gjithë shpirt, si ato atdhetare, si ato të dashurisë, por edhë ato të kurbetit.



Teksteshqip: Si mund ta përmblidhni me pak fjalë periudhën e Luftës së Kosovës, ngaqë dijmë se në këtë periudhë jeni larguar nga Kosova?! Shqipe Kastrati: Luftën e Kosovës e kam përjetuar tepër rëndë, si çdo shqiptar. Unë jam larguar nga Kosova në vitin 1992, pa dëshirën time, por me presion të vazhdueshëm nga policia sërbe dhe bashkëpunëtorët e saj. Presioni, dihej mirë se vinte nga motivi atdhetar i këngëve të mija, që i këndoja nëpër koncerte të ndryshme. Teksteshqip: Po pas luftës, si arritët të krijoni ato këngë me domethënie të madhe, për Kosovën që digjej në flakë, për dashurinë, përparimin dhe ngritjen e popullatës? Shqipe Kastrati: Deri pas lufte nuk jam kthyer në Kosovë dhe kur u ktheva pash një Kosovë krejt ndryshe, emocione të cilat i derdha në këngën e titulluar “Kthimi i mërgimtares”: “Dora s’pat ku me më trokit/ Se ishte rëzuar dera/ Thashë m’u këput zemra prej gjoksit/ Më ra përdhe e mjera”. Ishin metëvërtetë emocione të veçanta të shikoje vendlindjen në atë gjendje. Po, në vitin 2000 fillova të aktivizohem prapë me inçizime të këngëve solo dhe bashkëpunime, të cilat i kam të përfshira në disa albume.



Teksteshqip: Kush janë bashkëpunëtorët tuaj? Shqipe Kastrati: Kam bashkëpunuar me shumë kompozitorë të njohur, si psh: Ilir Berani, Edmond Zhulali, Fatmir Muja, Florent Boshnjaku, etj. Me kolegë këngëtarë kam shumë bashkëpunime, por më së shpeshti me Nazife Bunjakun, Motrat Mustafa, Shaqir Cërvadikun, Mahmut Feratin, etj. Teksteshqip: Gjatë gjithë kësaj karriere të suksesshme, sa ka qenë i vështirë ky rrugëtim? Shqipe Kastrati: Ky rrugëtim ka qenë shumë i vështirë për mua, duke pasur parasysh gjendjen në Kosovë, sidomos në vitet e demonstratave, 1981-’82. Në këtë periudhë, pas çdo koncerti kam qenë e ftuar në polici, element ky që më detyroi pas disa vitetesh të largohesha.



Teksteshqip: Tani jetoni në Amerikë, por a do ktheni ndonjë ditë përfundimisht në Kosovë? Shqipe Kastrati: Me shpirt e me zemër jam në Kosovë, por fizikisht në Amerikë. Nuk besoj se do kthehem, sepse djali Kushtrimi, që është rritur këtu, si çdo fëmijë që rritet jasht, nuk kthehet për të jetuar në vendlindje, vetëm për vizitë, ta flasim realitetin… Teksteshqip: Shqipe, na e përshkruani një ditë të jetës suaj !... Shqipe Kastrati: Po një ditë e zakonshme e imja fillon dhe mbaron si çdo grua familjare. Në vikend, zakonisht jam nëpër mbrëmje dhe dasma të ndryshme të mërgimtarëve tanë. Teksteshqip: Kohët e fundit sikur jeni tërhequr nga tregu muzikor. Pse? Shqipe Kastrati: Është e vërtetë, të gjithë e dinë rrëmujën që po bëhet ditëve të sotme në tregun muzikor, andaj muzika e mirëfilltë e ka marrë teposhtëzën. Kjo rrjedh nga puna e shumë matrapazëve që s’njohin fare vlera dhe s’dijnë si të punojnë me to. Thënë shkurt, në ditët e sotme nuk ja vlen të krijosh një këngë apo album të ri.



Teksteshqip: A do presin fansat ndonjë projekt të ri së shpejti? Shqipe Kastrati: Po, kam përfunduar dy këngë, njëra titullohet “Prizren, i ëmbli vend” me tekst të Valmir Lleshit dhe muzikë të Alfred Popajt, dhe një këngë tjetër për dëshmorin “Xhafer Avdullahu”, e cila është punuar me rastin e zbulimit të lapidarit në Aqarevë të Drenicës. Tekstin e saj e ka bërë Valmir Lleshi, ndërsa orkestirimin, mjeshtri i mirënjohur Burim Krasniqi. Teksteshqip: Shqipe, ne ju falenderojmë që gjetët kohën për portalin tonë teksteshqip.com. Ju urojmë shëndet, suksese e punë të mbarë! Shqipe Kastrati: Gjithashtu ju falenderoj dhe ju i tepër mirënjohëse portalit tuaj, sepse bëni një punë të vlefshme për artin e vërtetë shqiptar. I përshëndes të gjithë adhuruesit duke u premtuar se do i befasoj me projekte të mira. Përshëndetje nga Nju Jorku!
(Arsim Kolari/Teksteshqip.com)

Shqipe Kastrati: “Gjithmonë Me Kombin Dhe Për Popullin Tim”